Sport

Pa magjitë e Mesit, kriza e pabesueshme e klubit të mrekullive

Screen Shot 2016-04-19 at 16.02.10

Kur nuk ka një shpjegim racional, kthehemi tek misteri apo tek ezoterizmi, dhe ja tek vjen një teori nga përtej botës: të gjithë fajin e ka vdekja e Johan Krujfit, duke qenë se pas atij 24 marsi fatkeq, Barcelona është zhdukur. Ose është zgjidhja tjetër, dhe këtu hyn në lojë pakëz realizëm magjik, siç ndodh shpesh kur flitet për Amerikën Latine: faji i “virusit FIFA”, sepse që kur Mesi-Suarez-Neimar janë kthyer nga ndeshjet kualifikuese të luajtura për Pashkë me kombëtaret e tyre, nuk kanë parë më top, ose pothuajse. Ka nga ata që shohin tek psikologjia prapa logjikës, me spërkatje informacionesh shumë të rezervuara: skandali i Panama Papers e ka zhytur Leo Mesin në ankthin më të thellë, sepse është i zhytur aty deri në fyt, dhe ndoshta dalin edhe emra të tjerë të dhomave të zhveshjes së Barcelonës. Të tjerë, më prozaikë, tregojnë atë që është e dukshme për të gjithë: nuk janë më në këmbë, kanë rënë shumë fizikisht. Sido që të jetë, skuadra më e fortë e botës është zhdukur.

Një rënie që nuk ka precedentë. Pas shtatë muajsh shfaqje dhe 39 ndeshjesh pa humbje, erdhi pranvera dhe Barcelona duket si një mushkë kokëfortë, nuk bën më as edhe një hap. Barazimi me Vilarealin në 20 mars, ku kryesonin 2-0 dhe pastaj pësuan dy gola, u la pas me shpejtësi, por pas pushimit të pashkëve dhe ndeshjeve me kombëtaret, erdhi kriza e zezë: tre humbje të njëpasnjëshme në kampionat (Real Madrid, Real Sociedad dhe Valencia: nuk ndodhte që nga viti 2003) dhe Liga e rihapur (Atletiko Madrid ishte -8, tani ka pikë të barabarta, Reali nga -12 është vetëm 1 pikë larg), dhe eleminim në Champions’ prej Atletikos së Madridit. Katër ndeshje të humbura në pesë ndeshjet e fundit dhe 11 gola të pësuar në 7 ndeshjet e fundit, me Barcelonën që tani pëson gjithnjë e më shumë gola në fillim të ndeshjes, siç u ndodh ekipeve të shpërqëndruar, pa forcë, të lodhur. Tani, për ata që një vit më parë fitonin Tripletën, është rreziku që të humbasin gjithçka: pas Champions, edhe Ligën dhe ndoshta edhe finalen e Kupës së Mbretit, që në 22 maj do e luajnë kundër Seviljes. Ka patur rënie të tilla në të kaluarën? Të vjen në mendje Interi i Herrerës në vitin 1967, Juventusi i Ançelotit në 2000 dhe Reali i Kueirozit në vitin 2004. Të gjithë humbën kampionate, kur i kishin pothuaj të fituar.

Por nuk ishin skuadrat më të mira në botë si kjo Barcelonë, kampione e botës dhe Europës në fuqi, edhe pse që tani i ka lënë vakantë të dy titujt. Eshtë kriza e Leo Mesit, pa dyshim. Pasi u kthye nga Amerika e Jugut, futbollisti më i mirë në botë u ndal. Para se të shënonte kaluan edhe 500 minuta, shumë për një si ai, dhe në fund golin e 501 ia shënoi Valencias në natën e humbjes së radhës. Pikërisht Valencia, që në shkurt Barcelona e kishte mundut 7-0. Eshtë i lodhur Leo, e madje i shqetësuar për problemet e shumta fiskale (dhe nëse është fajtor, e drejtë që të paguajë, përtej historive që “unë nuk shoh asgjë, firmos gjithë sa më jep im atë”). Me të në krizë, janë shembur të tjerët: Neimari, që po grindet me klubin sepse dëshiron të luajë në verë si në Kupën e Amerikës, si në Olimpiadë, Suarezi dhe mbi të gjitha mesfushorët Rakitiç-Buskets-Injiesta, që detyrohen të sforcohen sepse nuk kanë zëvendësues në lartësinë e tyre. E gjithë kjo nxjerr zbuluar mbrojtjen, atje ku lajthitjet jashtëfutbollistike të Pikesë dhe Dani Alveshit, dy futbollistë që prej muajsh vënë në lojë kundërshtarët dhe gjithë botën me sjellje prej shkolle fillore, nuk kanë kaluar pa u vënë re.

Ndërkohë, për mesfushën e të ardhmes, klubi po lëviz për Marko Verratin: ka një ofertë të madhe për PSG, flitet për 60 milionë euro. Ashtu si në cdo krizë teknike, tani më i ekspozuar është traineri. Luiz Enrike është nën akuzë sepse skuadra ka humbur shkëlqimin dhe gjendjen fizike, ndërkohë që tre fenomenet e tridhëmbëshit, ndonëse të tejlodhur, vazhdojnë të mos zëvendësohen, përndryshe zemërohen, dhe ky është një problem i vjetër për Enriken. Duket se problemi kryesor është i natyrës psikologjike, dhe kush e di si do të përballohet. Një psikolog tek Barcelona është, por për të ndjekur e këshilluar trainerin dhe jo lojtarët. Dhe ka nevojë absolute për këshillat e tij për Luiz Enriken. Të dielën në mbrëmje, traineri ka keqtrajtuar një gazetar me emrin Viktor Malo, që e kish pyetur: “A ka ndonjë problem atletik për të shpjeguar këto ndeshje?”

Enrike iu përgjigj: “Si e ke mbiemrin? Malo? (në spanjisht do të thotë i keq). Saktë! Pyetja tjetër?” Eshtë vërtetë krizë e shëmtuar, dhe përballimi menjëherë me të, si ish kampionë të gjithckaje, duhet të ketë efekt vërtetë të keq. Pothuaj haluçinant: Po çfarë bëjmë këtu? /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button