Analiza

Një takim me Putinin, atëherë kur në Kosovë “përplaseshin” trupat ruse dhe trupat e NATO-s

STROBE TALBOTT*

talbotRoli i Putinit në atë përplasje ushtarake 15 vjet më parë mbetet mister, por sjellja e tij ishte e qartë atëherë dhe ka kuptim sot. Gjatë një vakuumi të rrezikshëm pushteti në Moskë – kur partneriteti mes Rusisë dhe Perëndimit ishte në një pikë kthese; kur forcat e armatosura ruse morën situatën në dorën e tyre dhe nxituan në ndihmë të sivëllezërve sllavë – pasardhësi i projektuar i Putinit me sa duket po e shijonte atë moment

Në fjalimin e tij të martën, presidenti rus Vladimir Putini përmendi gjashtë herë Kosovën, duke e quajtur cuditërisht pavarësinë e saj një precedent për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Në fakt, të dy episodet vështirë se mund të jenë më të ndryshëm. Nuk ka dyshim që Putini është i fiksuar pas Kosovës, për shkak se shkëputja e saj nga Serbia ndez më shumë një fobi të thellë të rusëve dhe një ndjesi poshtërimi në duart e Perëndimit në vitet ’90.

Pavarësisht fundit të Luftës së Ftohtë, Putini dhe shumë prej bashkatdhetarëve të tij kapen pas idesë që NATO mbetet në thelb një kërcënim për Rusinë. Ndërhyrja e aleancës në luftën civile në Bosnjë konfirmoi këtë frikë, për arsye se shënjestrat kryesore ishin serbo-boshnjakët, të cilët po spastronin etnikisht dhe masakronin myslimanët e Bosnjës. Për shumë rusë, serbët ishin pikësëpari sivëllezërit e tyre ortodoksë sllavë, që nuk duheshin parë si ekzekutuesit e të parit akt gjenocidi në Europë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por si kushërinj fetarë dhe gjuhësorë që mbronin komunitetet e tyre – dhe si viktima të NATO-s.

Në 1999, presidenti diktatorial serb, Slobodan Milloshevic, i frustruar nga pamundësia për të zgjeruar vendin e tij në zonat e populluruara me serbë të Bosnjes, e ktheu të gjithë zemërimin e tij për nga provinca jugore e Kosovës. Pak a shumë ashtu si rusët e konsiderojnë Ukrainën djepin e qytetërimit të tyre, serbët e shohin Kosovën si një tokë të shenjtë, të larë me gjakun e paraardhësve të tyre të mundur prej pushtuesve osmanë, pasardhësit shqipfolës myslimanë të të cilëve përbëjnë shumicën e Kosovës moderne.

Pasi diplomacia dështoi për të ndalur fushatën e Milloshevicit për dëbimin e kosovarëve nga fshatrat e tyre dhe masakrimin e mijërave, NATO bombardoi Serbinë për 78 ditë. Deri këtë javë, ajo periudhë ka qenë më e tensionuara në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, qysh prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Gjatë udhëtimeve të shpeshtë që bëra në Moskë në atë kohë, shumë rusë, përfshirë edhe reformatorë properëndimorë, më ankoheshin se fryma e pas Luftës së Ftohtë nuk do i mbijetonte bombardimit të Beogradit nga NATO. Disa zyrtarë të nivelit të lartë akuzonin NATO-n se po praktikonte një bombardim të ardhshëm të Moskës, në mbështetje të secesionistëve në rajonin e Cecenisë. Ky ishte precedenti i Kosovës që ata mund të imagjinonin.

Për t’i dhënë fund krizës, Presidenti rus Boris Jelsin dërgoi Viktor Chernomyrdinin në Beograd, për të ushtruar trysni ndaj Miloshevicit që të tërhiqte trupat nga Kosova dhe të pranonte forcën paqeruajtëse ndërkombëtare, e cila do të përfshinte edhe njësi ruse, nën komandën e SHBA, me qëllim që të mos ishte formalisht pjesë e NATO-s.

