Sport

Një vit më pas, Shumaker mes luleve, ujit dhe erës…

Një strukturë e fortë metalike, e zbukuar me ar mbron trupin e tij, historia dhe fati i Mikael Shumakerit, ndoshta piloti më i mirë i garave të automobilizmit në të gjitha kohërat, legjendë e shpejtësisë, gati-gati i vdekur pas një asidenti, ku nuk po ecte me shpejt se 30 km/h në orë mbi dëborë. Këtu në 13 hektarë pyll, në pllajën që dominon liqenin. Këtu, ku një baba flet me fëmijët e tij, përmes lëvizjes së syve. Këtu, ku një ditë ky baba mund të zgjohet pikërisht për shkak të aromës së një luleje

Schumi

Mbase atë mund ta zgjojë një ditë bluja e thellë e orkideve nga Birmania apo ndoshta kjo do të ndodhë prej aromës së Bauhinia Blakeana-s, orkidesë së njohur nga Hong-Kongu me lule ngjyrë vjollcë. Apo me gjasë mund të çelë sytë nga era e acartë që i përplaset shpesh në faqe, ose nga pikëzat e vogla të ujit që mjekët i kanë vënë t’i rrëshqasin mbi fytyrë në mënyrë që Mikaeli të ndjejë, kuptojë, të kujtojë çdo të thotë të jesh i gjallë.
Por kushedi, mund të jetë edhe zhurma e gjetheve në pyll, apo përshpërima e dallgëve që japin frymën e fundit teksa përplasen në plazh, ose më mirë zëri i argjendtë i vajzës që thërret babain e saj. Kjo mund të ndodhë papritur, brenda një dite apo një çasti të vetëm, por ndoshta mund të mos ngjasë kurrë. Mikael Shumaker, qëndron këtu, në serrën tropikale buze liqenit të Lemanos.
E nxjerrin jashtë në natyrë çdo mëngjes. Pasi largohen, mjekët e infermierët ai i shoqëruar nga familjarët, qëndron pak kohë në karrigen me rrota në të ftohtin e dimrit.
Quhet “outdoor therapy”, terapia e shëtitjes në natyrë, përmes së cilës shpresohet se çdo stimul ndijimor, mund ta ndihmojë Shumin të dalë nga honi i errët, ku ka rënë që prej një viti, 29 Dhjetorin e 2013-ës, kur u rrëzua duke skijuar në Méribel, Savojën e Sipërme.
Dy ndërhyrje të dëshpëruara kirurgjikale në tru, gati 6 muaj në koma në spitalin e Grenoblës, pastaj trasferimi në qendrën spitalore universitare “Vaduz” të Lozanës në Zvicër dhe prej 10 Shtatorit rikthimi në resortin përrallor “La Réserve di Gland”.
Një vilë e shndërruar në një klinikë të mirëfilltë, plot 12 milionë euro të shpenzuara për ngritjen e repartit mjekësor, ku punojnë me turne 15 specialistë që njihet më shumë si “skuadra”. Janë neurologë, fizioterapistë dhe logopedistë. Nëse dikush prej tyre gabon gjatë punës ose flet tepër, pushohet menjëherë.
Ekipi, drejtohet nga njëri prej ekspertëve më të mirë në botë mbi trurin, profesori Riçard Frakoviak, londinez me origjinë polake, një njeri që ka shkruar më shumë se 400 artikuj shkencorë mbi kërkimet e tij për zbulimin e misterit që përmban materia gri, që peshon mesatarisht 1 kilogramë e 300 gramë, ndoshta qendra e universit, pika më e lartë e evoluimit të gjallesave, një mrekulli dhe një labirinth njëkohësisht. “Skuadra” ka sjellë në vilën e Shumakerit disa makineri, për të nxitur lëvizjet e tij neuro-muskolare, përfshi këtu edhe një robot që përpiqet ta bëjë të ecë pilotin.
Por parashikohet të jetë një udhëtim tejet i gjatë. “Së paku 3 vjet”- ka deklaruar më herët profesor Zhan Fransua Paje, drejtuesi i spitalit të Grenoblës, i cili ishte ndër të parët që u mor me trajtimin e gjermanit, duke menaxhuar të gjithë fazën e parë të emergjencës.
Njëzetekatër orë në ditë, të gjitha ditët pa përjashtim, “skuadra” “thërret” Shumin së bashku me bashkëshorten Korina, fëmijet Xhina Maria 17 vjeç dhe Miki. Ky i fundit aktualisht garon shpejt në garat për makina për të rinjtë dhe pas 2 vitesh mund të bëhet pjesë e Formula 1. Miki ishte me Shumin në momentin kur ndodhi aksidentin duke parë gjithçka. Tashmë ai flet me të atin dhe ky i fundit hera-herës i përgjigjet përmes përplasjes së qerpikëve.
Për momentin, kjo është forma e vetme e mundshme e komunikimit, e një trupi të burgosur prej paralizës së plotë. Mikael që peshon aktualisht 50 kilogramë, nuk ndodhet më në koma të thellë, por nga ana tjetër nuk mund të flitet për një gjendje të ndërgjegjshme.

