
Mesazhi i Trump: “Do të shkatërrojmë raketat e tyre, marinën e tyre, industrinë e tyre ushtarake”
Ky është teksti i plotë i fjalimit me të cilin Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, njoftoi nisjen e operacionit ushtarak kundër Iranit.
Pak çaste më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara ka nisur operacione të rëndësishme luftarake në Iran. Qëllimi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet më të rënda që vijnë nga regjimi iranian, një grup i pamëshirshëm njerëzish shumë të ashpër dhe të rrezikshëm. Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën. Për 47 vjet, regjimi iranian ka bërtitur “Vdekje Amerikës” dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke marrë në shënjestër Shtetet e Bashkuara, trupat tona dhe njerëz të pafajshëm në shumë vende.
Ndër aktet e para të regjimit ishte mbështetja për marrjen me dhunë të ambasadës amerikane në Teheran, duke mbajtur peng dhjetëra amerikanë për 444 ditë. Në vitin 1983, përfaqësues të Iranit kryen atentatin ndaj kazermës së marinsave në Bejrut, ku humbën jetën 241 ushtarakë amerikanë.
Lexo edhe: Kush është (dhe ku ndodhet) Khamenei, ajatollahu që nuk e ka lënë Iranin prej 1989-ës
Në vitin 2000 ata ishin në dijeni të sulmit ndaj USS Cole dhe ndoshta të përfshirë në të. Shumë njerëz vdiqën. Forcat iraniane kanë vrarë dhe gjymtuar qindra ushtarakë amerikanë në Irak. Në vitet e fundit, përfaqësuesit e regjimit kanë vazhduar të ndërmarrin sulme të panumërta kundër forcave amerikane të stacionuara në Lindjen e Mesme, si dhe kundër anijeve ushtarake dhe tregtare amerikane në rrugët ndërkombëtare të lundrimit. Ka qenë terror masiv dhe nuk do ta tolerojmë më.
Mesazhi i Trump: Regjimi ka armatosur, trajnuar dhe financuar milici terroriste
Nga Libani në Jemen, nga Siria në Irak, regjimi ka armatosur, trajnuar dhe financuar milici terroriste që kanë përmbytur tokën me gjak. Ishte Hamasi, përfaqësues i Iranit, ai që kreu sulmet monstruoze të 7 tetorit kundër Izraelit, duke masakruar më shumë se 1.000 persona të pafajshëm, përfshirë 46 amerikanë, dhe duke marrë peng 12 prej qytetarëve tanë. Ishte sulm brutal, diçka që bota nuk e kishte parë më parë.
Irani është sponsori kryesor i terrorizmit në botë dhe së fundmi ka vrarë dhjetëra mijëra qytetarë të vet në rrugë gjatë protestave.
Lexo edhe: SMS për sulm ndaj Iranit: “Trump është njeri i veprimit, prisni dhe do ta shihni”
Politika e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht e administratës sime, ka qenë gjithmonë të sigurojë që ky regjim terrorist të mos zotërojë kurrë një armë bërthamore. E përsëris: nuk do të kenë kurrë një armë bërthamore. Për këtë arsye, me operacionin “Midnight Hammer” qershorin e kaluar, ne shkatërruam programin bërthamor të regjimit në Fordow, Natanz dhe Isfahan. Pas atij sulmi, i paralajmëruam të mos rifillonin më kërkimin e tyre të lig për armë bërthamore dhe u përpoqëm vazhdimisht të arrinim një marrëveshje. U përpoqëm. Ndonjëherë donin ta bënin. Ndonjëherë jo. Nuk e dinin çfarë po ndodhte. Donin vetëm të bënin të keqen. Por Irani refuzoi, ashtu siç ka bërë për dekada me radhë. Refuzoi çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tij bërthamore dhe ne nuk mund ta tolerojmë më.
