Sport

Nga eksodi në Tokën e Premtuar, tek “pushtimi” i Francës. Krenaria e shqiptarëve shkëlqen falë futbollit

Screen Shot 2016-06-15 at 15.41.05Fillippo Conticello

Gazzetta dello Sport

Në stadiumin e vjetër të katandisur në një lager mungonte ushqimi dhe ajri, por jo shpresa: njerëz të lënduar ëndërronin Italinë, Europën, dhe tani që e kanë arritur mund të kthejnë kokën pas. Shqipëria e De Biiasit sot sfidon francezët pa frikë: për tifozët e shumtë përreth nesh, është koha e krenarisë. Por edhe e kujtimeve: jetojmë në 25-vjetorin e fillimit të emigrimit të shqiptarëve drejt Italisë. Në atë verë të vitit 1991, dëshira për liri ishte më e fuqishme se sa frika nga automatikët: anije të stërmbushura me qenie njerëzore mbërritën në Pulia, por në zemrën e të gjithëve ka mbetur ajo që zbarkoi në Bari në 8 gusht. Anija “Vlora”, e prodhuar në vitet gjashtëdhjetë, është plot e përplot, deri në mbytje. 20 mijë vetë ëndërronin Tokën e PRemtuar, por përfunduan të burgosur në Stadiumin e Fitores. Deri një vit më herët, atje luante skuadra e Mattareses: një fushë futbolli e katandisur në një kamp përqëndrimi.

Bluza e kuqe

Me mbylljen e dyerve, impianti u rrethua për ditë të tëra dhe ata më të dhunshmit, mbajtën si pengje familjet paqësore.

Një 24-vjeçare e sapodiplomuar në Ekonomi gjeti një varkë për të ikur dhe bashkë me të shoqin zbuloi qytetin e saj të ardhshëm: “U kapëm në një litar vetëm e vetëm që të hipnim në atë anije në Durrës, dhe në Bari u gjendëm të vetëm, pa patur asgjë”, rrëfen Eva Karafili. Më pas erdhi mikpritja e një gruaje bareze, një prej të paktave pa paragjykime, punët e para si klandestine dhe dinjiteti i rinërtuar copë pas cope. Prej vitesh është përkthyese dhe kujdestare dhe do të rikthehet të veshë bluzën kuqezi. “E veshim të gjithë në familje, edhe qeni: ky nuk është futboll, por i jep një kuptim asaj tragjedie”, shton e prekur.

Në anijen Vlora ishte edhe balerini i talentuar, që më pas u shndërrua në një hero për bashkëkombasit e tij. “Për fat janë kohë të largëta dhe jemi rritur të gjithë – thotë Kledi Kadiu, ish ylli i emisionit Amici. Tani përulemi para flamurit dhe ëndërrojmë që të mundim francezët”. A do të jetë dakord bashkëshortja e tij, Charlotte, kërcimtare në Lion?

Bearzot

Dhjetëra-mijëra disa muaj më herët edhe në Brindizi: erdhën të dëshpëruar dhe sot shkojnë në Shqipëri si turistë. Si italianë. Erion korani ishte një ushtarak 18 vjeçar dhe ndonëse nuk qëlloi mbi vëllezërit, mori pjesë në eksodin e parë biblik: “Me të mbërritur u hodhëm në ujë, përreth meje pashë kufoma, jam me fat që jam gjallë”. Grupi i tij u dërgua në Trentino, ku hodhi rrënjë edhe falë një topi: “Një ditë, disa të rinj italianë donin të luanin, u dëfryem, dhe kuptuan që jemi njësoj”. Sot punon në komunë në Riva del Garda, në Trento, me një siguri më shumë: “Mjaft me turpërimin, futbolli na thotë që jemi vërtetë europianë”.

Ndërkohë në Milano ka gjetur ishullin e tij Astrit Cela: është i angazhuar në Dhomën e Tregtisë, por dikur rrezikonte lëkurën njësoj si Korani. Në Shqipëri jepte mësim frëngjishten edhe pse gjuha që ka për zemër është një tjetër: “ Kam mësuar italishten me Bruno Pizzul dhe emisionin 90simo minuto”. Tek përshkoja detin imagjinoja Juven dhe të kaltërit”. Në Itali ka sjellë dëshirën për të shkuar përtej një nofke fituese. “Ngahera kam qenë Bearzot sepse i thërras miqtë e mi si kampionët e botës: Rossi, Cabrini, Tardelli…”.

Edhe ai ka fituar dy siguri, pas vitesh me vuajtje: “Eshtë bukur të jesh shqiptar dhe kemi trainerin më të mirë në botë”. De Biasi nuk ka nevojë për këshilla, as nga Bearzot. /Gazzetta dello Sport – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button