Analiza

KOMENT / Nuk ka më Luftë të Ftohtë. Mjaft me hiperbola dhe hipokrizi

the new BUdapest 1956Gjëja më e ndershme që mund të bëjnë udhëheqësit Perëndimorë është t’i thonë Ukrainës se është vetëm, se në realitet ka shumë pak gjëra që janë të përgatitur të bëjnë, dhe të pranojnë se fuqia e tyre është e kufizuar. Do ishte gjëja më e ndershme që u duhet thënë edhe votuesve perëndimorë

Victor Sebestyen*

Po të besosh titujt e mëdhenj të gazetave dhe komentatorët e televizioneve, atëherë ne jemi në mesin “e një luftë të re të ftohtë”, si rezultat i vendimit të Rusisë për të marrë Krimenë. Ndoshta për shumë njerëz në të dy anët e Atlantikut, krahasimi është rehatues: Në fund të fundit, Lufta e Ftohtë, ajo e vërteta, ishte e fundit luftë që Amerika dhe Perëndimi e “fituan”, ose u duk se e fituan. Por është e gabuar.

Kjo nuk është një Luftë e re e Ftohtë. Bota nuk po shkon drejt një përplasjeje qytetërimesh mes dy mënyrash thelbësisht të ndryshme të organizimit të shoqërive.

Eshtë një tragjedi për Rusinë dhe për fqinjët e saj, që pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik shteti u grabit nga njerëz si Vladimir Putini dhe një pjesë e madhe e aseteve shtetërorë përfunduan në duar të njerëzve të tij. Sundimi njëpartiak është shndërruar në sundim të një klike prej kolegëve të dikurshëm të Putinit në KGB, njerëzve pranë Kremlinit dhe kleptokratëve të ndryshëm.

Por nuk ka “Putinizëm” që të mund të eksportohet përtej kufijve të Rusisë. Nacionalizmi i vjetër rus dhe kapitalizmi i gangsterëve nuk ofrojnë një pikëpamje alternative për botën, as një vizion apo sistem universal vlerash. Megjithë të metat që kishte dhe brutalitetin që ushqeu, komunizmi ishte një Ide e Madhe, pothuajse një besim, që për dekada të tëra kënaqi mendjet e njerëzve brilantë por të mashtruar dhe frymëzoi shpresën për “shpëtim” për miliona vetë nëpër botë. Nuk ka gjasa që Putini të frymëzojë ideale tek ndokush, përvec turmave që e brohorisnin në Moskë të martën, pas fjalimit të tij të zjarrtë ku sulmonte Perëndimin – si dhe ndoshta disa rusë etnikë në Krime apo gjetkë, në fqinjësinë e Rusisë.

Eshtë thjeshtë e cuditshme të imagjinosh që do ketë udhëheqës fshatarësh në Amerikën e Jugut, në Azi dhe Afrikë që do të luftojnë për një kredo revolucionare që predikohet nga Moska, sic ndodhte gjatë Luftës së Ftohtë. “Punëtorë të të gjithë botës… bashkohuni… për fitimet e Gazpromit!” nuk është një slogan joshës.

Për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, rreziku ndaj demokracisë liberale dhe lirisë nuk vinte nga Ushtria e Kuqe apo arsenali bërthamor i Bashkimit Sovjetik, por nga një ideologji e cila për një kohë të gjatë dukej se ofronte një alternativë ndaj kapitalizmit dhe vlerave perëndimore. Ishte një iluzion, por një që shumë njerëz në Perëndim e ndanin. Sot, nuk ka shanse që banorët e kryeqyteteve europianë të zgjohen një ditë e të shohin që komisarët kanë shtetëzuar mjetet e prodhimit.

