Uncategorized

Jo vetëm një Atlantidë. Zëra nga bota e nënujshme e Heraklionit

Ideja që qytete të mëdhenj, të pasur me dije dhe thesarë të harruar qëndrojnë të fshehur në thellësitë e deteve josh shumëkënd. Rrallë ndodh që të kalojë një vit pa dalë dikush që të pretendojë se ka gjetur Atlantidën. Po çfarë ka në të vërtetë atje, poshtë dallgëve?

Heraklioni dhe Kanopusi Lindor, Egjipt

Në bregun verior të Egjiptit, aty ku delta e Nilit takon detin, qëndronin një herë e një kohë dy qytete me një pasuri dhe madhështi të tillë, saqë ishin shumë të famshëm në të gjithë botën e lashtë. Sot, ajo çfarë ka mbetur prej tyre qëndron e varrosur poshtë një cekëtine.
Rreth vitit 500 para Krishtit, portet e Heraklionit dhe Kanopusit Lindor ishin qendra tregtare të lulëzuara, portat hyrëse për në Egjipt për anijet greke që kalonin teposhtë Nilit. Këta qytete ishin gjithashtu qendra shumë të rëndësishme fetare, me tempujt e tyre që joshnin mijëra pelegrinë çdo vit. Megjithatë, deri kohët e fundit, pothuajse çdo gjë që dihej në lidhje me ta vinte prej teksteve të lashtë. Historiani grek, Herodoti shkruante në shekullin e pestë Para Krishtit se ata dukeshin si ishujt e Egjeut, por ishin ngritur në mes të një kënete.

I frymëzuar nga këto rrëfime, biznesmeni francez dhe arkeologu Franck Goddio nisi të vëzhgojë zonën disa pak kilometra në perëndim të Deltës së Nilit, e quajtur gjiri i Abu Kir. Goddio ka kryer gërmime nënujorë në Aleksandrinë aty pranë që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë. Por Abu Kir mund të sjellë rezultate edhe më entuziasmues.

Në vitin 2000, Goddio bëri të ditur zbulimin e dy grupeve rrënojash, duke përfshirë mure, tempuj etj. Ekipi identifikoi gjithashtu dy tempuj, që i dedikoheshin heroit grek, Herakliut si dhe perëndisë Amon (versioni grek i hyjit egjiptian, Amun). Pak më në veri të tempullit të Herakliut, zhytësit zbuluan shumë objekte bronzi, të cilët me siguri janë hedhur si dhurata në një lumë të lashtë. “Kemi gjetur depozita ritualësh që ishin bërë prej priftërinjve në vende që vetëm ata vetë i dinin”, thotë Goddio. “Ndihemi sikur jemi duke penetruar në zemër të liturgjisë së lashtësisë”.

Disa kilometra më tutje, grupi i dytë i rrënojave janë identifikuar si Kanopusi Lindor. Aty, zhytësit kanë zbuluar qeramikë, pjesë dyersh të tempujve, monedha me profilin e Kleopatrës e cila sundoi Egjiptin në shekullin e parë para Krishtit si dhe një faltore graniti ngjyrë të zezë nga shekulli 4 para Krishtit, dedikuar nga Nektanebo I, e cila përmban një seri mbishkrimesh astronomikë dhe kalendarikë.

Të dy qytetet ishin të lidhur nga një rrjet kanalesh dhe lumenjsh me një degëzim sot të palundrueshëm të Nilit. Ndërtesat e mëdha prej guri të qytetit kishin zënë vend në mbetjet e lumit, të varrosura nën rërë, të ndërtuara mbi baltë dhe rërë, pa patur një themel solid. Kur Nili kishte përmbytje shumë të mëdha, pesha e shtuar e ujit do të ketë shkaktuar shembjen e terrenti nën ndërtesa. Dëmi mund të mos kish qenë kaq i rëndë në fillim. Të çara të mëdha nën disa prej ndërtesave në Kanopusin Lindor ishin mbushur qëllimisht me rërë, dhe sendet e gjetura si dhe monedhat e gjetura në këtë vend datojnë që nga viti 740.

Megjithatë, kolona dhe statuja të shembura, si dhe skelete njerëzore bashkë me sende të vyera të gjetura nën muret e shembur, tregojnë se fundi ka ardhur shumë shpejt. Pas vitesh të tërë përpjekjesh me rrëshkitjen, një vërshim shumë dramatik që mendohet të ketë ndodhur në 741 apo 742, solli fundin e qytetit. Gjatë po këtij vërshimi, kjo degë e Nilit mund të jetë zhvendosur në lindje. Për banorët e qyteteve, avantazhet ekonomikë të ndërtimit në një vend kaq me rrezik ndoshta kanë eklipsuar gjykimet afatgjatë mbi sigurinë, një paralajmërim ky për qytetet bregdetarë të kohëve të sotme. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button