Shkence

Nuk ka një gjë të tillë si vrima e zezë?

Screen Shot 2015-03-03 at 13.51.00Duhet një lloj personaliteti i veçantë për të debatuar rreth natyrës së objekteve që janë qindra triliona milje larg, të pamundura të shihen dhe të pamundura edhe për t’u përshkruar duke përdorur ligjet e fizikës. Dhe prapëseprapë, në botën e astrofizikës moderne, personalitete të tilla nuk janë të pakta. Tani vonë ata janë angazhuar në një debat të ndezur për sa i përket natyrës së vrimave të zeza, me disa nga idetë më themelore rreth këtyre objekteve të çuditshme që papritur janë të sulmuara.

Megjithë atë që patë në filmin Interstellar, vrimat e zeza mund të mos jenë të zeza, dhe ato mund të mos jenë as vrima. Disa teoricienë debatojnë se horizonti i ngjarjeve i një vrime të zezë – kufiri ku drita, materia dhe Matthew McConaughey zhduken nga universi ynë – është në fakt një ferr i shndrritshëm. Të tjerë propozojnë se vrimat e zeza përshkruhen më mirë si “vrima gri” me kufij të jashtëm të paqartë, që pikojnë. Dhe ca ngatërrestarë debatojnë se i gjithë debati është pa lidhje,  për arsye se natyra në radhë të parë e bën të pamundur për vrimat e zeza të formohen.

E gjithë kjo mund të duket si rrahje uji në hava teorikisht, përveç se debati mbi vrimat e zeza është një alternativë në një betejë më të madhe. Pikërisht tani, fizika është ndarë në dy: mekanika kuantike përshkruan fenomene të vogla e të shpejta, kurse relativiteti i përgjithshëm përshkruan nga fenomene të mëdha e të ngadalshme.

Por në kushtet ekstreme rrotull një vrime të zezë, koha dhe hapësira shtriqen kaq shumë saqë dy teoritë janë detyruar të mbivendosen. Të arsyetosh se çfarë ndodh në atë ndërprerje është jetësore për zhvillimin e një “teorie të gjithçkaje” – një bashkësi e unifikuar e ligjeve fizike që përshkruajnë të gjithë kozmosin, nga Shpërthimi i Madh tek Macintoshi i Madh.

Andrallat filluan, si shumë koncepte ngatërruese në fizikën moderne, në trurin e Stephen Hawking. Katër dekada më parë, ai kuptoi se horizonti i ngjarjeve të një vrime të zezë është qenësisht rrjedhës; proceset kuantike lejojnë një rrjedhje të ngadalshme por të qëndrueshme thërrmijash që largohen nga vrima e zezë, një proces i quajtur rrezatimi Hawking. Nëse jepet koha e mjaftueshme, një vrimë e zezë mund të avullojë komplet. Ideja e materies që largohet nga pika e dyshimtë që s’ka më kthim ishte e çuditshme (është pika kyçe e subjektit në atë filmin tjetër të fundit rreth vrimave të zeza, biografia e hawking, “The Theory of Everything”), por fati i informacionit që bie brenda në vrimën e zezë ishte ai që shqetësonte shokët e Hawking.

Në pikëpamjen e tanishme, të cilën Hawking ndihmoi ta formulonte, çdo ndodhi në univers përmban informacion kuantik. Kur objektet bien në një vrimë të zezë, ato e marrin informacionin e tyre me vete. Kjo s’ka problem për sa kohë informacioni qëndron atje brenda, por nëse vrima e zezë avullon, gjërat shkojnë në prishje. Informacioni me lidhje logjike futet brenda, por ajo që del është vetëm zhurmë – rrezatimi Hawking është 100 për qind pa përmbajtje. Të rënët në një vrimë të zezë duket se shkatërron një copë nga realiteti, e cila nuk ka kuptim. Hawking dhe teoricienë të tjerë filluan të kërkojnë dëshpërimisht për mënyra për të ndaluar informacionin që të futet në vrimën e zezë, për mënyra për ta lënë atë të dali, ose për mënyra sesi të pajtohemi me faktin e mundësisë që ca informacion mund të zhduket për gjithmonë. /N.Scientist/

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button