Nëse ka një rrezik, ai është gjeografik, jo ideologjik, dhe ai është në një zonë të kufizuar në periferinë e Rusisë. Pavarësisht fjalimeve radikalë të disa zyrtarëve në Moskë, apo të ndonjë fajkoi në Amerikë, nuk ekziston një sfidë globale ushtarake, nuk ka përplasje ekonomike apo kulturore. Madje është e kundërta. Gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, kishte shumë pak lidhje ekonomike dhe biznesi mes Lindjes dhe Perëndimit. Tani tregtia ka një ndërlidhje si kurrë më parë. Rusia eksporton gazin e saj në sasi të mëdha – ashtu sikurse dhe milionerët. Ditën pasi Rusia mori kontrollin e Krimesë, bursa e Moskës pësoi një rënie me afro 10%, ndonëse tashmë e ka rimarrë veten. Gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë, Moska as nuk kishte bursë.

Megjithatë, në një mënyrë shqetësuese, jehona e Luftës së Ftohtë po vjen fort dhe qartë. Retorika tingëllon frikshëm e njohur. Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry thotë se demokracia nuk do grabitet asnjëherë “me plumba dhe pushtim”, pikërisht ato gjëra që paraardhësit e tij mund të kenë thënë në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë. Një president demokrat i matur akuzhet në vendin e tij se po tregohet i butë me diktatorët. Putini flet për shpëtim të rusëve në Ukrainë nga një “grusht shteti neofashist” – një skenar i vjetër që aktorët e mëdhenj duhet ta kenë nxjerrë nga kujtime të dikurshëm.

Nëse ndiqet skenari i të kaluarës, teksa retorika do të forcohet gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më e qartë do të bëhet që në të vërtetë Perëndimi nuk ka shumë cfarë të bëjë ndaj faktit të kryer në Krime, si dhe nëse rusëtjanë të vendosur ta ndajnë më dysh Ukrainën.

 

 

 

 

 

 

 

Gjatë Luftës së Ftohtë, udhëheqësit e Amerikës flisnin për “sprapsje të komunizmit” dhe “clirim të popujve prapa Perdes së Hekurt”, por nuk bënë asgjë që do të rrezikonte konflikt të armatosur, sidomos pas krizës së raketave në Kubë.

Luftërat e nxehta u luftuan nga shtete të afërt, me marrëveshjen e pashkruar se superfuqitë nuk do të përplaseshin me njëra-tjetrën pranë Perdes së Hekurt. Kur sovjetikët kryenin masakra, në Hungari në 1956 ose Pragë 1968, presidentët amerikanë dhe kryeministrat britanikë i përshkruanin si “të papranueshme” – pastaj i pranonin. Ishin veprime krejt të arsyeshëm: Askush në Perëndim nuk ishte i përgatitur që të shkonte në luftë për Budapestin. Ishte retorika e fryrë, premtimet e nënkuptuar e të pambajtur, që linin një shije të hidhur hipokrizie. Dhe kur erdhi momenti kritik, kur u shemb Muri i Berlinit dhe perandoria sovjetike pësoi kolaps, ishin europiano lindorët që cliruan vetveten. Të huajt nuk kishin fare të bënin, pavarësisht triumfalizmit në Perëndim.

Tani Amerika dhe Europa kanë përjashtuar cdo lloj reagimi ushtarak ndaj krizës së Krimesë. Vendet e mëdhenj të Europës janë kundër sanksioneve të rëndë, gjë që është e arsyeshme duke parë kostot e mundshme në një kohë krize ekonomike në kontinent. E paarsyeshme është vazhdimi i fryrjes së retorikës për lirinë dhe demokracinë, e cila arriti shumë pak gjëra gjatë Luftës së Ftohtë dhe shumë pak do të arrijë edhe tani.

Nuk është koha për hiperbola dhe hipokrizi. Gjëja më e ndershme që mund të bëjnë udhëheqësit Perëndimorë është t’i thonë Ukrainës se është vetëm, se në realitet ka shumë pak gjëra që janë të përgatitur të bëjnë, dhe të pranojnë se fuqia e tyre është e kufizuar. Do ishte gjëja më e ndershme që u duhet thënë edhe votuesve perëndimorë.

* VICTOR SEBESTYEN është autor i “12 ditë: Historia e kryengritjes hungareze” dhe “Revolucioni 1989: Rënia e perandorisë sovjetike”

Leave a Reply

Back to top button