Shkence

Një qasje origjinale ndaj kërkimit shkencor në Shqipëri

Nga Andi Qinami

poster banerKërkimi shkencor konsiderohet botërisht si një nga veprimtaritë njerëzore më të besueshme. Mbështetja financiare vjen si nga fonde qeveritare ashtu edhe nga fondacione, manjatë a sovranë të fuqishëm ekonomikisht, por sidoqoftë për pjesën më të madhe, nga paratë publike. Në vende të vogla e jo të pasura, sigurimi i këtyre fondeve është sfidë më vete, por duket se vullneti i mirë nuk mungon e shembuj për t’u ndjekur ka, herë-herë edhe në vendin tonë. E tillë ka qenë edhe Konferenca ndërkombëtare me titull “Kufinjtë e rinj në Teknologjinë e Nano-materialeve për aplikime në Biologji dhe Mjekësi”, mbajtur në datat 10 dhe 11 korrik, në sallën e Senatit pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës.Ky aktivitet, u organizua në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës.

Konferenca kishte për nismëtare kërkuesit shkencorë shqiptarë, Dr. Dritan Siliqin dhe Prof. Arben Merkoçin.

Doktor Siliqi vjen nga Istituti i Kristalografisë në Bari, ku drejton laboratorin e bio-kristalizimit. Kjo strukturëështë pjese e entit të quajtur Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Shkencore (CNR, autoriteti më i larte kombëtar në fushën e kërkimeve shkencore në Itali), ndërsa Profesor Merkoçi ështëanëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor ICREA, dhe drejtor i grupit të Nanobioelektronikës dhe Biosensorëve, pjesë e Qendrës Kërkimore ICN2 – ndërkombëtarisht një nga më të rëndësishmet e sektorit – në Barcelonë, Spanjë.

Të dy jemi diplomuar në degën e Kimisë Industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pak a shumë në të njëjtën kohë, unë në vitin 1985 ndërsa Arbeni një vit pas meje – thote Dr Siliqi, përgjate dy fjalëve shkëmbyer me të, si ideatori dhe ai që besoi që në fillim në dobinë e këtij aktiviteti. Kjo bisedë shërbeu për të kuptuar më mirë shpirtin që e karakterizoi dhe rezultatet e kësaj Konference.

Sa punime shkencore u paraqitën në këtë aktivitet?

Në konference morën pjesë, si lektorë, 13 kërkues shkencore (përfshirë edhe 2 nismëtarët) nga Italia, Spanja, Arabia Saudite, si dhe gjashtë kërkues shkencorë shqiptarë që punojnë në këtë fushë. Gjithashtu gjatë dy ditëve të punimeve të Konferencës, në ambientet e saj u ekspozuan rreth 20 postera, ku përshkruheshin rezultate shkencore të arritura nga institucionet kërkimore shkencore në Itali, Spanjë dhe Shqipëri.

Po përtej botes akademike, a pati të ftuar të tjerëqë nderuan me pjesëmarrjen e tyre? Cili ishte niveli i interesit që treguan ata?

Në seksionin e pare të konferencës, atë të përshëndetjeve, patëm nderin të kemi mes nesh përfaqësues të autoriteteve shtetërore dhe shkencore. Për këtë arsye do të donim të falenderonim Ministrin e Shëndetsisë Z. Ilir Beqja, Z. Arbjan Mazniku, Zv. Minister i Arsimit dhe Sportit. Ky është edhe një tregues i qartë rritjes të sensibilitetit të politikes shqiptare ndaj e kërkimit shkencor, zhvillimit dhe perhapjes sa më të gjerë të tij.

U jemi mirënjohës, jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për mikpritjen e ofruar duke vënë në dispozicion ambjentet e rektoratit të Universitetit të Tiranës, Rektorit Prof. Dr. Dhori Kule, si dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Mynyr Koni. Ky Fakultet mori përsipër përgatitjen e të gjithë materialeve ndihmëse si edhe organizimin në nivel lokal (përfshirë pushimet e kafesë, vaktet si dhe një “social dinner”, shumë të rëndësishme për mbarëvatjen edhe të një konference shkencore). Në këtë seksion përshendeti punimet, në emër të Presidentit të CNR-së, Prof. Luigi Nicolais, edhe Prof. Luigi Ambrosio, Drejtor i Departamentit të Shkencave Kimike dhe Teknologjisë së Materialeve, që përmbledh 14 institute shpërndarë në të gjithë territorin italian. Bëhet fjalë për dy personalitete të mirënjohura e shumë të respektuara dhe në botën shkencore ndërkombëtare.

Çfarë sollën ata në këtë Konferencë me pjesmarrjen dhe fjalën e tyre?

Në fjalën e tyre përshendetëse, të gjithë të ftuarit vunë theksin mbi rëndësinë e kësaj konference, jo vetëm për sa i përket të rejave shkencore në këtë fushë, por sidomos për sa i përket rritjes së bashkëpunimit midis qendrave kërkimore shkencore shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.

