MagazineMAIN

NOSTALGJIA / Si na e ndryshon të shkuarën…

Në botën tonë moderne politikisht të paqëndrueshme, tundimi për t’u tërhequr drejt kujtimeve — ndonjëherë mirazheve — të epokave të shkuara duket se është rritur. Gjashtë historianë shqyrtojnë se si kjo prirje ndikon në mënyrën se si e kuptojmë historinë.


“Nostalgjia që ngjall Stranger Things është e ndërlikuar”

Jerome De Groot

Gjëja e parë që duhet t’i kujtojmë vetes është se mënyra se si ne e shohim të kaluarën është e formësuar. Kuptimi që kemi për historinë është i përkthyer, i ndërtuar, i krijuar për ne në shumë mënyra, shumica e të cilave kanë shumë pak lidhje me atë që ka ndodhur realisht.

Ne e imagjinojmë dhe e ëndërrojmë historinë përmes kulturës, duke krijuar versione të saj që na ngushëllojnë dhe përputhen me botëkuptimet tona. Filmi, televizioni, lojërat, reklamat, hapësirat e trashëgimisë, romanet, të gjitha këto na mundësojnë të “jetojmë” në kohë të tjera, të formojmë ndjenjën tonë të kujtesës dhe ta konsumojmë të kaluarën.

Nostalgjia është thjesht një nga mënyrat përmes të cilave ne i qasemi këtyre ndjenjave të së shkuarës. Ajo është jashtëzakonisht e fuqishme sepse i drejtohet emocioneve përtej racionalitetit. Është një mënyrë për t’u lidhur me historinë duke anashkaluar rendin dhe autoritetin, dhe historianët e nënvlerësojnë atë. Nostalgjia është shndërruar në një element kyç të kujtesës kolektive bashkëkohore. Politikat populiste globale janë të përshkuara nga një nostalgji e rrezikshme për një lavdi të supozuar, që mendohet se është shpërdoruar. Kjo nuk është diçka e re, por sot është bërë dominuese.

Në serialin televiziv Mad Men (2007), Don Draper e përdor në mënyrë cinike të kaluarën për të shitur produkte, duke vërejtur: “Nostalgjia është delikate, por e fuqishme.” Kujtimet e së shkuarës mund të manipulohen.

Seriali më i ndjekur në botë në gjuhën angleze në vitin 2025 ishte Stranger Things, një përzierje e viteve ’80 të imagjinuara, Spielberg, Nike, Kate Bush dhe Lufta e Ftohtë bashkohen për të paraqitur një version të asaj dekade. Por nostalgjia që ngjall Stranger Things është e ndërlikuar. Pjesa më e madhe e audiencës së synuar nuk ka asnjë kujtim personal nga vitet ’80, përveç një mbetjeje kulturore klishesh.

Vitet ’80 që seriali “kujton” janë vetë të rrënjosura në një vizion të jetës së qyteteve të vogla amerikane të viteve ’50. Nostalgjia që vepron këtu është kulturore, e shitur si shprehje e fuqisë algoritmike dhe jo si zgjedhje reale.

Askush nuk e kujton të kaluarën në mënyrë neutrale; versioni i së shkuarës që ka secili është një përkthim i mundësuar nga kultura. Nostalgjia është delikate, por kjo brishtësi përbën një lloj përvoje të pastër, edhe pse e prirur ndaj komercializimit.

Jerome De Groot është profesor i letërsisë dhe kulturës në Universitetin e Mançesterit dhe autor i librit Double Helix History (Routledge, 2022).


“Nostalgjia është një nga promovueset më të mëdha të historisë”

Agnes Arnold-Forster

Nostalgjia duket se është kudo, aq sa disa argumentojnë se ekziston diçka specifike në shekullin XXI që e nxit atë. Por, në forma të ndryshme, ajo ka ekzistuar prej shekujsh dhe ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si lidhemi me të kaluarën.

Termi “nostalgji” u krijua nga një mjek zviceran në fund të shekullit XVII. Në atë kohë, ajo konsiderohej një sëmundje, një lloj mallëngjimi patologjik për vendlindjen. Vetëm në fillim të shekullit XX, nostalgjia mori formën që njohim sot: jo më dëshirë për një vend të largët, por mall për një kohë të shkuar.

