Sport

Koment: Urime Brazil!

urime brazilFutbolli dhe politika janë dy botë. Ato afrohen në mënyrë të rrezikshme me njëra-tjetrën dhe pastaj largohen sërish. Kampionati Botëror në Brazil duket se e theu për herë të parë këtë ligj të pashkruar. Pas protestave masive të vitit të kaluar mediet parashikonin një turne të nxehtë politik. Por rasti precedent historik nuk u shfaq. Populli i Brazilit e kundërshtoi me sukses marrjen peng nga Kampionati Botëror dhe vendosi për një festë futbollistike në paqe. Për më tepër: patriotizmi popullor rezultoi një element stabilizues.

Krenaria e theksuar e rreth 200 milionë banorëve nxiti jo vetëm rivalitetin e zakonshëm në futboll midis ekipeve kombëtare. Përkundrazi, pas skualifikimit të “Seleção” ajo madje i shndërroi shumë brazilianë në fansa të kombëtares gjermane.

Edhe përvetësimi i ndjenjave patriotike nga politika dështoi. Fansat nuk u impresionuan as nga FIFA, dhe as nga përfaqësuesit e popullit të tyre. Po aq i madh sa entuziazmi, me të cilin ata i ndoqën përallat e futbollit para ekraneve, ishte edhe qetësia, me të cilën ata riktheheshin pas çdo ndeshjeje në jetën e përditshme. Kampionati Botëror nuk përshtatet si ndihmë për fushatën elektorale. Këtë përvojë e fituan që ish-presidentët e Brazilit, Luiz Inacia da Silva dhe Fernando Henrique Cardoso. Cardoso u fut në pallatin qeveritar, sepse ishte në gjendje të dëshmonte suksese në luftë kundër inflacionit, dhe jo sepse më 1994 “Seleção” e mori titullin në Kampionatin Botëror në SHBA.

Edhe në fitoren historike në zgjedhje të Luiz Inacio Lula da Silva-s në vitin 2002, futbolli dhe politika ecën në rrugë të ndara. Drejtuesi i sindikatave da Silva nuk shënoi pikë me kupën e fituar më 2002, por me një agjendë sociale.

Presidentja e Brazilit, Dilma Roussef, u përpoq të bënte sparkatë midis dy botëve dhe rrëshkiti. Thirrjet e mosaprovimit dhe fyerjet në ndeshjen e hapjes në Sao Paolo ajo i diskreditoi si shkarje të një “elite të bardhë”. Kritikët e Kampionatit Botëror ajo i damkosi si “grindavecë” dhe “pesimistë”. Por polarizimi nuk bëri efekt. Populli i Brazilit vendosi të pushojë gjatë Kampionatit Botëror nga fushata elektorale dhe protestat. Ai jo vetëm që e kaloi provën e Kampionatit Botëror, por edhe provimin e pjekurisë demokratike.

Linku: http://www.dw.de/koment-urime-brazil/a-17784598

Leave a Reply

Back to top button