Kjo Konferecë përkon edhe me dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pikërisht gjatë semestrit të presidencës italiane, fakte të cilat shpresojmë se do të rrisin realisht mundësitë e Shqipërisë për të qenë e suksesshme në aplikimet në programet europiane që mbështesin kërkimin shkencor. Shembull është edhe “Horizon 2020”, një emërtim që u lakua nga të gjithë të pranishmit. Vetë Ministri Beqja theksoi vëmendjen e Qeverisë ku bën pjesë, për të stimuluar e mbështetur kërkimin shkencor edhe pse të ndërgjegjshem për vështirësitë objektive që njeh fusha në Shqipëri.

Zëvendës Ministri Mazniku theksoi se tashmë, në programin “Horizon 2020”, Shqipëria është aderuese me të drejta të plota njësoj me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky fakt, si dhe reformat që planifikohen të kryhen për riorganizimin e kërkimit shkencor në vend dëshmojnë që Qeveria po përpiqet të hapë mundësinë e rritjes së cilësisë në këtë fushë si dhe të bashkëpunimit me institucionet kërkimore evropiane. Ndërsa përfaqësuesit e Universitetit të Tiranës, Rektori Kule dhe dekani Koni, vunë theksin ne faktin se kjo Konferencë mund dhe duhet të shërbejë edhe për të fuqizuar dhe zgjeruar bashkëpunimet e institucionve të tyre me ato evropiane, jo vetëm në aspektin shkencor por edhe atë të shkëmbimit të studentëve.

Cilët ishin shkencëtaret e huaj që paraqitën arritjet e tyre ne këtë konferencë?

Në këtë Konferencë, patëm fatin të kishim, Drejtorin e Institutit të Kristalografise (IC-CNR), Bari, Itali Dr. Michele Saviano. Nga i njëjti institut merrte pjesë edhe drejtuesja e Laboratorit të “X-ray imaging” Dr. Cinzia Giannini. Po nga Bari vinte edhe Dr. Lucia Curri, nga Instituti i Proceseve Kimike dhe Fizike (IPCF-CNR) si dhe Prof. Gianluca M. Farinola, nga Departamenti i Kimisë pranë Universitetit te Studimeve të Barit. Ishte kënaqësi e vecantë të kishim të pranishëm edhe Dr. Roberto Zamboni, Drejtor i Institutit të Sintezave Organike dhe fotoreaktivitetit (ISOF-CNR) në Bolonjë, Itali.

Ndersa nga Instituti Italian i Teknologjise (IIT, Genova) morrën pjesë, Drejtori i Departamentit te nanomaterialeve, Prof. Liberato Manna, dhe Dr. Teresa Pellegrino. Nga Universitetit King Abdullah në Arabinë Saudite na nderoi me praninë e tij Prof. Enzo Di Fabrizio që aktualisht drejton sektorin e nanomaterialeve.

Nga Barcelona na nderuan gjithashtu me pjesëmarrjen e tyre, pervec Prof. Arben Merkoçit, edhe Prof. Victor Puntes nga i njëjti Institut si dhe një figurë e njohur, në nivel ndërkombëtar, në fushën e Biosensorëve, Prof. Salvador Alegret nga Universiteti Autonom i Barcelonës.

Siç kam përmendur edhe në intervista të tjera, të gjithë shkencëtarët e ftuar i përballuan shpenzimet e pjesmarrjes me mbështetjen e Instutitcioneve përkatese. Kjo tregon mjaft mirë dëshirën dhe interesimin e veçantë për të kontribuar në zhvillimin dhe përhapjen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Po për sa i përket institucioneve kërkimore shqiptare?

Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranes ishte e pranishme Prof. Majlinda Vasjari. Nga Fakulteti i Gjeologjise i Universitetit Politeknik të Tiranes, Dr. Enkeleida Goga Beqiraj. Patëm kënaqësine të kishim edhe dy përfaqësues nga Universiteti i Prishtines (Kosovë) MSc. Miranda Misini dhe Dr. Albana Veseli. Gjithashtu paraqiti punimet e saj edhe Dr. Albana Salili nga Universiteti EPOKA.

Cilat ishin disa nga të rejat shkencore që u paraqitën në këtë Konferencë?

Të rejat ishin të shumta, por une do të përmendja veçanërisht ato që kanë të bëjnë me zbulimin dhe zhvillimin e nanomaterialeve magnetike qe synojne te realizojne nje Drug Delivery “inteligjent” në terapitë e trajtimit të kancerit dhe në përgjithësi të ilaçeve “inteligjente” në kontekstin e bio-mjekesise. Po ashtu polimerët e nanostrukturuarat që përdoren në inxhinierinë e indeve në trupin e njeriut (kockat, lëkura etj). Të rejat me një interes të jashtëzakonshëm në mjekësi janë edhe zhvillimet në fushën e biosensorëve të aplikuar në shëndetësi e në përgjithësi të ambientit rrethues. Krahas këtyre studimeve për te krijuar nanomateriale sa më të sofistikuar dhe efikasë, me rëndësi janë edhë të rejat shkencore që u paraqiten si teknikat e lindura per të karakterizuar këto materiale.

