Nunc est Bibendum

Nunc est bibendum! Takim në fundin e një gote

Andi Qinami

emily-nathan-healdsburg-5-woman-drinking-wine-vineyardËshtë kohë vjeljesh. Për bistakët mbi rërën e plazheve të detit Jon, ka filluar, që në ditët e fundit te gushtit. Do të vazhdojë deri sa t’i vijë radha bistakëve të ngrirë, në kodrat në qendër të Evropës. Moment gëzimi për vjelësin, por edhe më shumë për verëdashësin, që prej disa muajsh ka lënë mënjanë dhuratën e zotave. Edhe të bardhat më fisnike nuk e kanë mbushur vendin e lënë bosh nga kupat e munguara të së kuqes. Por është mbi të gjitha, kohë për të pirë.
Ma kujton telefonata e Gigit, mikut tim, shok degustimesh – për ta thënë bukur – alkoolike. “Benvenuta Vendemia bëhet pas pak, – më thotë. Çfarë kantinash do zgjedhim të shkojmë?”
Po nga bregu tjetër i detit, poshtë në Jug, shtëpitë e verës kanë nisur që prej dates 14, festimet për celebrimin e vjeljes, poshtë në qilar, në fshat afër vreshtit me degustime e shijshmërira – të tingëllon dënim, zyra dhe detyrimet e çdo dite – për të na lajmëruar  çeljen e sezonit të ri të verës. Të jenë ata, më të ndjeshëm se ne ndaj këtij “nektari”, vetëm sepse natyra iu dha “njëmijë lloje rrushesh e njëqindmijë verëra”? Mbase, por dhe për anën këtej Adriatikut, ka shërim. Më thonë, për shembull, që sot dhe nesër, në Berat dëgjohet jazz dhe shijohet verë. Dhe ja ku u bënë dy, rastet për ta takuar të kuqen.
2Kush ka njohur të kuqen …z orr se e harron, e as që i shkon në mend ta këmbejë. Mallkim i ëmbël, zor t’i shpëtosh.
Sapo stinës së verës i vjen fundi, adeptët e Dionisit, kudo që ndodhen, ngushëllohen tek mendojnë se për pak, temperaturat do të jenë të përshtatshme për një gotë të kuqe. Tabloja është e njohur. I dallon fare mirë tek mbajnë gotën në dorë e ia nisin nga bisedat mbi aromat dhe shijet. Nuk do shumë, për ta gjetur veten brenda diskutimesh për mundimet dhe pakënaqësitë që kurrë nuk mbarojnë…. edhe disa gllënjka, edhe një tjetër të kuqe, e si pa e marrë vesh, çdokush priret të mendojë vetëm atë që i pëlqen. E çdo gjë duket e pranueshme, papritur. Po. E kuqja e ka këtë fuqi. Qetësues apo afrodiziak është ky lëng? E ç’rëndësi ka, kur gjithçka që do të harrosh, zhduket si me magji? Vetëm mendimet e këndshme, pluskojnë!
Një aperitiv mbas pune, kur shkëmbimin e dy fraza rrethanash e bën më të çmuar një gotë e të kuqes, si mbas një dite të lodhme, apo te “veshësh me kadife” një darkë esenciale të paramenduar. Pijetore-verari, tavernë, wine bar? Zgjedhja është e lirë. Në fund të fundit vetëm vera e mirë dhe atmosfera ka rëndësi. Po pa psherëtima a barrë mendimesh. E pastaj pse të jesh i vetëm?…. krejt më mirë do të ishte, vetëm të shijosh e të harrohesh, përkrah të dëshiruarës, duke i shkuar sa më pranë fundit të një kupe… në verandën e një vile në fshat, pranë oxhakut të një shtëpie alpine, në bordin e një vaske plot shkumë, në një bar a restaurant me Atë përballë, duke menduar për shtratin… apo mbi tavolinën më të zakonshme të kuzhinës, në apartamentin e një studenteje.
Nektar i dashur ngjyrë vjollcë, rubin, i purpurt, kuq-portokall tendent në gri, apo krejt i errët në blu… që kujton mjaltin, frutat e pyllit, kumbullën, fikun e thatë, lëkurën, duhanin apo jamballin… . Nuk dimë, vërtetë si ishte, ai me të cilin edhe zotat kënaqnin veten. Por për të janë të gjitha lavdet. Ç’lëng tjetër ka qenë ndonjëherë më i mirë se ky, për dashuri? Dehës sensesh që kënaq, e kënaq edhe më, në shoqërinë e krijesës nga planeti  Afërditë, që edhe e vetme të bën të harrosh mendimet e palumtura të ditës.
Obsesioni është ta kthesh gotën dhe njëherë. Pastaj gjithçka bëhet e mëndafshtë, perspektiva fillon të ngjyroset me vjollcë… aty në fundin e një kupe bashkë me të…. “deri sa – si këndon Buscaglione  – agimi në qiell të rikthehet”… takimi është me vajzën dhe nektarin.  Binom perfekt kur nata zë të bjerë.

Leave a Reply

Back to top button