Që atëherë, nostalgjia ka qenë shoqëruesja jonë e vazhdueshme, duke u përhapur gjerësisht në kulturën popullore, gazetari dhe komentarin politik gjatë shekullit XX. Vitet ’70 madje janë quajtur “të shtatëdhjetat e dorës së dytë”, pikërisht për këtë arsye. Edhe psikologët kanë studiuar përhapjen e nostalgjisë, duke argumentuar se ajo përjetohet pothuajse nga të gjithë, pothuajse gjatë gjithë kohës. Edhe pse disa njerëz mund të jenë më shumë ose më pak të prirur ndaj saj, nostalgjia është një përvojë thelbësore njerëzore, me avantazhe të qarta evolucionare.

Në mënyrë të përgjithshme, nostalgjia mund të ndahet në dy lloje: personale dhe historike. E para lidhet me nostalgjinë për jetën tënde personale; e dyta me nostalgjinë për një periudhë historike që nuk e ke jetuar vetë.

Është pikërisht kjo e fundit që paraqet më shumë probleme. Në jetën politike, ajo shpesh kritikohet si forca emocionale shtytëse pas lëvizjeve populiste të djathta. Edhe historianët akademikë e shohin me dyshim këtë formë nostalgjie, sepse ajo pikturon një pamje sentimentale dhe shpesh të pasaktë të së kaluarës, duke mbrojtur në vend të saj një qasje të ftohtë, të shkëputur dhe objektive ndaj historisë.

Megjithatë, jo vetëm që është e pamundur të frenohet ndikimi i nostalgjisë, por as nuk duhet të jetë ky synimi. Nostalgjia është një nga promovuesit më të fuqishëm të historisë. Dhe historia nuk është thjesht një ndërmarrje akademike. Ajo është një ekosistem i gjallë që përfshin drama historike, rishfaqje betejash, muze, dokumentarë dhe kërkues të historisë familjare.

Nostalgjia mund të mos jetë e vetmja arsye që i tërheq njerëzit drejt së kaluarës, por pa forcën e saj joshëse emocionale, ku do të ishte ky ekosistem?

Agnes Arnold-Forster është chancellor’s fellow në Universitetin e Edinburgut dhe autore e librit Nostalgia: A History of a Dangerous Emotion.


“Sot, nostalgjia flet me një gjuhë tjetër, me SHKRONJA TË MËDHA dhe akronime”

Benjamin Jones

Siç thotë një shaka e vjetër, nostalgjia nuk është më ajo që ishte dikur. Njëzet vjet më parë, ky term lidhej zakonisht me qytetarët e Evropës Lindore, të cilët u tërhoqën nga tronditja e kapitalizmit të tregut në një botë të ngrohtë Trabantësh, statujash të Leninit dhe aromës evokuese të kavanozëve me turshi të epokës komuniste. Nuk është rastësi që pikërisht studiuesja ruso-amerikane Svetlana Boym ofroi analizën më depërtuese të nostalgjisë së asaj periudhe. Sipas saj, tërheqja e asaj që ajo e quante “nostalgji restauruese”, mall për një shtëpi apo atdhe që nuk ka ekzistuar kurrë, ka qenë gjithmonë e pranishme si në fantazitë nacionaliste të së djathtës, ashtu edhe në mënyrën se si njerëzit e kujtonin komunizmin.

Sot, nostalgjia flet me një idiomë tjetër: me SHKRONJA TË MËDHA dhe akronime, MAGA, MEGA, “Take Back Control”, por paralajmërimet e Boym vazhdojnë të tingëllojnë fort dhe qartë. Në këtë pikë, një vështrim drejt historisë së afërt është i dobishëm. Nostalgjia për një fantazi të homogjenitetit racor të imagjinuar nuk është aspak një forcë e re. Jehona e pavetëdijshme e retorikës helmuese të Enoch Powell-it nga Keir Starmer (kur në vitin 2025 kryeministri tha se Britania rrezikonte të bëhej një “ishull të huajsh”, një shprehje për të cilën më vonë u shpreh i penduar) tregon se fryma e Powell-it vazhdon të gjallërojë diskursin politik bashkëkohor.