Në posterin e kesaj Konference vihet re edhe akronimi IYCr2014, për se bëhet fjalë?

Kjo konference, që për disa aspekte të saj lidhet me kristalografinë, (shkenca e bazuar mbi vetinë e kristaleve për të vepruar me rrezet X, për të karakterizuar molekula dhe materiale të ndryshme) mbahet në këtë vit, qëështë shpallur nga UNESCO (resoluta 66/284) si Viti Ndërkombëtar i Kristalografisë.

Ky vit perkon me 100 vjetorin e marrjes së çmimit Nobel nga Max von Laue, në fushën e fizikës, për eksperimentin e parë kristalografik (difraksioni i rrezeve X nga kristalet). Keshtu që ky eshtë eventi i pare qe mbahet ne Shqiperi në kuadrin e aktiviteteve qe jane parashikuar per kete vit të vecante. Kështu i detyrohem një falenderim edhe Dr. Michele Zema (Chester, Britania e Madhe) qe eshte koordinatori i të gjithë aktiviteteve për vitin 2014. Gjithashtu ky ishte edhe aktiviteti i parë i organizuar nga OPAL, Organizata Shqiptare e themeluar në nëntor të vitit të kaluar, me qëllim përhapjen e Kristalografise në Universitetet Shqiptare.

Dy fjale mbi ata që ju mbeshteten si bashkëorganizatore lokalë

Duhet të falënderoj në mënyrë të veçantë Dr. Altin Mele dhe Prof. Sokol Abazi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës per ndihmën e jashtëzakonëshme në të gjitha aspektet. Si nga ana organizative ashtu nga disponibiliteti per të shoqëruar te ftuarit, duke dëshmuar edhe njëhere se mikpritja shqiptare mbetet aset, pavarësisht ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale.

Gjithashtu falenderoj grupin e studentëve që ndihmuan në regjistrimin dhe shpërndarjen e materialeve. Për tu përshendetur fakti qe ky organizim u bë në baza vullnetare e pa kurrfare shpërblimi financiar.

Si shëmbull të organizimit të mirë dhe te mikepritjes së padiskutueshme nga ana e Rektoratit te Universitetit te Tiranes, duhet përmendur vënia në dispozicion e salles në të cilën u kryen punimet e Konferences dhe zgjidhja në një kohe rekord e disa problemeve teknike me qëllim ofrimin e kushteve optimale për zhvillimin e saj, pavarësisht natyrës globale të problematikave. Në emër të të gjithë te ftuarve, faleminderit Z. Rektor!

Cilat mund te konsiderohen perspektiva, pas kësaj konference?

Qëllimi i këtij aktiviteti nuk ishte vetëm të sillte e të mundësonte shkëmbimin e të rejave shkencore në sektorin e nanomaterialeve e nanoteknologjise, por sjellja në vëmendjen e kolegëve shqiptare të “best practice”, si eksperinca e të punuarit si pjesë e një rrjeti kerkuesish e kolegesh në nivel ndërkombetar. Vlen të theksohet se pothuajse të gjithë të ftuarit e huaj bashkëpunojnë aktualisht në mënyrë direkte apo indirekte midis tyre. Mundësimi i vënies në kontakt të shkencëtareve shqiptarë me kërkues nga qëndrat kërkimore shkencore që ishin të ftuar në këtë Konferencë, ishte padyshim një tjetër rezultat pozitiv i prekshëm.

Si shume te dobishme dhe efikase, në te ardhmen, u konsideruan nga te pranishmit marreveshjet e mundura dypaleshe midis insituticioneve Italiane apo spanjolle dhe atyre shqipetare dhe nenshkrimi sa me i shpejte i tyre.

Gjithashtu, për të kompensuar disi mungesën aktuale të laboratorëve apo instrumenteve në qëndrat kërkimore shkencore shqiptare, të ftuarit nga qëndrat kërkimore jashtë Shqipërise, ofruan laboratorët dhe instrumentet e tyre pa asnjë shpërblim në këmbim.

Në mbyllje të bisedës me Dr. Siliqin, mesazhi shpresëdhënës, marrë gjate punimeve të kësaj Konference është i qartë; Mendja mund dhe duhet të punojë dhe zelli i kërkuesit shkencor nuk duhet të ndikohet nga mangësite e evidentuara në infrastuktura apo financime.

Jemi të ndërgjegjshëm se vështirësitë objektive janë aty dhe të pamohueshme, përbëjnë sfidë më vete, por kur kërkues të afirmuar, hapin dyert e strukturave të tyre për kolegët apo studentët shqiptarë pa asnjë kosto dhe i ftojnë këta të bëhen pjesë e projekteve të ndryshme që mund të financohen nga programe ndërterritoriale atëherë mund të pohoet me plot gojë, se është vetë shkenca ajo që ka përfituar.

Leave a Reply

Back to top button