Në qershor 1999, kisha një ekip nga Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni për të koordinuar planet përfundimtarë për operacionin. Menjëherë pasi mbërritëm, nuhatëm që do kishte telashe. Chernomyrdin ishte i izoluar politikisht. Shoqëruesi ushtarak i tij, Gjenerali Leonid Ivashov, praktikisht po ngrinte krye kundër marrëveshjes për dërgimin e trupave të përbashkët NATO-Rusi.

Jelsini “i padisponueshëm” na thanë, shoqëruar me vështrime që përktheheshin: “ishte i dehur”. Zyrtarët civilë që takuam atëherë ishin dukshëm të shqetësuar për mundësinë e një grushti ushtarak.

I vetmi përjashtim ishte Putini, të cilin e takova për herë të parë. Si kryetar i Këshillit të Sigurisë të Kremlinit, ai ishte në majë të shkallës, për t’u ngjitur më pas shumë shpejt drejt presidencës.

GJatë takimit tonë, ai arriti të shfaqet i relaksuar dhe sycelët njëkohësisht. Me kujdes, por në mënyrë të pagabueshme, vendosi distancë mes vetes dhe Chernomyrdinit. Cdo gjë e bënte të llogaritur. Për asnjë arsye tjetër, përvecse për të treguar se kishte lexuar dosjen time në KGB, ai përmendi emrat e dy poetëve rusë që kisha studiuar në kolegj.

Gjatë takimit, kolegia ime e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland (tani zëvendës sekretare shteti për Europën) më kaloi një shënim ku thoshte se Gjenerali Ivashov sapo u kish bërë një kërcënim shoqëruesve tanë nga Pentagoni – të cilët ndodheshin në takim në Ministrinë e Mbrojtjes – se ushtria ruse mund të shkëputet nga NATO dhe mund të dërgojë trupat e saj të vetëm në Kosovë, duke e kthyer kështu atë që duhej të ishte një operacion në bashkëpunim, në një konfrontim.

Kur lexova me zë të lartë shënimin e Nulandit, Putini bëri me shenjë për ta injoruar dhe buzëqeshi, si dhe bëri gjoja sikur nuk e dinte kush ishte Ivashovi. Mesazhi i tij ishte i dyfishtë: Ai dinte detaje nga e kaluara ime e largët, por nuk do të më linte të dija asgjë për cfarë po ndodhte në të tashmen – apo cfarë do të ndodhte më pas.

Brenda pak orësh, disa njësi të vogla ruse që kishin qenë duke monitoruar armëpushimin në Bosnje hynë nga Serbia e jugut për në Kosovë, duke u brohoritur si shpëtimtarë nga serbët. Ministria e Jashtme ruse nxorri një deklaratë mohuese dhe më pas një deklaratë të zbehtë, që thoshte se operacioni ishte një aksident. Kontigjenti rus u vendos në një fushë aviacioni pranë kryeqytetit të Kosovës, ndërkohë që një forcë shumëkombëshe e NATO-s hyri nga Maqedonia. Ajo që në fillim u duk si farsa e një “miu që hungërin”, u bë e rrezikshme kur nisëm të kuptojmë që ushtria ruse mund të kërkonte përforcime nga ajri dhe të shkaktonte një luftë me shkëmbime zjarri.

Jelsini u rishfaq në kohë, sidoqë ishtejo shumë i qëndrueshëm, për të ctensionuar krizën dhe për të rikthyer në shina marrëveshjen fillestare. Kosova e shpalli pavarësinë vetëm nëntë vjet më vonë. Dhe sigurisht, ajo nuk është aneksuar nga Shqipëria.

Roli i Putinit në atë përplasje ushtarake 15 vjet më parë mbetet mister, por sjellja e tij ishte e qartë atëherë dhe ka kuptim sot. Gjatë një vakuumi të rrezikshëm pushteti në Moskë – kur partneriteti mes Rusisë dhe Perëndimit ishte në një pikë kthese; kur forcat e armatosura ruse morën situatën në dorën e tyre dhe nxituan në ndihmë të sivëllezërve sllavë – pasardhësi i projektuar i Putinit me sa duket po e shijonte atë moment. (/washington post/)

* Autori, president i Institutit Brookings ka qenë nënsekretar shteti i administratës Clinton

Leave a Reply

Back to top button