Sport

Një teatër politik i rangut më të lartë

2014 FIFA World Cup, Group G, Germany v Portugal, Arena Fonte Nova, Salvador, Brazil - 16 Jun 2014David Goldblatt

Antropologu Clifford Geertz ka shkruajtur: “Kultura është historitë që i themi vetes për veten tonë”. Nëse ka një kulturë globale dhe një njerëzim global, atëherë Kupa e Botës, më shumë se sa çdo fenomen tjetër, është vendi ku bëhen këta rrëfime. Kështu që, jemi me fat që loja që ne kemi zgjedhur si avatari ynë kolektiv është më shumë një rrëfyes kreativ historish, se sa thjeshtë një ndeshje futbolli. Finalja e Kupës së Botës, për 90 minuta, do të bashkojë kaq shumë fije të një planeti të trazuar

A ka gjë më globale se sa futbolli? FIFA beson se Kupa e Botës 2014 do e kalojë numrin 3.2 miliardë të audiencës, rekordi i arritur në Botërorin e Afrikës së Jugut në 2010-ën. Ndeshjet e skuadrës së SHBA kanë tërhequr një numër rekord teleshikuesish, dhe në një botë gjithnjë e më të fragmentuar të medias, skudrat kombëtare kanë audienca vërtetë të jashtëzakonshme, kudo. Shumë pak ngjarje – as zbritja e njeriut në Hënë, as ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Pekinit – nuk e kanë tërhequr vëmendjen e njerëzimit, sa finalja e Kupës së Botës mes Gjermanisë dhe Argjentinës.

Përveç 75 mijë të pranishmëve në stadiumin Maracana të Rios, kori dixhital global do të jetë shumë i madh. Facebooku deklaroi se ka patur më shumë se një miliardë ndërveprime përdoruesish që lidhen me Kupën e Botës, gjatë gjysmës së parë të turneut, ndërmjet 22 milionë njerëzve. Vetëm në javën e parë, 459 milionë shkëmbimet ia kaluan edhe atyre të raportuara për Lojërat Dimërore të Sochit, finales së Super Bowl-it në SHBA dhe Oscar-it, të gjitha të marra së bashku. Gjysmëfinalja mes Brazilit dhe Gjermanisë prodhoi 35 milionë tweet-e, dhe kulmi arriti me më shumë se 5 milionë tweet-e në minutë, në momentin kur Gjermanisë shënoi golin e pestë.

Ndër tweet-et që do të “dalin” prej stadiumit Maracana të dielën, mund të presim komente nga kryeministri indian, Narendra Modi, i cili do të jetë ulur në krah të kryeministrave të tjerë të shteteve të ashtuquajtur BRIC: presidentja e Brazilit Rousseff, kryeministri i Rusisë, Putin, Jacob Zuma i Afrikës së Jugut dhe Xi Jinping i Kinës. Shërbimi i protokollit i Brazilit do të duhet të gjejë “pakëz” hapësirë edhe për vetë finalistët: kancelaren Merkel dhe presidentët Gauck dhe Kirchner. Nuk ka dyshim që krerët e shteteve të Kosta Rikës, Meksikës, Iranit dhe SHBA do të dërgojnë mesazhet e tyre.

Në këtë kuptim, Kupa e Botës është një Teatër politik i rangut më të lartë – një instrument i fuqisë së butë, një nyjë në rrjetet globalë të pushtetit – por struktura e saj dramatike është diçka komplekse dhe e ndryshueshme. Për të devotshmit, raundet e hershëm janë njësoj si “gëlltitja” para televizorit e një serie me DVD. Krejt papritur, e sheh veten duke parë dy, tre, deri pesë episode të një seriali për çdo natë. Një pjesë e madhe e botës është dashur të rishikojnë orarët e gjumit dhe punës gjatë turneut. Në Kinë, ka të dhëna se janë shkaktuar disa vdekje, për shkak të mbilodhjes nervore.

Përveç spektaklit, kemi parë edhe kundërspektaklin e protestave dhe forcës së përdorur nga forcat braziliane të sigurisë. Kjo të ngjan më shumë me një roman eksperimental me universe paralelë, ku dy botë ecin përkrah njëra-tjetrës, duke u pasqyruar dhe komentuar, por vetëm rrallëherë duke u prekur. Protestat kanë marrë shumë forma – arti i rrugës, hacker-imi i kompjuterëve dhe faqeve të internetit të sponsorëve – por demonstratat erdhën e u tkurrën duke u shndërruar në pothuajse hiçgjë. Kostoja e kësaj ka qenë militarizimi i hapësirës publike dhe kontrolli absurd policor i protestuesve.

Historitë me shumë personazhe dhe shumë shtresa që ka prodhuar turneu, ndeshjet shpesh herë shumë dramatike, dhe “cicërimat” e çmendura të publikut që komentonte për personazhe dhe jetë private, e bëjnë Kupën e Botës të duket si një serial televiziv gjigand. Kameruni dhe Gana janë konsumuar prej grindjeve për paratë mes futbollistëve dhe zyrtarëve të federatave të tyre. Luiz Suarezi humbet kontrollin emocional dhe ndëshkohet, globalisht i tallur, por i adhuruar edhe më shumë në Uruguajin e tij.

