Sport

Nacionalizëm i shëndetshëm (ose përse fitojmë 7 me 1)

Ermal Gjinaj

Ita 3“O sa mirë me ken shqiptar, o hej” ka një tingëllimë të ëmbël për shumë prej nesh, sidomos kur në mendje e shoqërojmë me vezullimin e ngjyrave kuqezi, netëve kur kombëtarja e Shqipërisë luan ndeshjet e futbollit. Eshtë një këngë nacionaliste padyshim, por e një nacionalizmi të shëndetshëm. Përkthejani fjalët një italiani, anglezi, gjermani apo kinezi po të doni (jo një serbi apo greku) dhe do të të thonë të njëjtën gjë. Sepse është një shprehje e krenarisë për përkatësinë etnike, e cila pasurohet pa fund me vlera nëse e vendos në kontekstin e historisë së vuajtur. Një këngë gëzimi, pra, që nuk bën thirrje për të rrëmbyer pushkë, shpata, cfurqe, stola, gurë e për t’iu turrur tjetrit.
Nacionalizëm, por i shëndetshëm.
“Vrite, prite, shqiptarë të mos ketë” ka një tingëllimë ogurzezë, që shkakton histeri për shumicën e serbëve, e cila, e kombinuar me alkoolin dhe ngjyrën e zezë që aq shumë u shkon për shtat, përbën një nacionalizëm të sëmurë. Në kufijtë e psikopatisë. Përkthejuani përmbajtjen e koreve që nuk pushuan për asnjë minutë që nga fillimi i ndeshjes në Beograd, sërish një italiani, anglezi, gjermani apo kinezi, dhe përvec shtangies që do u shaktonte përshkrimi i një realiteti që kanë dekada e deri shekuj që e kanë lënë pas, nuk do të hezitonin ta klasifikonin në skajet më ekstremë të cmendurisë që vetëm nacionalizmi i sëmurë mund ta shkaktojë.
Ideja brilante e një shqiptari që tashmë ka trokitur në dyert e famës, për të fluturuar me minihelikopter, duke valëvitur mbi kokat e 30 mijë serbëve të mbërthyer prej instikteve primitivë, simbolet e flamurit tonë kombëtar, bashkë me portretet e atit të kombit, Ismail Qemalit, dhe një prej patriotëve më të mëdhenj, Isa Boletinit, nuk ishte agresion ndaj askujt. Kombinimi i teknologjisë më të fundit me simbolet kombëtarë mu në mes të Beogradit, sigurisht që shkakton dhe ndez flakë debate për provokimin, por sërish mbetet në kufijtë e një nacionalizmi të shëndetshëm. Jo agresiv. Jo vrastar. Sepse agresion ndaj kujt ishte një poster gjigand e i pafajshëm që fluturonte lart në qiell?  Poshtë, në fushë, Tauland Xhaka dhe Andi Lila vrapuan drejt Mitrovicit, jo për ta sulmuar apo dhunuar. Panë që simboleve të kombit po u bëhej një trajtim i pahijshëm e deri përcmues nga mbrojtësi serb, dhe vrapuan ta marrin, ta palosin sic do i kishte hije cdo simboli kombëtar, edhe atij serb.
Impulset shtazarakë që ndezi ky episod, goditjet me shishe, me gurë, stola kokës, jo vetëm nga tifozët që mësynë në fushë pavarësisht pranisë së 4000 forcave policore, por edhe nga ata që për detyrë mbrëmjen e djeshme kishin patur ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, këta po, që vijnë e përmblidhen në një nacionalizëm të sëmurë. Pothuajse psikopati. Një psikopati që – e këtë na vjen mirë ta themi – u përkeqësua edhe prej faktit që për pak momente, 30 mijë njerëz të frustruar që ulërinin me sa kishin në kokë “vrite, prite, shqiptarë të mos ketë”, u ndjenë papritur, krejt të pafuqishëm përballë simbolit (për ata një makth) që fluturonte lirshëm mbi qiellin e Beogradit, pa i bërë dëm askujt, por edhe pa u dëmtuar prej askujt. Eshtë e vërtetë që nacionalizmi i tyre i ka bërë të gdhihen dhe të ngrysen me historinë, dhe pafuqia që përjetuan për ata pak momente përballë simbolit fluturak të shqiptarëve, u solli para syve pikërisht historinë e mbushur me humbje e zhgënjime. Humbje që, në shumicën dërrmuese të rasteve, ua ka shkaktuar po ky nacionalizëm i sëmurë.
Sot nuk e themi dot me siguri se cili do të jetë vendimi që do të marrë UEFA në ditët që do të vijnë. Sa peshë do i japë fluturimit të telekomanduar të një flamuri të pafajshëm mbi stadium. Sa rëndësi do t’i kushtojë faktit që, Federata Shqiptare e Futbollit ua miratoi kërkesën autoriteteve serbe për të mos patur asnjë tifoz shqiptar në stadium, gjë që na zhvesh automatikisht nga cfarëdolloj përgjegjësie për mbarëvajtjen e asaj që duhej të ishte një ndeshje futbolli, dhe jo një arenë për shfryrjen e të gjithë frustrimeve të akumuluar të 30 mijë nacionalistëve të sëmurë. Sa do e raportoje delegati i UEFA-s, bashkëpatriot i trainerit të Serbisë, faktin që fusha u dhunua prej tifozëve, që goditën futbollistët shqiptarë me mjete që në ndeshje të niveleve të tillë, nuk janë parë ndonjëherë, përvecse në vendet më të prapambetur të Afrikës. Dhe sidomos, a do të kujtohet që, katër vjet më parë, po këta tifozë, të udhëhequr nga po i njëjti bandit që dje orkestronte një pjesë të mirë të akteve të dhunës, shkaktuan terror mu në mes të Italisë. Atëherë kur morën një dënim të rëndë, e që nuk lanë pa e shoqëruar me paralajmërimin që, nëse ngjarjet do të përsëriteshin, pikërisht si ndodhi dje, masat do të ishin drastike.
Sigurisht, janë vendime që do t’i marrin komisionet respektivë. Të cilët, nëse do të tregohen objektivë për të gjithë faktet e sipërpërmendur, bashkë me të tjerë që kanë ndodhur në tunele dhe në dhomat e zhveshjes, nuk kanë rrugë tjetër përvecse t’ia japin ndeshjen në tavolinë kombëtares shqiptare dhe një dënim ekzemplar kombëtares së Serbisë.
Nëse ndodh kështu, Shqipëria do të jetë në krye të klasifikimit me 7 pikë, ndërsa Serbia do të jetë në fund të klasifikimit me 1 pikë. Përtej dimensionit sportiv, që padyshim do të na gëzonte dhe krenonte të gjithëve, nëse do t’ia përshtasnim edhe ndeshjes tjetër që pamë dje, asaj mes nacionalizmave, atij të sëmurë të pritësve dhe atij të shëndetshëm të mysafirëve, 1:7 padyshim që do të ishte rezultati i drejtë.
www.bota.al

NACIONALIZEM: Besnikeri dhe devotshmeri ndaj kombit tend. Nje ndjesi vetedije kombetare, qe larteson nje komb mbi gjithe te tjeret dhe qe vendos theksin ne promovimin e kultures dhe interesave te tij, perkunder atyre te kombeve te tjere

bel 6

Leave a Reply

Back to top button