Nunc est Bibendum

Mes llojesh… Syrah

Andi Qinami

IMG_0389As për varietete si cabernet a merlot, ‘’që shkojnë kudo e me këdo’’, e as për autoktonë shqiptarë si shesh a kallmet, pa përmendur të tjerë, nuk janë rreshtat që vijojnë, por për varietetin Syrah (ose Shiraz siç njihet ndryshe e që kujton qytetin Iranian me të njëjtin emër) që evokon jo pak kujtime lidhur me fillimet e asaj që me aq dëshirë pijmë në kupa. Diku në afërsi, të këtij qyteti, themeluar rreth 4000 vjet më parë si përmendet nga mbishkrimet në kuneiform të mijëvjeçarit të tretë para Krishtit, janë gjetur edhe shembujt më të hershëm të verës në botë, që datojnë rreth 7000 vjet më parë. Janë zbuluar pikërisht në enë të mëdha balte në formë qypash, në afërsi të qytetit me të njëjtin emër. Askush në fakt nuk arrin të pohojë se bëhej fjalë pikërisht për këtë varietet, ose më saktë për verë të prodhuar prej tij. Por meqë këndi ynë ‘’Nunc est bibendum’’ do të shërbejë shpresueshmërisht si një dritare e vogël mbi verëtarinë shqiptare dhe atë botërore, na pëlqen të dallojmë propedeuticitet mes kësaj historie dhe asaj që vijon. E më tej akoma, të tjera histori mbi rrushe e verëra do të ndjekin.

Syrah (ose Shiraz) është një nga varietetet më fisnikë të rrushit të zi dhe me të vlerësuar nga ampelografët (ata që studiojnë, identifikojnë e klasifikojnë varietetet e rrushit). Origjina e tij mbetet e diskutueshme, por ka shumë gjasa të ketë rrjedhur nga një paraardhës i lashtë persian, i ardhur në Evropë me kryqtarët. Megjithëse i kultivuar gjerësisht kudo në botë, atdheu i tij i përzgjedhur është aktualisht pjesa veriore e Luginës së lumit Ron në Francën Juglindore. (Rhône). Zona të tjera të konsideruara pak jashtë konteksti, janë Côte-Rôtie dhe më në jug, Hermitage. Sipas legjendës tamam këtu, në kodrën e Hermitage-it, Kavalieri Templar (i urdhrit të priftërinjve luftëtarë, njohur si Kalorësit e Tempullit) Henri Gaspard de Sterinberg, në shekullin e trembëdhjetë, i sapokthyer nga Kryqëzata, mbolli disa fidanë Syrah-u.

Është e pakundërshtueshme se kjo kodër graniti jep Syrah-un më të mirë në mbarë botën. Côte-Rôtie është e ndarë në dy kodra, Côte blonde dhe Cote brune, e para me një shtresë të silici, graniti dhe guri gëlqeror që rezulton në verëra elegante dhe të rafinuara, e dyta me një terren me granit dhe rërë, e aftë për të ofruar verë më të fuqishme e me më shumë tanine.

Edhe Australia e largët ka rezultuar koherente për sa i përket rezultateve, madje prodhime të shkëlqyera të këtij rrushi mund gjehen sot atje tej, mbi të gjitha në Barossa Valley. Vera e famshme australiane, Grange e Penfolds, bën pjesë në rrethin e ngushtë të të kuqeve më të mira të të gjithë planetit. Në rajonin italian të Toskana-s, është zona e Cortona-s, ajo që mbahet për rezultatet më të mira.

IMG_0387Varieteti karakterizohet nga një rezistencë e mirë ndaj sëmundjeve që kërcënojnë rrushin, një cikël vegjetativ të rregullt dhe pjekje jo të vonshme. Kokrrat jashtëzakonisht të pasura me ekstrakte, kanë një përmbajtje shumë të lartë fenolesh.

Vera e përftuar nga varieteti syrah ka një ngjyrë intensive, shpesh rubin në vjollcë, për shkak të ngarkesës së madhe me antocianin (ngjyrues tipik i pranishëm në fruta, që jep ngjyra nga e kuqja në blu në varësi të ph) të këtij rrushi. Ka aroma frutash dhe erëzash e në rastet më të mira, kombinon finesën me një strukturë të fuqishme. Po ashtu, ka mjaftueshëm butësi dhe tanine të dendura.

Nuk kam hasur prodhues shqiptarë që realizojnë verë nga ky varietet më vete, apo përzjerë me të tjerë, por mund të jetë një perspektivë, po të mendosh, se dikush ka gërshetuar tashmë në mënyrë origjinale e të arrirë varietete tipike shqiptare edhe me të tjerë lloje tepër interesante, si për shembull petit verdot.

Ndoshta një ditë edhe tek ne parcela të caktuara, do mund të mirëpresin, syrah/shiraz-in, me rezultate pozitive, por deri atëherë le të vazhdojmë së shijuari syrah-un që bëhet gjetkë, mjeshtërisht.IMG_0388

 

Leave a Reply

Back to top button