FilozofiMAIN

“Mendoj, pra jam”! Por çfarë ndodh kur ndalojmë së menduari?

Rene Descartes (1546-1650)

Kushdo që është pyetur ndonjëherë nëse ekziston apo jo, në fakt e ka përgjigjen të fshehur në vetë pyetjen. Vetë fakti që pyesim, që dyshojmë, që kërkojmë, është prova më e qartë e ekzistencës sonë.

Nëse nuk do të ekzistonim, nuk do të mund të pyesnim.

Është logjikë e pastër: për të menduar, duhet më parë të jesh.

Por, ja ku lind një dilemë tjetër. Nëse nuk po mendoj – nëse nuk po reflektoj, nuk po pyes, nuk po krijoj – a ekzistoj unë në të vërtetë?

René Descartes, filozofi francez që formuloi shprehjen e famshme “Cogito, ergo sum”, besonte se njeriu duhet të shkruajë vetëm për atë që e ka menduar vetë. Të përsërisësh mendimet e të tjerëve është si të jetosh në hijen e tyre, një ekzistencë që nuk të përket.

Tregojnë se një ditë, ndërsa Descartes po pinte diçka në një kafene pariziene, kamerieri e pyeti nëse dëshironte ëmbëlsirë. “Nuk mendoj,” – u përgjigj Descartes. “Atëherë, do të thotë se nuk ekziston?” – ia ktheu kamerieri. Një shaka e lehtë, por me një të vërtetë të thellë brenda.

E njëjta ide gjendet edhe te Jean Piaget, psikologu zviceran që studionte zhvillimin e mendimit te fëmijët. Ai thoshte se kur nuk mendon, nuk ke inteligjencë; je thjesht duke përsëritur atë që të tjerët kanë menduar para teje.

Në këtë kuptim, ekziston përmes të tjerëve, jo përmes vetes.

Të menduarit është një akt krijues, një angazhim aktiv me botën. Është momenti kur mendja nuk është më pasive, por kërkon zgjidhje, ndërton lidhje, krijon kuptime të reja. Vetëm atëherë mund të thuash me të drejtë: “Ekzistoj – jo sepse dikush tjetër më tha se ekzistoj, por sepse mendoj.”

Kjo nuk do të thotë se duhet të harrojmë gjithçka që kanë menduar të tjerët para nesh. Përkundrazi. Në rini duhet të lexojmë, të udhëtojmë, të takojmë njerëz të ndryshëm, të përjetojmë çdo gjë që mundemi – dhe mbi të gjitha, të reflektojmë. Sepse vetëm duke reflektuar mbi përvojat tona, fillojmë vërtet të “jemi”.

Vetëm atëherë mund të thuash: “Kam mësuar çfarë thotë shkenca, çfarë thotë feja, çfarë thotë arti – dhe tani mund të mendoj vetë. Mund të krijoj lidhje mes tyre.”

Atëherë lind njeriu që mendon.

Atëherë lind ekzistenca e vërtetë.

Sepse në fund të fundit, siç do të thoshte Descartes, nëse nuk mendon – nuk je. / bota.al

Back to top button