Your Life

Menopauza. Ja çfarë duhet të dijë çdo femër

Menopauza njihet ndryshe edhe si “ndryshim i jetës” së një femre. Ajo mbërrin vetëm kur një femër ka mungesë të ciklit menstrual për një vit. Menopauza vjen si pasojë e frenimit të prodhimit të hormoneve estrogjen dhe progesteron nga vezoret. Ky frenim dhe ulja pasuese e këtyre hormoneve në gjak vjen me një sërë ndryshimesh në trup. Simptomat më të shpeshta janë nxehtësia e tepërt, ndryshimet e humorit, pagjumësia dhe ndryshimet në rritjen dhe zhvillimin e flokëve. Njohja e këtij stadi të jetës e bën çdo femër më të aftë t’i përballojë më lehtë sfidat e menopauzës dhe të jetojë një jetë më të qetë dhe më të lumtur. Këto janë gjërat më thelbësore që duhet t’i dijë çdo femër:

  1. Mosha kur verifikohet menopauza

Mosha mesatare kur femrat hyjnë në menopauzë, është midis 45 dhe 55 vjeçëve. Edhe pse mendohet se pak a shumë mosha e menopauzës është e përcaktuar gjenetikisht, faktorë të tjerë si duhanpirja, stili i jetesës, aktiviteti fizik, dieta ose kemioterapia mund të ndikojnë në afrimin e moshës së menopauzës.

  1. Menopauza prekoke

Ekspertët e konsiderojnë mendopauzën përpara moshës 40 vjeçare si menopauzë prekoke. Faktorët që kontribuojnë në mendopauzën prekoke mendohet se janë faktorët gjenetikë, por edhe ato shëndetësorë, si një tiroide jonormale apo një sëmundje reumatizmale, siç është lupusi.
Kemioterapia dhe rrezatimet radiologjike mund t’i dëmtojnë vezoret dhe të çojnë në një menopauzë prekoke. Edhe femrat që kanë bërë ovarektomi (heqje të vezoreve) për arsye shëndetësore, janë më të rrezikuara të hyjnë më shpejt në menopauzë. Duhanpirja është një tjetër faktor i menopauzës prekoke.

  1. Premenopauza nuk është menopauzë.

Nuk duhet ta ngatërroni premenopauzën me menopauzën. Janë dy gjëra të ndryshme. Premenopauza i referohet kohës përpara menopauzës. Gjatë saj trupi përgatitet për të hyrë në menopauzë duke prodhuar gjithmonë e më pak estrogjen dhe progesteron. Si pasojë e një ndryshimi të tillë hormonal, cikli menstrual bëhet gjithmonë e më i çregullt, por pa u ndalur plotësisht. Në të njëjtën kohë një femër ndjen edhe nxehtësi të shtuar në trup, shtim në peshë, rritje të frekuencës kardiake, pagjumësi, djersitje gjatë natës, ankth, ndryshime të shpeshta të humorit dhe depresion.

  1. Ndryshimet e temperaturës së trupit janë të shpeshta.

Është simptoma më e shpeshtë e menopauzës. Rreth 75% e femrave në këtë fazë të jetës ndiejnë nxehtësi të shtuar trupore. Gjatë shtimit të nxehtësisë prej një “loje” vazomotore, një femër ndjen shtim të frekuencës kardiake me palpitacione, shtim të djersitjes dhe marrje mendsh. Kjo nxehtësi trupore mund të ndihet në çdo moment, por më tepër gjatë natës. Çon në probleme të shumta shëndetësore, si dhe në shqetësime gjatë gjumit. Për ta reduktuar këtë pasojë të menopauzës, femrat duhet të konsumojnë sa më pak alkool apo kafe, të mos konsumojnë ushqime pikante, të reduktojnë nivelet e stresit, si dhe të vishen hollë apo të qëndrojnë në vende të freskëta.

  1. Menopauza ndikon në shëndetin e kockave.

Sapo mbërrin në menopauzë, çdo femër duhet të nisë të kujdeset për kockat e veta. Ulja e nivelit të estrogjenit çon në ulje të densitetit kockor dhe në osteoporozë. Osteoporoza nga ana e saj çon në rritje të rrezikut për fraktura spontane, pa ndonjë traumë të rëndësishme, pikërisht për shkak të humbjes së densitetit kockor.
Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme të konsumohen ushqime me sasi të larta kalciumi që nga mosha 20 vjeçare. Mund të merret edhe vitaminë D, si dhe bifosfonate, por gjithmonë nën këshillimin e një mjeku.

  1. Menopauza shton riskun për sëmundjet e zemrës.

Estrogjeni ka efekt mbrojtës për statusin e brendshëm të paretit arterial, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fleksibilitetin e vazave të gjakut. Kjo nënkupton relaksimin më të mirë të tyre. Ulja e tij çon në uljen e një aftësie të tillë duke dhënë patologji të sistemit kardiovaskular. Një studim ka treguar se gjatë menopauzës ulet HDL-kolesteroli dhe shtohet LDL-kolesteroli duke çuar në depozitime më të larta të yndyrës në paretet vaskulare dhe në zhvillim të aterosklerozës. Për ta mbajtur trupin në shëndet të mirë, femrat duhet të bëjnë kontroll të vazhdueshëm të peshës, të konsumojnë një dietë të ekuilibruar përditë, të bëjnë ushtrime fizike dhe të konsumin e alkoolit dhe duhanit.

Leave a Reply

Back to top button