Sport

No Messi, no party

Një goditje e fortë. Për nga dimensionet dhe sepse ishte e papritur. Përtej marrëzive të shkruajtura në shtypin katalanas ditën e shortit të Romës, kur ke Messin, ke 31 ndeshje pa humbur në La Liga dhe ke fituar ndeshjen e parë 4-1, askush nuk mund ta parashikonte katastrofën në Romë.

No Leo, no party

Kështu që, rizgjimi katalanas ka qenë i tmerrshëm. Tani është e kollajtë të hedhësh sytë pas dhe të gjesh të meta, paralajmërime, sinjale krize. 4-0 në Paris dhe 3-0 në Torino vitin e kaluar, për shembull. Autogoli i mjerë, por i kapërcyer në tre transfertat e këtij viti në Champions, kundër Sportingut, Olimpiakosit dhe Juves. 19 muajt pa një gol në transfertë të Suarezit në Champions, apo edhe 13 muajt e kaluar pa shënuar një në Camp Nou. Fakti ë pas Messit (6 gola), “golashënuesi” i dytë më i mirë i Barçës në këtë Champions është autogoli, me 5, dhe më pas një seri shokësh skuadre, të gjithë me nga një gol. Në këta muaj Messi ka mbyllur i vetëm një seri çarjesh, shumë të mëdha. Të fundit me Chelsean në Londër dhe në Camp Nou. Problemi për Barcelonën është se, po nuk mendoi Messi, mbreti është lakuriq.

Bartomeu dhe La Cantera

Të mund të mbështetesh tek një prej futbollistët më të mirë në botë dhe të fitosh vetëm një Champions në 7 vitet e fundit, është një mëkat kapital. Dhe i vishet presidentit Bartomeu. I cili akuzohet se është fshehur pas Leo Messit dhe ka tradhëtuar la canteran, për la carteran, domethënë portofolin. Pas tripletës së vitit 2015, ka patur një seri blerjesh të kota dhe shpesh të kushtueshme: Arda Turan, Aleix Vidal, Andre Gomes, Alcacer, Digne, Semedo, Paulinho, Dembele, Coutinho, Yeri Mina. Vetëm Umtiti ka funksionuar (përveç natës së keqe në Olimpico). Coutinho në Champions nuk luan dot, Paulinho me Romën ka luajtur 25 minuta në ndeshjen e parë dhe asnjë në të dytën, Dembele, që kushtoi 105 milionë Euro, luajti vetëm 9 minuta në Romë. Dhe që tani flitet me kritika për të, për shkak të netëve të vona, videolojërave të tepruara dhe ushqimit “junk”. E sigurtë është që, nëse Valverde preferon të luajë me dy mesfushorë krahu në vend të zëvendësit të Nejmarit, diçka nuk shkon. Dhe të ardhurit nga ekipet zinxhir, Iniesta, Messi, Pique dhe Busquets tashmë janë nga 20 deri 34 vjeç. Ata plaken dhe Barça B ka marrë 24 lojtarë nga jashtë në vetëm 2 vite. Pra, nuk ka aspak besim e as investim tek La Cantera.

Messi dhe Valverde

Bartomeu dhe grupi i drejtuesve të tij janë në shënjestër, por nuk janë të vetëm. Në bangën e të akuzuarve është shfaqur edhe Messi: sepse nuk del asnjëherë, nuk flet, nuk shpjegon, nuk mbron, nuk komunikon. Më keq se ai është Valverde, i respektuar për fjalët me mend dhe inteligjente, por që ka dalë i “rrahur” teknikisht nga sfida e dyfishtë me Di Francescon, i shtypur nga pesha e ndeshjeve për të të pazakonta, i bllokuar në momentin kur duhen zgjidhje dhe fajtor se ka denatyruar thelbin e lojës së Barcelonës, e panjohëshme në Olimpico, me atë seri pasash të gjatë dhe të kotë. E paaftë, ajo, Barcelona, mbretëresha e zotërimit të topit, që të bënte tre pasime resht. Gjyqi popullor ka nisur, të akuzuarit janë të shumtë, verdekti nuk është i sigurt. Barça duhet të rigjejë veten, dhe nuk do të jetë e lehtë. / Gazzetta dello Sport – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button