Sport

Korrupsioni me Kupën e Botës dhe takimi i fshehtë i Mishel Platinisë

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini ndodhet nën presion për të shpjeguar takimin e fshehtë me njeriun që është në qendër të skandalit për organizimin e Kupës së Botës në Katar. Dokumentat që ka shtënë në dorë The Telegraph tregojnë se Platini u takua me Bin Hammamin për mëngjes, pak kohë përpara se ish futbollisti të takohej me Nicolas Sarkozynë, në atë kohë president i Francës, me djalin e Emirit të Katarit dhe kryeministër i vendit, për drekë në Pallatin presidencial. Një vit më vonë, kompania shtetërore e Katarit “Qatar Sports Investments” bleu Paris Saint-Germain, skuadra e preferuar e Sarkozysë. Djali i Platinisë, Laurent, u bë drejtor i përgjithshëm tek Burrda, një kompani sportive në pronësi të Katarit

The Telegraph
2 QERSHOR 2014
Platiniu

Mishel Platini, një prej njerëzve më të pushtetshëm në futbollin botëror, të hënën në mbrëmje ishte nën presion që të shpjegonte një takim të fshehtë me personin që është në qendër të skandalit të Kupës së Botës në Katar. The Telegraph ka zbuluar të dhëna që Platini, një ish futbollist i kombëtares së Francës dhe president i UEFA-s, organi qeverisës i futbollit europian, ka patur një bisedë private me Mohamed Bin Hammamin, katarioti që ka paguar miliarda stërlina për zyrtarë të futbollit në të gjithë botën.
Dalja e informacionit për këtë takim nënkupton që Franca është bërë i pari shtet europian që përfshihet në skandalin e rryshfetmarrjes, që deri më sot ishte kufizuar në vendet e Afrikës dhe Karaibeve.
Mësohet se takimi ka ndodhur pak përpara se FIFA t’ia jepte të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2022 Katarit, dhe se Bin Hammami loboi personalisht tek Platinia për të mbështetur kandidaturën e Emiratit.
Anëtarët e komitetit ekzekutiv të FIFA-s votojnë në fshehtësi, por Platinia ka bërë të ditur se ka votuar për Katarin, në votimin që u zhvillua në 2010-ën. Ai ka mbështetur edhe propozimin për të zhvendosur zhvillimin e turneut në dimër, për të shmangur nxehtësinë ekstreme në Katar gjatë verës.
Një prej anëtarëve të komitetit ekzekutiv tha se ata ishin “të tronditur” nga zbulimi i bërë për takimin.
Australia dhe SHBA, të cilat humbën garën përballë Katarit lanë të kuptohet se do të riparaqesin kandidaturat e tyre. Pati madje një të dhënë që edhe shpresat e Anglisë për organizimin e Botërorit 2018 mund të ringjalen, për arsye se edhe votimi për Rusinë është duke u rishikuar. Vendimet për të dy Kupat e Botës u morën në të njëjtën ditë.
Dokumentat që kanë dalë tregojnë gjithashtu se Bin Hammam:
Ka diskutuar marrëveshje tregtare me zyrtarë të vendeve me të drejtë vote në vendimin e marrë në vitin 2010, duke përfshirë edhe një marrëveshje gazi me Tailandën
U ofroi makina pjesëtarëve të FIFA-s
Diskutoi për vende pune për familjet e disa anëtarëve të FIFA
Këta zbulime rritën edhe dyshimet për paanshmërinë e disa zyrtarëve të FIFA-s, pas pretendimeve gjatë fundjavës se Bin Hammami ka shpërndarë 3 milionë stërlina si rryshfete për delegatë të FIFA-s.
Dokumentat që ka shtënë në dorë The Telegraph tregojnë se Platini u takua me Bin Hammamin për mëngjes, pak kohë përpara se ish futbollisti të takohej me Nicolas Sarkozynë, në atë kohë president i Francës, me djalin e Emirit të Katarit dhe kryeministër i vendit, për drekë në Pallatin presidencial në nëntor 2010, një muaj para votimit.
Një vit më vonë, kompania shtetërore e Katarit “Qatar Sports Investments” bleu Paris Saint-Germain, skuadra e preferuar e Sarkozysë. Platini e ka mohuar gjithmonë që Sarkozy i ka kërkuar që të votojë për Katarin, por në një intervistë ai ka thënë: “U ftova në darkë me Sarkozynë, aty ku ishte edhe kryeministri i Katarit. Asnjëherë gjatë darkës nuk më kërkuan të votoj. Ishte më shumë për “mbështetje”. E dinin që do të isha i pavarur”.
Djali i Platinisë, Laurent, u bë drejtor i përgjithshëm tek Burrda, një kompani sportive në pronësi të Katarit. Platini ka thënë gjithmonë se roli i djalit të tij nuk kishte lidhje me votimin….
THE TELEGRAPH (http://www.telegraph.co.uk/sport/football/world-cup/10871065/Qatar-World-Cup-2022-France-embroiled-in-corruption-scandal.html)
Pershtatur nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button