Magazine

Ky është brezi më i mirë. Edhe pse plot me mungesa, na ka mësuar vlerat më të mëdha

Kjo është gjenerata më e mirë dhe për fatin tonë të keq, dita ditës po zhduket. Po zhduket brezi më i mirë, ai që edhe pa pasur studime të larta, prapë ka ditur t’i edukojë fëmijët në mënyrën e duhur duke i mësuar parimet bazë të etikës e moralit.

Ky është brezi që edhe pse plot me mungesa e kushte të vështira rritjeje, prapë ia ka dalë të na mësojë vlerat më të mëdha, dashurinë, edukatën dhe respektin. Na kanë mësuar mbi dinjitetin, që aq shumë mungon sot. Na kanë mësuar mbi sinqeritetin, që po ashtu është në zhdukje. Është brezi që na ka mësuar vlerat, virtytet që duhet të ndjekim, por edhe veset nga të cilat duhet të heqim dorë.

Është brezi që ka vuajtur më shumë, nuk kishin asgjë të gatshme nga prindërit e tyre. Përkundrazi, është brezi që ka punuar si kafshë në plot kuptimin e fjalës, shpesh duke u kënaqur me asgjë për të mbijetuar e për të hequr mënjanë lekë për fëmijët e tyre. Nuk kanë parë një ditë të bardhë dhe është detyra jonë që t’i gëzojmë sadopak, për aq kohë sa i kemi ende në jetë.

Është gjenerata që edhe pse ka kaluar një jetë plot sakrifica e mundime, prapë dëshiron thjesht të plaket me dinjitet. Nuk kanë pasur asnjëherë kërkesa të mëdha. Janë kënaqur me pak dhe duke menduar për gjithë vuajtjet që kanë kaluar, mendon se si e kanë gjetur forcën për t’ia dalë mbanë në jetë.

Është padyshim gjenerata më e mirë, por që fatkeqësisht po zhduket. Disa, edhe pse kanë vuajtur gjithë jetën, po vdesin të vetëm, të braktisur nga fëmijët që i rritën me aq shumë sakrifica. E sërish, pavarësisht gjithë vëmendjes që duhet të kishin nga ne, janë një brez që po shuhet pa shqetësuar askënd, në heshtje…

Back to top button