Sport

Do mbetet vetëm njëri. Neymar&Messi, kush është më Fenomeni?

neymar messiShokë skuadre dhe magjish, po tërheqin Brazilin dhe Argjentinën drejt takimit të 13 korrikut. Në finale

Paolo Condo

Kjo është një histori më e ndërlikuar nga sa duket, që ka një datë fillimi të saktë, 18 shtatorin 2011 dhe një datë mbarimi në varësi të ngjarjeve, por që vështirë se do të jetë larg. Eshtë historia e marrëdhënies mes kampionit më të madh të kësaj epoke, argjentinasit sot 27-vjeçar Leo Messi, dhe djaloshit që me sa duket është i destinuar ta pasojë, brazilianit 22-vjeçar Neymar. Në fundin e fazës së grupeve të Botërorit, të dy udhëheqin (bashkë me gjermanin Mueller) klasifikimin e golashënuesve me katër gola, por mbi të gjitha udhëheqin skuadrat e tyre, Argjentinën dhe Brazilin, nga lartësia e një lidershipi kaq të qartë e të gjithëpranuar, sa që të na kujtojë më të mëdhenjtë e historisë së sporteve me skuadra, dhe jo vetëm futbollit (Michael Jordan dhe Chicago, Jonah Lomu dhe All Blacks, e natyrisht Maradona e Pele). Të ndarë nga një ndryshim i limituar në moshë – pesë vjet nuk janë pak, por nuk janë as shumë – të dy mendohet të kenë një takim të fiksuar për në 13 korrik, në finalen e Botërorit në Maracana, dhe kushedi sa takime të tjerë në vijim. Janë të dy ende shumë të rinj. Ka vetëm një anomali të vogël, në këtë rivalitet spektakolar: Messi dhe Neymar luajnë në të njëjtin klub. Djaloshi i Yokohamës Në 18 dhjetor 2011, Barcelona e Pep Guardiolës zhvillon për herë të fundit një ndeshje për t’u ruajtur në kinotekë (absolutisht një prej më të bukurave të katërvjeçarit, bashkë me manitën ndaj Realit dhe finalen e Champions në Uembli): finalen e Botërorit të klubeve në Yokohama, kundër kampionëve të Amerikës së Jugut, Santosit. Përfundon “vetëm” 4-0 sepse në pjesën e dytë Barcelona ngadalëson ritmin, pas një shfaqjeje të përsosur në pjesën e parë që, mes të tjerash lë të magjepsur futbollistin më të mirë të Santosit. Neymarin. Në fund të ndeshjes do të thoshte: “Barcelona është skuadra më e mirë në botë, mendoj që nuk e mund dot askush. Eshtë një skuadër fantastike, me lojtarë të jashtëzakonshëm, ambiciet tona ishin thjeshtë iluzione”. Jo vetëm kaq: i kërkon autograf dhe shkëmbim fanelash Leo Messit. Në moshën 19 vjeç, për talentin e tij flasin të gjithë, por në shenjë respekti dhe për shkak të një karakteri të ëmbël dhe ende foshnjor, ajo që i del më natyrshëm atë natë është që të shfaqet si admirues. Dhe ndjenjat e tij kundrejt Leos nuk kanë ndryshuar: tre ditë më pare Messi kishte ditëlindjen, dhe Neymar i postoi në Twitter urimet e tij: “Je idhulli im”. Një frazë që flet shumë. Blerja misterioze Megjithatë, në ditët e Yokohamës nuk ishte vetëm Botërori i klubeve. Sandro Rosell, president i Barcelonës me lidhje të forta në Brazil, mbyll një marrëveshje për të sjellë Neymarin në Barcelonë në vitin 2013: përtej faktit që ajo kontratë, shumë më e vështirë nga sa është bërë e ditur dhe plot me klauzola të fshehura, do ta shtynte të jepte dorëheqjen, është interesante të pyesim përse Roselli, i cili ka në skuadër futbollistin më të mirë në botë dhe që nuk ka fare në mendje të ndërrojë klub, boshatis buxhetin e klubit për një kampion të vogël që në shumë drejtime është i ngjashëm. Për të mos lejuar që të shkojë tek Reali i Madridit, është përgjigja e parë që të vjen në mendje, me siguri vetëm pjesërisht e vërtetë. Për të shitur Messin pas një apo dy vitesh, është e dyta, dhe sado që të duket e pabesueshme, duket se është më e sakta: bilanci i Barcelonës nuk është shumë mirë, 250 milionët e klauzolës që ndonjë sheik mund të ishte i gatshëm t’i paguante, do ta shëndoshnin buxhetin. Fati i botërorit Kanë rrjedhur shumë ujëra që nga ajo kohë: pas shpërthimit të skandalit, Roselli ia la vendin Bartomeut, i cili sapo ia ka rritur kontratën Messit duke e kënaqur në çdo kapriçio të tijën, dhe që të fshijë çdo lloj dyshimi se Neymarin fiton më shumë se ai. Nëse sot i shohim të dominojnë Botërorin me lojëra fantastike dhe një ton atletik në rritje (në qershor!), kjo ndodh sepse gjatë sezonit nuk janë stërmunduar aspak, siç e tregon edhe viti i tmerrshëm i Barcelonës. Messi u dëmtua në fillim të nëntorit, shkoi të shërohet në Argjentinë dhe aty ribëri edhe një herë përgatitjen verore. Neymari qëndroi me disiplinë në skaje, i shqetësuar nga njëra anë që të pranohej nga shokët, dhe nga ana tjetër të ruante energjitë për një Botëror që për të, më shumë se këdo tjetër, është një takim me fatin. Jo, nuk është e vërtetë. Jo për këdo tjetër. Nëse Neymari duhet të udhëheqë Brazilin në shtëpinë e tij – përgjegjësi e madhe – Messi është në Botërorin e tij të tretë, pas dy dështimesh, në gjendjen më të mirë të mundshme, për të hequr më në fund “por”-ët dhe “megjithatë”-të nga krahasimet me Pelenë apo Maradonën. Nuk mund të gabojë njëri, nuk mund të gabojë as tjetri. Janë më të fortët, por në fund do të mbetet vetëm njëri (gjithmonë nëse nuk futen të tjerë në mes). E ardhme e vështirë Cfarë do të ndodhë nga gushti në Barcelonë? Si mund të bashkëjetojnë dy fuoriklasë që pretendojnë të kenë topin në këmbë në çdo aksion? Si do të reagojë i munduri (mbi të gjitha nëse do të jetë Messi) ndaj lavdisë së sapofituar të shokut? Janë pyetje normale, sepse secili prej lojtarëve më të mirë të botës duhet të jetë lider i një skuadre, si Ronaldo apo si Ibrahimoviç… /gazzetta.it/

Leave a Reply

Back to top button