Analiza

Lufta e Ftohtë 2.0, Videoloja

cold war 2.0DANIEL HENNINGER

Perëndimi nuk e humbi Ukrainën, një shtet i pavarur me 45 milionë banorë. Ai thjeshtë e la të ikë. Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, pas nisjes së trazirave në Ukrainën lindore “Shtëpia e Bardhë përsërit se nuk ka në plan të japë asistencë letale për të ndihmuar Ukrainën të vetëmbrohet”. Megjithatë, SHBA dërgoi ushqime të konservuar. Komentet e Jay Carneyt, sekretar për mediat i Shtëpisë së Bardhë ishin antiseptikë: “Qeveria ukrainase ka përgjegjësi të sigurojë ligjin dhe rendin”, tha ai. Sa shumë shkojnë  këto deklarata me faktin që, sidomos gjatë gjithë javës që kaloi, ndjekësit e meshave në Kisha në të gjithë botën kanë dëgjuar shumë për Ponc Pilatin.

Fakti që pasojat historike të një rinënshtrimi të Ukrainës nga Rusia tingëllojnë si abstraksion për presidentin aktual të SHBA, nuk përbën habi. Ambasadori amerikan në Rusi deri para disa kohësh, Michael McFaul e ka quajtur këtë konfrontim Lufta e Ftohtë 2.0.

Por kjo kërkon të kuptosh se çfarë ishte Lufta e Ftohtë 1.0.

Kur tanket e Bashkimit Sovjetik hynë në Hungari në vitin 1956, Barak Obama nuk kishte lindur ende. Ai ishte vetëm shtatë vjeç kur sovjetikët pushtuan Pragën në vitin 1968.

Nuk është i vetëm. Në Europën Perëndimore dhe në SHBA, Lufta e Ftohtë, që zgjati nga 1947 deri në 1991, nuk mësohet në shkolla. Eshtë thjeshtë një frazë për shumicën e të rinjve dhe një kujtim që sa vjen e zbehet për të tjerët. Intelektualët në Amerikë dhe në Europën Perëndimore shpesh herë e zvogëlojnë rëndësinë e Luftës së Ftohtë. Ata thonë se ajo nuk pati shumë rëndësi, se Bashkimi Sovjetik po vetëdobësohej. Një numër jo i vogël prej këtyre mendimtarëve ndien një gjysmë keqardhje kur panë që ky “eksperiment i dështuar” në barazinë e të ardhurave dështoi.

Tani, po këta arbitra të historisë, po thonë se konflikti në Ukrainë ndodh për faj të Perëndimit, përsëri. Ajo që shtyu Putinin drejt Gjeorgjisë, Krimesë dhe Ukrainës ishte plaga e panevojshme historike që Perëndimi u shkaktoi interesave rudimentarë të Rusisë, duke zgjeruar anëtarësinë e NATO-s në lindje.

Le të shohim çfarë do të thotë fraza “zgjerim i anëtarësisë së NATO-s”. Në vitin 1999, Polonia, Hungaria dhe Republika Ceke hynë në NATO. Në vitin 2004, u erdhi radha Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Bullgarisë, Sllovakisë dhe Rumanisë. Lista është plot me domethënie historike. Janë kombet që Winston Churchilli i quajti në vitin 1946 “vendet e Perdes së Hekurt”. Të gjithë ishin komunistë, të gjithë brenda sferës së influencës të Bashkimit Sovjetik. Po të përpiqeshe të largoheshe nga një vend i prapa Perdes së Hekurt, ose të burgosnin, ose të vrisnin. Mund të jetë që Lufta e Ftohtë 1.0 ishte kryesisht një tension i vazhdueshëm mes SHBA dhe BS, por për dhjetëra miliona njerëz që jetonin në Europën Lindore dhe Qendrore, ishin 50 vite paranojë, burgosje, karriera të shkatërruara, kompromise moralë dhe përulje e përditshme ndaj Bashkimit Sovjetik, pra Rusisë. Kurdo që dëgjoni t’ju thonë se Perëndimi u tregua shpërfillës ndaj interesave “historikë” të Putinit në Ukrainë, do të bënit mirë të lexonit “Arkipelagun e Gulagut” të Aleksandër Solzhenicinit dhe “Fuqia e të pafuqishmëve” të Vaslav Havelit.

Diktatorët që sundonin të ashtuquajturit vende të bllokut lindor për sovjetikët kishin emra si Caushesku, Honeker, Jaruzelski dhe Kadar. Dukej sikur ata do të sundonin përgjithmonë prapa Perdes së Hekurt, sepse Ushtria e Kuqe ishte aty, gati për t’i mbështetur. Më pas, në vitet 1970, u zhvillua një opozitë e brendshme dhe e vendosur. Ata kishin emra si Havel, Valesa dhe Vojtila. Karol Vojtila u bë Papa Gjon Pali II, i quajtur “Papa polak” sepse ai luftoi atje kundër shoqërisë jo të lirë që projektonin paraardhësit e Vladimir Putinit.

Tani, beteja për Ukrainën po përfundon me asgjë më shumë se një gogësimë në Uashington, Londër, Paris dhe ç’është më ironikja, në Berlinin që Lufta e Ftohtë e ndau më dysh. Në vitin 1947, Presidenti Harry Truman, një demokrat, urdhëroi kryerjen e furnizimeve me avionë nga ajri për Berlinin e izoluar dhe pushtuar nga sovjetikët. Ishte lëvizja që theu bllokadën. Askush nga ata që udhëheqin në Perëndim nuk do e bënte një gjë të tillë sot.

Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, vendet e Perdes së Hekurt zgjodhën demokracinë dhe u kthyen nga Perëndimi. Tani, 25 vjet më vonë, Vladimir Putini ka shkatërruar demokracinë në Rusi dhe po propozon në Ukrainë votime si të fshatit të Potemkinit, nën grykën e armëve.

Në fillim të këtij muaji, Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk tha: “Nëse ka një kufi të NATO-s që ka nevojë për kujdes, ky është kufiri lindor i Polonisë”. Ai e di që trysnia nga lindja do të vijë sërish, pas Ukrainës. Por, a ka një NATO? Putini e vë në dyshim. Perëndimi i pas Luftës së Ftohtë është i paudhëhequr nga presidenti i SHBA. Vladimir Putini beson se SHBA dhe Europa Perëndimore janë të populluara nga njerëz të vetëllastuar që as nuk i ngrenë sytë nga ekrani i një iPhone, për të parë që një komb i tërë po gëlltitet. Po, është Lufta e Ftohtë 2.0, Videoloja.

Leave a Reply

Back to top button