Sport

Lot e abazhurë të thyer, ja festa e çmendur e lojtarëve kuqezinj

Screen Shot 2015-10-12 at 09.38.06

Lot gëzimi, përqafime dhe në fund festë e çmendur. Lojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë përjetuar dje mbrëmjen më speciale dhe pa dyshim nuk kanë munguar as shfrenimet e kuqezinjve.

Ajo që tërhoqi vëmendjen menjëherë pas ndeshjes ishte përqafimi i De Biazit dhe më pas puthja miqësore që i bëri asistentit të tij, Tramexanit. Si për t’i thënë krahut të tij të djathë se “Ia dolëm. Meritë ke edhe ti!”. Por në fakt festa nuk nisi aty. Nisi pak minuta para se të binte bilbili, kur presidenti i FSHF—së, Duka, sekretari Shulku dhe zv.presidenti Nuri zbritën në fushë.

LOTËT

Nuri nisi të qajë pa u mbyllur ndeshja. Kishte marrë me vete shampanjë dhe një Zot e di se si ia bëri të hynte në fushë me gjithë shishe, por ia doli. Duka sapo zbriti në fushë shkoi te pankina, por delegati i UEFA-s i kërkoi të largohej.

Duka i shpjegoi se ishte presidenti i FSHF-së dhe se mezi po përmbahej. Mezi arriti të bindte delegatin dhe në fund u spostua disi në cep. Sapo përfundoi ndeshja zyrtarët vërshuan në fushë.

De Biazi përqafoi Tramexanin, Cana shpërtheu në lot, ndërsa Lutfi Nuri e la shampanjën duke qarë me ngashërim nga gëzimi. Festë pa fund në fushë. Të gjithë përqafohen me njëri–tjetrin dhe më pas afrohen tek ata tifozë që kishin shkuar deri në Jerevan duke i përshëndetur përzemërsisht.

FESTA NË DHOMA

Sapo u futën në dhomat e zhveshjes nisi një festë ekzaltuese e kuqezinjve. Këngë patriotike dhe thirrja e famshme “kush s’kërcen nuk është shqiptar oe!”.

Lojtarëve armenë dhe stafit të tyre nuk u bëri përshtypje kjo, ndërsa delegati i UEFA-s ka qenë i alarmuar se mos ky gëzim i pamatë mund të merrej si provokim nga vendësit dhe mund të pasonte me incidente. Por në fakt, asgjë nuk ndodhi. Skuadra iu drejtua menjëherë autobusit.

KTHESA NË FUSHË

Kur disa lojtarë nisën të hipnin në autobus, dikujt i shkoi në mendje që të ktheheshin në fushë dhe të bënin një foto me qeleshe. Kështu u bë, të gjithë në rresht me vrull për në fushë. Të gjithë duke u përpjekur të gjenin qeleshe.

Pas fotos, ku të pranishëm ishin edhe gazetarë e tifozë të thjeshtë, nisi sërish festa për në autobus. Pa dalë mirë nga fusha disa nga lojtarët e Shqipërisë shkuan të grisnin rrjetën e portës ku u shënuan dy golat e parë dhe ta merrnin me vete, por nuk u lejuan nga vendësit.

BORIA E AUTOBUSIT

Sapo hipën të gjithë në autobusin që do t’i çonte në hotel, Bulku iu afrua shoferit dhe vuri dorën te boria. Në fillim shoferi është hutuar dhe është trembur pak, por më pas e ka lejuar që deri te hoteli boria të qëndronte takuar dhe të tërhiqte vëmendjen e të gjithë atyre që shkëmbeheshin me autobusin e kuqezinjve.

ABAZHURË TË THYER

Fati i keq e deshi që pronari i hotelit të kishte përzgjedhur disa abazhurë në formë topash që ngjanin si topa bore. Aty lojtarët nuk janë përmbajtur dhe i kanë shkulur abazhurët duke nisur të luajnë me njëri–tjetrin si në një lojë fëmijësh në dëborë. Bulku, Lila dhe Tramexani kanë qenë më të papërmbajturit duke shkaktuar hera-herës dhe ilaritet.

DITËLINDJA E AGOLLIT

Në orën 23:55 me orën lokale në Armeni (21:55) me orën tonë, skuadra i ka bërë surprizë Ansi Agollit që kishte ditëlindjen, duke i nxjerrë para një tortë. Ai ka fikur qirinjtë, ndërkohë që më pas shokët e kanë “larë” me shampanjë. Aty nuk mund të mungonte zv.presidenti Lutfi Nuri që ka hedhur tufat me euro si në dasmë.

KOSTUMET E DE BIAZIT

Trajneri është ndërruar dy herë gjatë mbrëmjes së djeshme. Të dyja herët jo më shumë prej pijeve që i vërshuan mbi kokë, por sepse u djersit shumë nga festa dhe nga kërcimet që bënte me lojtarët kur nisnin të famshmet “kush s’kërcen nuk është shqiptar oe”!. Pas një feste të çmendur edhe në hotel, situata është qetësuar disi dhe lojtarët kanë nisur të zënë vende, duke shijuar edhe nga një gotë birrë.

Panorama Sport

Leave a Reply

Back to top button