Në vend të kësaj, ata u përpoqën të rindërtonin programin e tyre bërthamor dhe të vazhdonin zhvillimin e raketave me rreze të gjatë, të cilat tani mund të kërcënojnë miqtë dhe aleatët tanë të dashur në Evropë, trupat tona jashtë vendit dhe së shpejti mund të arrijnë territorin amerikan. Imagjinoni sa i inkurajuar do të ishte ky regjim nëse do të kishte armë bërthamore për të përhapur mesazhin e tij.
Tre skenarët ushtarakë që mund të ndryshojnë Lindjen e Mesme
Për këto arsye, ushtria e Shteteve të Bashkuara po zhvillon një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të penguar këtë diktaturë radikale dhe të ligë të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona themelore të sigurisë kombëtare. Do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre raketore. Do të shkatërrojmë marinën e tyre. Do të sigurohemi që terroristët në rajon të mos destabilizojnë më rajonin apo botën dhe të mos sulmojnë më forcat tona të armatosura, e të mos përdorin më IED apo bomba rrugore për të plagosur dhe vrarë mijëra njerëz, përfshirë shumë amerikanë. Dhe do të sigurohemi që Irani të mos marrë një armë bërthamore. Është një mesazh shumë i thjeshtë: nuk do të kenë kurrë një armë bërthamore.
Lexo edhe: Trump është “kurioz” pse Irani ENDE nuk ka “kapitulluar”
Ky regjim do ta mësojë shpejt se askush nuk duhet të vërë në dyshim forcën dhe fuqinë e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara. Unë e ndërtova dhe rindërtova ushtrinë tonë gjatë administratës sime të parë dhe nuk ekziston në Tokë një ushtri që i afrohet fuqisë, forcës apo sofistikimit të saj.
Administrata ime ka marrë çdo masë të mundshme për të minimizuar rreziqet për personelin amerikan në rajon. Megjithatë, dhe nuk e them kollaj, regjimi iranian kërkon të vrasë. Jetët e heronjve të guximshëm amerikanë mund të humbasin dhe mund të kemi viktima. Kjo ndodh shpesh në luftë. Por nuk e bëjmë për të tashmen, e bëjmë për të ardhmen dhe është një mision fisnik. Lutemi për çdo ushtar që rrezikon jetën për të siguruar që amerikanët dhe fëmijët tanë të mos kërcënohen kurrë nga një Iran me armë bërthamore.
Anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, Forcave të Armatosura dhe gjithë policisë, u them sonte: duhet të ulni armët dhe do të gëzoni imunitet të plotë, përndryshe do të përballeni me vdekje të sigurt. Ulni armët. Do të trajtoheni me drejtësi dhe me imunitet të plotë, ose do të përballeni me vdekje të sigurt.
Së fundi, popullit të madh dhe krenar iranian, i them sonte: ora e lirisë suaj është afër. Qëndroni në streha. Mos dilni nga shtëpitë. Jashtë është shumë e rrezikshme. Bombat do të bien kudo. Kur të kemi përfunduar, merrni kontrollin e qeverisë suaj. Do të jetë në duart tuaja. Kjo mund të jetë mundësia juaj e vetme për breza me radhë. Për shumë vite keni kërkuar ndihmë nga Amerika, por nuk e keni marrë kurrë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm të bënte atë që jam i gatshëm të bëj unë sonte. Tani keni një president që ju jep atë që doni. Amerika ju mbështet me një forcë dërrmuese dhe shkatërruese.
Tani është koha të merrni në dorë fatin tuaj dhe të çlironi të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që është tashmë pranë. Është momenti për të vepruar. Mos e lini t’ju shpëtojë.
Zoti i bekoftë burrat dhe gratë e guximshme të Forcave të Armatosura amerikane. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Faleminderit. / bota.al
Lexo dhe: Izraeli dhe SHBA-të sulmojnë Iranin. Shpërthime në Teheran. Goditje pranë zyrave të Khameneit