Sport

Leo Messi rishkroi historinë e Barçës. Dhe nuk ka mbaruar…

Screen Shot 2015-06-08 at 18.01.26

Ka shumë mënyra për të matur madhështinë e Leo Messit. Në Spanjë, kohët e fundit, me rikthimin tek fitorja të Barcelonës, përdorin një parametër lokal dhe të pazakontë, por me një impakt të fortë. Që kur Messi ka nisur të frekuentojë rregullisht skuadrën e parë të Barcelonës, në vjeshtën e vitit 2004, peshorja e El Classicos është zhvendosur. Në këta 11 vite, Barça e Leo Messit ka fituar 24 tituj, Reali i Madridit vetëm 10. Në nivel Champions’, kryeqytetasit kryesonin me një avantazh dërrmues 9-1, dhe sot, vetëm 11 vjet më vonë, jemi në një 10-5 më dinjitoz.

Sa i përket kampionateve, kanë fituar 7 katalanasit, kundrejt 3 të Realit. Nga 29-16, tashmë jemi 32-23. Dhe në fakt, Cristiano Ronaldo i ka shfaqur të gjithë humorin e keq presidentit Florentino Perez disa javë më parë, duke u nisur pikërisht nga kjo shifër: portugezi, në gjashtë vitet e tij në Spanjë, ka shënuar 225 gola në La Liga, dhe e ka ngritur vetëm një herë trofeun. Leo Messi, me pak gola më shumë, 232, ka fituar 4 kampionate.

Para dhe pas Messit

Leo Messi po rishkruan historinë e futbollit, duke marrë me vete gjithë një seri rekordesh, që më parë u përkisnin futbollistëve të ndryshëm (pothuajse të gjithë emra të mëdhenj), dhe pa dyshim që ka rishkruar edhe kapitujt që i përkasin Spanjës. Impakti i tij në këta 11 vite ka qenë monstruoz. Kur nuk ka mbushur ende 28 vjeç, Leo ka shtënë në dorë tashmë 4 Champions’. Në realitet, medaljet duhet të jenë vetëm tre, sepse atë të fitores në vitin 2006 në Paris, Leo nuk donte as ta merrte. Ishte dëmtuar në çerekfinale përballë Chelseat, dukej se e kish rimarrë veten, por Frank Rijkaardi nuk e grumbulloi fare. Një prej zhgënjimeve më të mëdhenj të karrierës së tij. Më pas finalet kundër Manchester United në 2009 dhe 2011, të dyja të shenjuara prej golave të tij, dhe e ajo e të shtunës në Berlin kundër Juventusit, pa shënuar vetë, por duke bërë gjithësesi një ndeshje të madhe. Messi ka ende shumë vite për të provuar dhe arritur rekordin e Gentos, që mes viteve 1956 dhe 1966 me Realin e Madridit, fitoi 6 Kupa Kampionesh. I duhen edhe dy.

ZHVENDOSJA VENDIMTARE

“Me Juven vuajtëm, por më pas u shfaq Leo, edhe një herë. Barça sensacionale, Messi brutal”, ka thënë Xavi. Krejtësisht dakord. Argjentinasi kish qenë vendimtar në ndeshjen e parë kundër Bajernit të Mynihut, 0-0 deri në minutën 77, atëherë kur Leo Messi vendosi që gjërat duhet të shkonin në një tjetër drejtim. Apo finalen e Kupës së Mbretit, e cila nisi nën agresivitetin e Atletik, por që u vendos pikërisht nga Leo. Në krahasim me një vit më parë, Messi është dobësuar, është më në formë: falë doktor Poserit. Ka rigjetur aftësitë shpërthyese, forcën dhe stimujt. Tani synon Topin e Artë Nr.5 me një skenë të rëndësishme, Kupën e Amerikës, që nis të enjten. NDërkohë ka mbyllur sezonin me klubin, me 58 gola dhe 27 asiste, sepse rikthimi i tij në krahun e djathtë, vendosour bashkërisht nga futbollistët dhe stafi teknik, nuk e ka reduktuar ndikimin e tij sa u përket golave, por ka rritur atë të mbështetjes për skuadrën. Leo është rikthyer në origjinë, Barcelona ka fituar një tjetër tripletë. E dyta në historinë e saj, të dyja në epokën Messi. “Mes que un jugador”, mund të thuhet, duke perifrazuar sloganin e klubit.

Gazzetta dello Sport – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button