Ndërkohë që ndeshjet në Brazil janë boshti i gjithë këtyre skenarëve, shprehjet e tyre më dramatikë dhe domethënës janë në shtëpi. Në fakt, ky mund të jetë më shumë territor i një koleksioni ndërkombëtar tregimesh dhe esesh, me shumë autorë. Udhëtimi i Anglisë u duk si ekspozita e pasurisë private të Premier Leagues dhe mjerimit publik të ekipit kombëtar. Në Iran, janë personazhet femra më të fortat. Të ndaluara zyrtarisht që të shohin futboll me burrat, ato e kanë ndjekur skuadrën kombëtare nëpër kafene dhe më pas kanë dalë në parada në qendër të Teheranit, duke sfiduar teokracinë. Qindra-mijëra kolumbianë në ekstazë e mirëpritën skuadrën e tyre, sikur këta të ishin kampionë, dhe jo të mundur në çerekfinale – performanca më e mirë e tyre në një Kupë Bote ka shërbyer me sa duket si një shenjues i përshtatshëm për një komb që më në fund po u largohet luftërave të drogës të tre dekadave të fundit.

Këta kombe dhe histori nuk janë më të lidhura me vetëm një vend, por janë diaspora. Fitorja e Meksikës kundër Kroacisë bëri meksikanët e Los Angelesit të dalin në rrugë, kaq të shumtë në numër sa policisë iu desh të ndërhyjë. Kalimi i Algjerisë në raundin e dytë nxorri në sheshe turma në ekstazë në Algjer, por edhe në Paris, Lion dhe Marsejë, ku festimet u shndërruan në përleshje rruge me policinë.

A mos është në punë diçka më e madhe se sa ky kaleidoskop global? A mos ka një kuptim më të qartë e gjithë kjo? Sigurisht ka tema që rishfaqen. Pabarazitë globale të etnisë, gjinisë dhe klasës u shfaqën hapur kur krahasuam veshjet e tifozëve me skuadrat e tyre, dhe skuadrat me stafin e trainerëve. Por është një narrativë që na pëlqen shumë. Teksa skuadrat janë eleminuar dhe kakofonia e pabesueshme e lojërave dhe golave qetësohet, gjysmëfinalet e kanë fokusuar vëmendjen tonë në linjat e skenarit të vetëm katër shteteve.

Holandezët po rikthehen në shtëpi duke medituar për limitet e të qënurit një komb i vogël në rendin global dhe me popullsinë më të vogël nga të katër. Sado që skuadra dhe ekonomia ushqehen prej një trainimi brilant dhe arsimi inovativ, duket se progresi i tyre e ka një tavan. Brazilit i është dashur të gëlltisë një pilulë më të hidhur – mënyra si u larguan nga turneu, pasi u mundën në mënyrë poshtëruese 7-1 nga Gjermania, nxorri zbuluar iluzionet e futbollit brazilian. Brazili nuk luan më futboll të mirë apo të bukur: loja, ashtu sikurse shumë prej institucioneve të tij, është mbushur me korrupsion, keqmenaxhim nga elita, cinizëm dhe një dëshirë brutale Hobesiane për të fituar, dhe asnjë sasi patriotizmi, thirrjesh, të qarash apo pompimesh nuk mund ta fshehë.

Sfondi i nervit dhe përqëndrimit në mbrojtje të Argjentinës, është lufta e fortë e presidentes Kirchner me fondet “grabitqarë” të investimeve me qendër në SHBA, ku në qendër të debatit është riprogramimi i borxhit të Argjentinës. Nën një trysni shumë të madhe ekonomike dhe ndodhur përballë një falimenti të mundshëm, vendi synon sërish t’i “luajë një rreng” rendit ndërkombëtar. Turmat e mëdha të tifozëve argjentinas kanë qenë më të zhurmshet dhe më të padisiplinuarat e turneut. Ideja që ata mund të fitojnë në finale është makthi më i keq i organizatorëve.

Gjermania, që në klishetë e pandreqshme vazhdon të përshkruhet si një makinë eficiente dhe e pamëshirshme, me një aftësi klinike shënimi, në të vërtetë ka qenë verbuese: pikërisht këtë fjalë përdori shtypi francez për të lëvduar brazilianët në Kupën e Botës të 1938-ës, kur ata befasuan botën dhe na treguan se si është futbolli. Tani pozicionet janë përmbysur. Gjermania, duke u rishfaqur më në fund ashtu si ka qenë për shumë dekada, fuqia kryesore europiane, ka një skuadër futbolli që përmbush ambiciet dhe karakterin e saj: të organizuar në mënyrë brilante, por shumë fleksibël, të arrirë si individë por edhe të ndërlidhur në mënyrë telepatike mes tyre, teknikisht superiorë ndaj Brazilit në prekje, pozicionim dhe parashikim. Por ata kanë edhe tipare të tjerë tipikë gjermanë: një solidaritet kolektiv që përçmon egoizmin, dhe një konservatizëm realist për një botë të pasigurtë, pasi askush nuk ndihet që e ka fitoren “në xhep”.

Antropologu Clifford Geertz ka shkruajtur: “Kultura është historitë që i themi vetes për veten tonë”. Nëse ka një kulturë globale dhe një njerëzim global, atëherë Kupa e Botës, më shumë se sa çdo fenomen tjetër, është vendi ku bëhen këta rrëfime. Kështu që, jemi me fat që loja që ne kemi zgjedhur si avatari ynë kolektiv është më shumë një rrëfyes kreativ historish, se sa thjeshtë një ndeshje futbolli. Finalja e Kupës së Botës, për 90 minuta, do të bashkojë kaq shumë fije të një planeti të trazuar. /The Guardian/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button