Sot, në 3 janar ka mbushur 46-vjeç. “Është duke u përmirësuar gradualisht, duke dalë nga situata kritike, megjithatë nuk besoj se kujton gjë nga e kaluara e tij”-thotë Filip Shtrajf, ish-pilot i “Formula 1″, tetraplegjik që nga viti 1989, për shkak të një aksidenti. Filipi, ka vizituar Shumin disa ditë më parë, ndërsa Zhan Tod që viziton vilën çdo javë, ka vendosur të ndjekë vetëm një moto: optimizmin. “Mikaeli është i ri, po përmirësohet dhe ka shumë kohë para për t’u kthyer një jete relativisht normale”- thotë ai. Por Sabina Kehm, zëdhënësja e Shumaker dhe njëherazi një mike e familjes tregohet më e kujdeshme në deklaratat që lëshon. “Lipset durim, përmirësimet e Mikaelit janë të vazhdueshme por gjithësesi rekuperimi do të jetë i ngadaltë dhe i vështirë. Familja falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk është e drejtë të thuhet me shumë. Kërkojmë respekt dhe qetësi”- shprehet ajo.
Një apel mëse njerëzor pasi në fakt tragjedia që i ndodhi Shumakerit, është një përzierje e pasioneve të dhunshme por edhe e kuriozitetit makabër, pritjes dhe thashethemeve, ndjeshmërisë dhe sjelljeve prej çakejsh.
Në morinë e raportimeve të vrullshme mediatike, dikush ka bërë llogarinë e parave të humbura për shkak të largimit të sponsorëve. (“Por kjo është e ekzagjeruar, thuajse të gjithë janë sërish aty”, saktëson Kehm), diçka më shumë se 4 milionë euro, apo shpenzimet për kurimin në shtëpi me afro 130 mijë euro në javë.
Revista gjermane “Die Aktuelle”, pati vendosur në kopertinë foton e Shumakerit, duke u shulluar në diell, i ulur me syzet e errëta dhe xhaketën e zezë. Mëkat që kjo ishte një foto e disa viteve më parë. Një faqe interneti në Rusi, arriti të vendosë një uebkamera pranë vilës “La Réserve” për të filmuar vazhdimisht shtëpinë, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë së Kantonit të Vaduzit.
Gjatë transferimit të Shumit nga Grenoblë në Lozanë, u vodh kartela klinike, në një kohë që autori i dyshuar i ngjarjes një zviceran 54-vjeçar, u vetëvar gushtin që shkoi në burgun e Zyrihut. Emri “Shumaker” ka qenë me i kërkuari në Google këtë vit, e megjithatë kjo e gjitha kjo është edhe një histori heshtjeje.
Dhe kjo për të njëjtin njeri, që një vit më parë dominonte pistat e skive në Meribel, pak orë pas aksidentit, kur një stuhi dëbore kishte mbuluar shkëmbinjtë, mbi të cilët Shumi u përplas fort. Heshtje, që shoqëroi edhe hetimin e autoriteteve policore: asnjë përgjegjës për atë që ndodhi, dhe nëse kishte faj, ky ishte i vetë Mikaelit që zgjodhi të skijojë jashtë piste, në një zonë të rrezikshne.
Një heshtje e prishur periodikisht nga ndonjë klithmë e çuditshme. I tillë mund të përcaktohet parashikimi i zymtë i doktor Gary Harstein, ish-mjek i “Formula 1”. “Duhet të dorezohen, Mikaeli nuk do të kthehet kurrë më si më parë, askush nuk mund të zgjohet pa patur pasoja, pas 6 muajsh në një gjendje kome të thellë.
Më pas heshtja e gjatë u rrikthye pikërisht në fund të rrugës, ku një strukturë e fortë metalike, e zbukuar me ar mbron trupin e tij, historia dhe fati i Mikael Shumakerit, ndoshta piloti më i mirë i garave të automobilizmit në të gjitha kohërat, legjendë e shpejtësisë, gati-gati i vdekur pas një asidenti, ku nuk po ecte me shpejt se 30 km/h në orë mbi dëborë. Këtu në 13 hektarë pyll, në pllajën që dominon liqenin. Këtu, ku një baba flet me fëmijët e tij, përmes lëvizjes së syve. Këtu, ku një ditë ky baba mund të zgjohet pikërisht për shkak të aromës së një luleje./corriere.it/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button