Në fushën time, historinë moderne britanike, disa analistë kanë identifikuar “nostalgjinë perandorake” si një nga shkaqet themelore të rrëshqitjes së epokës së Brexit-it drejt së djathtës ekstreme. Unë pyes veten nëse kjo diagnozë është plotësisht e saktë. Edhe pse mund të pranojmë se disa nacionalistë ëndërrojnë ringjalljen e Perandorisë Britanike, ndjenjat e shumicës së njerëzve ndaj së kaluarës sonë perandorake janë ndoshta më të ndërlikuara dhe më pak koherente.

Teoricieni kulturor Paul Gilroy argumentoi dy dekada më parë se, në vend që të përballeshin me kompleksitetet e perandorisë, britanikët u tërhoqën në atë që ai e quajti “melankoli postkoloniale”. Krenaria perandorake shprehej njëkohësisht me mohimin e dhunës koloniale. Këto janë simptoma morbide që kërkojnë një kurë. Migrantët, të skllavëruar, të lidhur me kontrata, të varfër, e më rrallë të privilegjuar, e ndërtuan perandorinë dhe, në të njëjtën kohë, e rindërtuan Britaninë. Për ta kuptuar këtë të kaluar nevojitet një vështrim i kthjellët; lentet rozë vetëm sa e mjegullojnë pamjen.

Benjamin Jones është autor i librit The Working Class in Mid Twentieth-Century England.


“Në politikën bashkëkohore, nostalgjia po luan një rol të fuqishëm”

Anamik Saha

Nostalgjia nuk është në thelb as e mirë, as e keqe. Ajo na ndihmon të lidhemi me të kaluarën, duke kujtuar miqësi, përvoja dhe vende. Mund të na ndihmojë të përballemi me pendesat, duke ofruar njohuri që na shërbejnë në të tashmen. Por nostalgjia mund të prodhojë edhe sentimentalizëm, të mbështetur mbi keqinterpretimin e asaj se si kanë qenë dikur gjërat, duke e pikturuar të kaluarën me ngjyra rozë që kanë pak lidhje me realitetin historik. Sido që të jetë, ajo gjeneron emocione shumë të forta. Dhe në politikën bashkëkohore, nostalgjia po luan një rol tejet të fuqishëm.

Po shohim një rritje të nacionalizmit të ekstremit të djathtë, jo më pak edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Nostalgjia ushqen këtë prirje, duke i shndërruar në armë “momentet e mëdha” të së kaluarës. Këto momente merren në mënyrë selektive nga historia perandorake britanike dhe evokojnë, siç shprehet teoricieni kulturor Stuart Hall, “fantazinë e një rikthimi të vonë te flamuri, vlerat familjare, karakteri kombëtar, lavdia perandorake dhe fryma e diplomacisë së anijeve luftarake të epokës Palmerston”.

Siç vëren Benjamin Jones, Paul Gilroy e përshkroi këtë prirje si “melankoli postkoloniale”. Problemi nuk qëndron vetëm te mënyra se si nacionalistët riformësojnë momente historike për qëllimet e tyre, por edhe te fakti se i lidhin ato me ndjenja të fuqishme nostalgjie. Gilroy theksoi dimensionin racor të këtij mallëngjimi për një Britani para emigracionit të pasluftës nga ish-kolonitë, një kohë kur jeta supozohet se ishte më e thjeshtë, më paqësore dhe më homogjene.

Melankolia postkoloniale mbështetet mbi një amnezi të qëllimshme ndaj së kaluarës. Historianët na tregojnë se Britania nuk ka qenë kurrë një komb homogjen, i lirë nga konfliktet e brendshme. Ajo ka përjetuar valë emigracioni për shumë shekuj, sipas një modeli të njohur: emigrantët fillimisht priten me frikë dhe mosbesim, për t’u përfshirë më pas natyrshëm në jetën dhe identitetin britanik.

Megjithatë, kjo histori mbetet e fshehur në përfaqësimet popullore të së kaluarës britanike.

Sot, saktësia historike e ka të vështirë të përballet me nostalgjinë nacionaliste, e cila e pikturon të kaluarën e Britanisë me penelata të gjera dhe brutale, duke errësuar histori të rëndësishme për qëllime politike. Historia e mirë mund të shërbejë si balsam për melankolinë postkoloniale, duke e ndihmuar kombin të përballet dhe të punojë me aspektet problematike të së kaluarës së tij.

Anamik Saha është profesor i racës dhe medias në Universitetin e Leeds-it dhe autor i librit Race, Culture and Media (Sage, 2021). / Në shqip nga bota.al

Back to top button