Sport

Krujfi dhe Portokallinjtë: Futbolli që ishte liria e ’68-ës

Screen Shot 2016-03-25 at 09.45.45Hendrik Johannes Cruyff i quajtur Johan nuk ishte vetëm një futbollist. Ishte një ide. Ishte miti i një brezi. Një mit portokalli. Me numrin 14 në shpinë, ishte udhëheqësi aspak i heshtur i revolucionit holandez, i futbollit total, i atij që do të njihej si Portokalli mekanik. E megjithatë, edhe në atë utopi, që ishte kombëtarja holandeze, që jo rastësisht u normalizua në finalen e Botërorit 1974 nga të zotët e shtëpisë, Gjermania Perëndimore, Johan Krujfi mbeti futbollist jonormal, anarshist në një grup ku të gjithë vraponin me një drejtim, përfshirë edhe atë vetë, por ku vetëm numri 14 shkonte vërtetë atje ku dëshironte, gjithmonë në kufirin mes spektaklit dhe thelbit, mes rafinimit dhe prakticitetit, mes lëvizjeve virtuoze dhe atyre thelbësore. Në gjendje të thjeshtësonte shumë të vështirën. Natyrisht, i paimitueshëm.

Nga ajo kombëtare, që u grumbullua prej Rinus Mishelsit, Krujfi ishte udhëheqësi i padiskutueshëm, dhe nuk mund të kish qenë ndryshe. E megjithatë, edhe sot është e vështirë të thuash se në cilin rol luante: sulmues? gjysmë-sulmues? fantazist? Në një mënyrë që përmbledh gjithçka, mund të themi se nuk kishte rol të përcaktueshëm të Johan Krujfit: thjeshtë bënte atë që ishte e nevojshme për të mposhtur kundërshtarët. Dhe e bënte mrekullisht. I rrethuar nga një grusht pretorianësh, Rep dhe Resenbrik në krah të tij në sulm, kunati Neskens, Jansen, Haan në mesfushë, Surbier dhe Krol në mbrojtje, dhe me të marrin Jongbloed në portë, më i zoti me këmbë se me duar, Krujfi ishte gjenerali me cigare, që tërhiqte ushtrinë e tij në fushatat e Europës, duke fituar admirimin dhe respektin e kundërshtarëve. Pastaj ndoshta nuk fitoi asgjë, por detajet janë vërtetë dytësore.

’68-a në fushat e lojës

Holanda e Mishelsit dhe Krujfit ishte ideja e lirisë së futbollit botëror, ishte ’68-a e sjellë në vitet Shtatëdhjetë në një kuadrat loje. Ishte grumbullimi i skuadrës bashkë me gratë, në një kohë kur ekipet e tjera e bënin në stil murgjish grumbullimin. Ishte cigarja që Krujfi e ndizte në dhomat e zhveshjes përpara ndeshjeve, dhe nuk mund ta kuptoje, nëse e bënte sepse nuk bënte dot pa duhanin, apo sepse i pëlqente që të hidhte në erë skemat, ato që thoshin se një atlet nuk mund të pijë duhan, nuk mund të pijë, nuk mund të bëjë seks. Para një ndeshje, pastaj…

Fitorja e domosdoshme

Në pemët e arta, Holanda ka gjetur gjithmonë pak hapësirë. Dhe kur e ka gjetur, ka qenë falë nipërve të atij Portokallit mekanik, falë Van Bastenit, Rud Gulitit dhe Frenk Rajkardit. Holanda ka një seri kandidimesh në botërorë, pa arritur asnjëherë që të ngrejë titullin, dhe paradigma e të gjitha humbjeve është ajo e vitit 1974, atëherë kur dukej e shkruar se Holanda, ajo e lojës së bukur, do të fitonte titullin, me Krujfin pasardhës të denjë të Pelesë në ngritjen e trofeut. Shkoi ashtu si shkoi.

Në minutën e parë, holandezët treguan se çfarë ishte futbolli total.: një aksion i zgjatur, nga fërshëllima e parë deri në inkursionin brenda zonës të Krujfit. Gjermanët as nuk i ishin afruar topit. Hënesi mundi vetëm të afroi këmbët pranë atyre të numrit 14 portokalli dhe shkaktoi penalltinë e 1-0. U zbulua kështu se në demonstrimin praktik të idesë, qëndronte edhe limiti i saj, për arsye se fitorja në fund të fundit konsiderohej një aksesor, jo e domosdoshme. Dhe në 89 minutat e tjera Holanda (bashkë me të e gjithë bota) pa Gjermaninë të fitojë një botëror, duke luajtur më keq se ajo.

Ai titull botëror banal…

Shumëkush ka pyetur nëse Holanda, pa gjeninë e Krujfit, por me pak më shumë thelb, do të kish mundur ta fitonte atë titull. Dhe shumëkush ka pyetur nëse katër vite më vonë, gjithmonë kundër të zotëve të shtëpisë, këtë herë Argjentina, prania e Krujfit do i kish dhuruar titullin Holandës, si një shpagim moral për finalen e Mynihut. Pyetje pa përgjigje, natyrisht. Por me një siguri të vetme: mbyllja e idesë në një titull botëror do të kish qenë shumë banale. /Corriere della Sera – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button