“Slate”
Vala e të nxehtit që po përcëllon miliona njerëz në Paqësorin Veriperëndimor dhe pjesë të Kanadasë, me temperatura të papara më herët, ka shkaktuar deri tani qindra të vdekur. Dhe këta janë vetëm ato që mund të numërojmë deri më tani.
Ndryshimi i klimë se ka rritur mesatarisht me 1 gradë Celsius temperaturën globale gjatë shekullit të kaluar, duke i bërë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe intensive sesa çdo periudhë tjetër e historisë së regjistruar. Ndërsa i nxehti shtohet, po kështu ndodh edhe me numrin e të vdekurve.
Një studim i botuar muajin e kaluar në revistën “Nature Climate Change”, zbuloi se ngrohja globale është përgjegjëse për 37 për qind të vdekjeve të lidhura me të nxehtin midis viteve 1991-2018. Ndërsa temperaturat po regjistrojnë nivele gjithnjë e më të larta, kjo shifër mund të rritet.
Ja çfarë ndodh me trupin e njeriut në temperatura të tilla sipas W.Lorenc Kenej, një ekspert në termorregullimin njerëzor në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. Në fillim truri i dërgon një seri mesazhesh gjëndrave të djersës, duke iu thënë atyre të rrisin prodhimin e djersës.
Pastaj zemra nis të rrahë më shpejt për të pompuar gjakun nën lëkurë, ndërsa rrjedhja e gjakut drejtohet gjithashtu nga mëlçia, veshkat dhe zorra. Trupi përpiqet që ta bëjë lëkurën tuaj më të nxehtë sesa ajri jashtë, me shpresën e krijimit të dukurisë së konveksionit, që e largon nxehtësinë nga trupi i njeriut.
Por ndonjëherë vetëm kjo është e mjaftueshme për të krijuar probleme tek një zemër e dobët ose e plakur. Nëse ndodh goditja nga i nxehti, trupi juaj mund të nxehet aq shumë dhe të çojë aq shumë gjak të pasur me oksigjen, saqë të përmbysë organe e brendshme jetësore, të cilat bëhen hipoksike.
Mbijetesa e një organi që dështon të punojë, mund të kërkojë një transplant urgjent. Nëse trupi juaj nuk arrin të qetësohet, temperatura e tij e brendshme mund të fillojë të rritet nga një nivel normal prej 36-37 gradësh në 40-41 gradë Celsius.
“Këto janë situatat kur njerëzit vdesin nga goditja klasike nga i nxehti”- thotë Kenej. Në atë temperaturë, dëmtohen indet e trurit. Simptomat nisi si dhimbje koke mesatare. Por nuk do të kalojë shumë kohë dhe ndoshta ju nuk do ta dini se ku ndodheni apo se sa është ora.
Ju mund të shembeni përtokë, dhe mund të humbni vetëdijen. Truri juaj mund të pësojë hemorragji apo të fillojë të bymehet. Teksa përpiqeni të qëndroni zgjuar dhe për të shmangur konfuzionin marramendës, nxehtësia e tepërt e brendshme nis të dëmtojë zorrët.
Pengesa gastrointestinale që i mban bakteret jashtë qarkullimit të gjakut, një rrethim me proteina i njohur si një kryqëzim i ngushtë, fillon hapjen e portave mikrobike, duke lëshuar endotoksinat në gjak. Trupi juaj ka të ngjarë të shkaktojë një përgjigje inflamatore.
Nëse lihet pa trajtim urgjent, ajo që vijon është mosfunksionimi në seri i organeve të trupit, që të çon drejt vdekjes së sigurt. Dhe kjo është vetëm një pjesë e asaj që ne dimë se si vret i nxehti ekstrem.
“Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se ka ende shumë gjëra që nuk dimë për goditjen nga i nxehti dhe kush është më i ndjeshëm ndaj tij. Kjo sepse ne nuk mund ta studiojmë atë tek njerëzit në kushte laboratorike. Shumë gjëra nga ato që dimë, vijnë nga studimet mbi modelet e kafshëve, si minjtë, apo nga ekzaminimet pas vdekjes së njerëzve që kanë pësuar goditje nga i nxehti”-thekson Kenej.
I nxehti mund të vrasë këdo. Por më të rrezikuar janë njerëzit mbi 65 vjeç apo ata qukanë probleme me zemrën. Apo të varfrit – një person që banon me qira në një apartament të vjetër pa ajër të kondicionuar. Gjithsesi, po mësojmë më shumë se si të shmangim mbinxehjen e trupit.
Një studim i vitit 2019 nga studiuesi i Universitetit të Sidneit, Oli Xhej zbuloi se ventilatorët elektrikë e ulnin temperaturën e trupit të njeriut dhe reduktojnë sforcimet kardiovaskulare në një mot të nxehtë dhe të lagësht. Por në një mot me temperatura të larta por pa shumë lagështi, ventilatorët e rrisin temperaturën e trupit, gjë që të thotë se është jetike qasja tek ajri i kondicionuar.
Por siguria më e mundshme kundër vdekjes nga i nxehti ekstrem është shmangia e rritjes së temperaturave globale. Viti i kaluar barazoi vitin 2016 për të nxehtin më ekstrem të regjistruar ndonjëherë në të gjithë botën.
Pavarësisht nga një rënie e vogël e emetimeve për shkak të mbylljeve të shumë vendeve nga pandemia e Covid-19, ne po shkojmë drejtë një rritje me rreth 3 gradë Celsius të temperaturës globale deri në fund të këtij shekulli. Ndryshimi i asaj trajektore kërkon uljen e shpejtë dhe drastike të përdorimit të karburantit fosil dhe gjetjen e mënyrave për të hequr sa më shumë karbon nga atmosfera. / bota.al