Magazine

Jam krenare për rrudhat e mia. Jam një femër e realizuar dhe e lumtur!

Shumë femra kanë komplekse për pamjen e tyre, sidomos kur mosha fillon t’u lërë gjurmë në paraqitje dhe në trup. Këtu nënkuptojmë më së shumti rrudhat në fytyrë dhe thinjat në flokë. Fillojnë t’i mbulojnë thinjat me lyerjen e flokëve, ndërkohë kohët e fundit ka dalë në botë edhe mbushja e rrudhave. Kjo është një formë e “shpëtimit” të gjurmëve që koha po lë tek njerëzit, mirëpo njëkohësisht është kthyer edhe në një temë diskutimi të gjerë në popullatë. Jo aq shumë për faktin se çdokush bën zgjedhjet që dëshiron të bëjë në jetë, por për standardet e reja që shoqëria po krijon. Tashmë nuk është më e modës dhe as shenjë fisnikërie të kesh thinja në flokë apo rrudha në fytyrë. Të jesh në një situatë të tillë, është bërë normale të të mbajnë në gojë për keq, madje dhe shpesh të thonë : “E shkreta, e ka lënë veten pas dore. Është keq të mos kesh lekë”.  Ne jemi popull tepër paragjykues dhe mezi presim t’i komentojmë të tjerët për keq.

Në kundërshtim me gjithë këtë “frymë” të krijuar, Mara Venier, një stiliste dhe aktore e njohur italiane, është shprehur kështu për veten e saj: “Nuk duroj dot më të më thonë “mbaj dietë”, “je e shëndoshë”, “lyeji flokët se je thinjur”. Ka kaq shumë ligësi në qarkullim. E pranoj plotësisht të më thonë “Ti si stiliste apo aktore nuk më pëlqen”. Të vënë në diskutim punën time është diçka që e pranoj, madje e marr si një kritikë që më nxit për t’u përmirësuar. Por komentet për moshën dhe aspektin fizik, nuk i pranoj aspak. Janë bullizëm.

Unë jam krenare për rrudhat e mia. Jam një femër e realizuar dhe e lumtur. Jam shumë rehat me moshën që kam dhe me gjithçka që kam arritur të ndërtoj e vetme. Përgjithësisht jam e qetë, ama komente të tilla që qarkullojnë në rrjetet sociale apo edhe në realitet, sigurisht që të bëjnë të dalësh nga vetja. Çdokush duhet të ketë minimumin e kontrollit, duhet menduar paksa se si ndihet tjetri nga komenti që je duke i bërë. Fjala vret dhe nuk duhet thënë pa u menduar.

Shpresoj shumë që gjërat të ndryshojnë dhe femrat të mos ndihen në siklet nga komente të tilla pa lidhje, të thëna nga persona të ligë që nuk e kontrollojnë dot gojën dhe derdhin vrer kudo. Ju ndjehuni komode me moshën tuaj, rrudhat dhe thinjat vazhdojnë akoma të tregojnë fisnikëri”.

Back to top button