Sport

Ja pse SHBA arrestoi zyrtarët e FIFA-s, duke tronditur botën e futbollit. Kush është “spiuni”

Screen Shot 2015-05-27 at 16.47.56

Chuck Blazer

Gjatë viteve të fundit, FIFA ka punuar në dy drejtime kryesore, forcimin e rregullave të lojës së futbollit por edhe shkeljen e tyre.

Institucioni që qeveris lojën në popullore të botës është transformuar në një kolos shumëmilionësh me një fuqi të madhe por me pak përgjegjësi…të paktën sipas kritikëve.

Pika që mbushi gotën ishte caktimi i Rusisë dhe Katarit për organizimin e dy botërorëve dhe kjo jo për shkak të emrit të dy vendeve por për shkak të procedurës që u ndoq për të shkuar te këto dy kandidatura.

Pas këtij momenti, FIFA organizoi një proces pastrimi brenda saj.

Për të qenë më të qartë, pastrimi nuk ndodhi ndaj figurave të dyshuara por ndaj akuzave që peshonin mbi supet e një institucioni që falë fuqisë financiare ka arritur të imponohet me arrogancë.

Por pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë aktorë kryesorë në një proces pastrimi në një kohë kur futbolli nuk është shumë popullor në vendin përtej Atlantikut?

Sipas CNN, Uashingtoni nuk kërkon të rrijë dyarkryq në këtë lojë që po luhet nga FIFA, sepse mbi të gjitha në lojë është një event si Kupa e Botës, por edhe miliarda dollarët që fitojnë vendet që e organizojnë me të ardhurat dhe nga turizmi dhe imazhi.

FIFA si pikë rëndese e një eventi të tillë, mesa duket ka bërë autogol, jo për faktin se zgjodhi Rusinë e Katarin, por sepse nuk pranoi të bënte transparencë me gjithë procesin, raporton Sport News.

Prokurori që udhëheq hetimet është Michael Garcia, i cili për 19 muaj ka studiuar dokumentacionin e lidhur me botërorin 2018 dhe 2022 duke hartuar një raport prej 350 faqesh.

Drita jeshile në FBI u ndez me pastrimin e emrit të figurave më të larta të FIFA-s nga Komiteti i Etikës dhe ky ishte një asist për hetuesit amerikanë që janë vënë në lëvizje për të evidentuar dhe më pas arrestuar të dyshuarit për korrupsion.

Çelësi që hapi dyert për autoritetet hetuese amerikane është ish- anëtari i Komitetit Ekzekutiv të i FIFA-s, Chuck Blazer (ne foto).

Ai ofroi dokumenta dhe regjistrime sekrete të takimeve me kolegët e tij në FIFA, duke vendosur përpara faktit shumë prej emrave të rëndësishëm të selisë me qendër në Zyrih.

Një tjetër arsye pse SHBA u përfshi në këtë çështje është edhe fakti se ky vend është pjesë e Concacaf-it, ku ish presidenti Jeffrey Webb u akuzua për afera korruptive por figura e tij u pastrua pikërisht nga FIFA.

Aktualisht, sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra Federale e Drejtësisë në Zvicër, të akuzuarit dyshohen se kanë marrë ryshfete me vlerë deri në 100 milionë dollarë në total gjatë 25 viteve të fundit.

Në këmbim, ata kanë siguruar prioritete mediatike, marketingu, sponsorizimi në mënyrë të padrejtë në SHBA.

Me fjalë më të thjeshta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e hedhin këtë valle sepse shumë prej interesave ekonomike dhe financiare të Uashigtonit janë prekur nga korrupsioni që ka hedhur rrënjë në FIFA por i ka shpërndarë degët në të gjithë globin, përfshirë këtu edhe vendin më të fuqishëm të planetit.

Leave a Reply

Back to top button