Filozofi

“Kopshti” i Volterit dhe njerëzimi që reziston

“Asnjëherë nuk është vënë në punë, kaq shumë mençuri, për të na bërë kafshë. Të lexosh veprën tuaj, të vjen që të ecësh me katër këmbë. Sidoqoftë, duke qenë se e kam humbur këtë zakon prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh, për fat të keq ndjej se e kam të pamundur ta rimarr atë”.

Ndonjëherë Volteri preferonte një shaka në vend të një analize të plotë filozofike. Por, siç shkruante Horaci, asgjë nuk na pengon të qeshim për të thënë të vërtetën. Dhe sigurisht, Volteri kishte arritur të adresonte çështjen qendrore, dje ashtu si sot, duke iu drejtuar personit të duhur. Marrësi ishte filozofi më i iluminuar i momentit, Jean-Jacques Rousseau, dhe në diskutim ishte teza e tij se gjendja fillestare, primitive, primitive e njeriut është një gjendje e pafajësisë. Eshtë një bindje e përhapur, dhe jo vetëm në filozofi: ajo është gjithashtu baza e kristianizmit, për shembull.

Por kristianizmi, me sistemin e tij të fuqishëm doktrinor, ishte në gjendje të shpjegonte edhe vazhdimin e historisë: potencialisht të pastër, të bekuar dhe të pafajshëm, si fëmijë të Zotit, njerëzit e gjejnë veten në gjendjen e tanishme të mjerimit, për shkak të fajit të mëkatit origjinal, pas shkeljes që bëri Adami dhe Eva. Nuk sqaron të gjitha problemet, por të paktën ofron, për besimtarët, një shpjegim teologjik të asaj që jemi sot. Po Rousseau? Nëse për nga natyra jemi të pafajshëm dhe të pastër, si mund ta justifikojmë korrupsionin tonë aktual? Nga ai tek tek Stoikët, të parët që e mbështetën me ngulm atë ide, tundimi është gjithmonë i njëjtë: t’i imponohet shoqërisë përgjegjësia e korruptimit aktual.

Në vetvete, teza nuk është plotësisht e gabuar; por nga pikëpamja filozofike, pyetja themelore mbetet e hapur: nëse njerëzit për nga natyra (ose me vullnet hyjnor) janë të mirë ose të pafajshëm, si u bë shoqëria e korruptuar? Një pyetje e vështirë, së cilës Rousseau nuk deshi t’i përgjigjej, duke shpjeguar se gjendja e natyrës duhej të kuptohej si një rast I kufizuar, “që mbase nuk ekzistonte kurrë, dhe për të cilin, megjithatë, duhet të kemi nocionet e duhura për të gjykuar mirë gjendjen tonë aktuale”. Më të guximshëm, Stoikët ishin përgjigjur në një mënyrë brilante dhe banale në të njëjtën kohë: faji i nënave; janë ato që inaguruan procesin e korruptimit kur i bënë fëmijët të kenë banjo të nxehta, duke nxitur tek ta dëshirën për kënaqësi të panevojshme dhe të panatyrshme, të cilat gradualisht do t’i mashtronin ata. A i keni bërë të vegjlit tuaj ta ndjejnë atë emocion të ëmbël? Epo, shoqëria humbet në mënyrë të pakthyeshme. Ka një lloj gjenialiteti në çmendurinë e kësaj përgjigjeje, por edhe shumë banalitet: në fund të fundit, është gjithmonë faji i grave (është një version tjetër i historisë së zakonshme të Evës, në fund të fundit).

Po sikur të kishte të drejtë Volteri, dhe të gjithë ata që ashtu si ai, nuk presin parajsë në fillim ose në fund të tregimit, sepse ushqejnë një imazh më pak idilik, më të zhgënjyer për njeriun dhe limitet e tij? Perspektiva është më pak emocionuese, por ka të paktën një meritë: duke na çliruar nga mirazhi i pafajësisë dhe pastërtisë origjinale, gjithashtu na ndihmon të vëzhgojmë me sy më të kthjelltë gjithçka që kemi ndërtuar me dhimbje, kur kemi qenë në gjendje të jemi të bashkuar. Nuk është një histori triumfale, ajo e njerëzve, por as nuk është një zbritje drejt humnerës: përkundrazi i ngjan një kopshti të kultivuar me durim, gjithmonë në rrezik të bjerë në kaos, por që ndërkohë reziston, dhe i cili për këtë arsye meriton kujdes dhe durim. / Sette – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button