Sport

Një Super Tiranë! Bardheblutë ndalin kampionët e Skënderbeut

screen-shot-2016-10-16-at-19-18-56

Në “Selman Stërmasi” luhet ndeshja e madhe e javës së shtatë të Kategorisë Superiore. Tirana pret Skënderbeun në një duel ku fitorja është kryefjalë për të dy ekipet.

Si bardheblutë ashtu edhe korçarët, ky takim i gjen në një moment të mirë. Tirana duket se e ka gjetur veten pas fillimit jo fort të kënaqshëm, ndërsa “Ujqërit e Dëborës” udhëtojnë drejt kryeqytetit si udhëheqës të kampionatit me pikë të plota.

Trajneri Agostineli ka vendosur të lërë në stol Sabien Lilajn e dëmtuar, duke e zëvendësuar me Argjend Mustafën, ndërsa Nimaga fiton balotazhin me Orelesin.

Minutë pas minute

90+4′ Dëgjohet fishkëllima e fundit e Enea Jorgjit. Përpjekjet e fundit të Skënderbeut nuk japin rezultat, Tirana fiton 1-0.

90+3′ Daja bën edhe ndërrimin e tretë për të fituar sekonda të çmuara. David Domgjoni i merr vendin e Mervillit, autorit të golit të parë

90+1′ Mervill ndëshkohet me të verdhë për një faull në mesfushë.

86′ Salihi bën një faull të rrezikshëm ndaj Karabecit. Karton i verdhë për sulmuesin shkodran të Skënderbeut.

84′ Daja kryen ndërrimin e dytë duke nxjerrë nga loja autorin e golit të dytë, Moise, për Erion Vucajn.

83′ GOL! Skënderbeu rihap lojën me Liridon Latifin. Mesfushori korçar përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes së Tiranës dhe, i gjendur i vetëm në zonë, nuk e ka të vështirë ta shtyjë topin pas shpinës së Ilion Likës. 2-1.

80′ Argjend Mustafa është i ndëshkuari i parë te Skënderbeu, Mesfushori kosovar nuk tolerohet më nga gjyqtari pas disa ndërhyrjeve të parregullta radhazi.

77′ Ndëshkohet edhe Erion Hoxhallari për vonesë të lojës. Kartoni i tretë për mbrojtësin bardheblu, që humb kështu ndeshjen e radhës ndaj Luftëtarit në transfertë.

75′ Trajneri Agostineli e mbyll me ndërrimet. Xhejms Adenji i lë vendin sulmuesit të ri Ardit Hoxhaj.

74′ Erando Karabeci ndëshkohet për një faull ndaj Salihit në mesfushë. Kartoni i parë i verdhë në një ndeshje të dominuar nga loja korrekte.

67′ Tirana bën zëvendësimin e parë. Jashtë loje Muzaka, në fushë Ruben Akua.

59′ Skënderbeu shpërdoron një rast të artë për të rihapur ndeshjen. Serxho Zhunior i ka të gjitha mundësitë ta çojë topin në rrjetë pas një pasimi të zgjuar të Xhejmsit brenda zonës. Por braziliani i sapofutur në lojë gabon krejtësisht duke gjuajtur mbi traun e portës. Shpëton Tirana.

55′ Agostineli kryen edhe ndërrimin e dytë; Masato Fukui i bën vend brazilianit Serxho Zhunior.

47′ GOL! Tirana thellon avantazhin. Moises i mjaftojnë diçka më tepër se dy minuta pas pushimit për të thyer Orges Shehin, pas një pasimi të marrë nga Mervill.

45+1′ Përfundon pjesa gjysma e parë e lojës. Tirana 1, Skënderbeu 0. Skuadrat në dhomat e zhveshjes.

45′ Ilion Lika bllokon një aksion të rrezikshëm të Skënderbeut, duke i dhënë zgjidhje një situate që mund të bëhej problematike për Tiranën.

40′ Radas provon me të djathtën nga një goditje e lirë në një pozicion diagonal pranë zonës. Megjithatë Ilion Lika është i vëmendshëm dhe grushton topin duke larguar rrezikun.

31′-37′ Lojë e shpejtë veçanërisht në mesfushë, por që ndërpritet vazhdimisht me faulle të shkaktuar nga të dyja skuadrat.

30′ Tjetër mundësi e shpërdoruar nga skuadra bardheblu. Një aksion i shpejtë përfundon me një të majtë të pasaktë të Moise nga brenda zonës.

22′ Moktar Cise “ha” një gol praktikisht të bërë. Pasi del i vetëm përballë Shehit, sulmuesi gjuan jashtë në mënyrë të pabesueshme.

14′ GOL! Tirana në avantazh. Përpjekjet e bardhebluve shpërblehen me një gol të bukur të Mervill. Hoxhallari krijon hapësirë në krahun e majtë dhe gjen në zonë Cisenë. Ky kthen topin për mesfushorin 18-vjeçar, i cili mposht Shehin me një të djathtë spektakolare nga jashtë zone.

10′ Moise depërton në zonë dhe përpiqet të kalojë Vangjelin, por mbrojtësi i Skënderbeut me këmbëngulje ia merr topin duke zgjidhur një situatë që mund të bëhej e vështirë.

3′ Kërcënimin e parë e japin miqtë. Fukui përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes bardheblu dhe gjuan brenda zonës duke krijuar iluzionin e golit. Megjithatë, vetëm rrjetë e jashtme.

1′ Nis loja, me topin e parë që e luajnë korçarët nga mesi i fushës.

Tirana 2 – 1 Skënderbeu (Mervill 14′, Moise 47′ / Latifi 83′)

Tirana (4-3-3): Lika; Kërçiku, Muça, Teqja, Hoxhallari; Karabeci, Muzaka (Akua 67′), Mervill (Domgjoni 90+3′); Taku, Moise (Vucaj 84′), Cise.

Trajner: Ilir Daja

Skënderbeu (4-4-2): Shehi; Vangjeli, Radas, Osmani, Mici; Fukui (Serxho Zhunior 55′), Nimaga (Orelesi 46′), Mustafa, Latifi; Xhejms (Hoxhaj 75′), Salihi.

Trajner: Andrea Agostineli

Gjyqtar: Enea Jorgji

KV: Karabeci, Hoxhallari, Mervill / Mustafa, Salihi

Leave a Reply

Back to top button