Nunc est Bibendum

Pasion dhe njohuri. “Rocca di Frasinello”

Rocca

Andi Qinami

Emra si Panerai, Domanes Barons de Rothschild-Lafite dhe Renzo Piano, të vëna së bashku, patjetër që tërheqin vëmendjen…. dhe kur në mes është dhe vera, atëherë historia bëhet tejet interesante. Në fakt çështja është interesante po aq sa tingëllon risia e një joint-venture midis një prodhuesi italian me background gazetari e sipërmarrësje, dhe njërit nga prodhuesit francezë më legjendarë. Një vepër arti, homazh ndaj të bërit verë në përgjithësi, e realizuar nga një verëdashës i vertetë, siç është Piano, për të cilin prezantimet do ishin të tepërta. Po të shtojmë edhe David La Chapelle, i konsideruar si Fellini i fotografisë, tabloja e deritanishme plotësohet me një tjetër dozë arti.

E gjitha lindi si nje ide e Paolo Panerai-t, me qëllimin për të zgjeruar eksperiencën e arritur me kantinën e tij “Castellare di Castellina”, në krahinën me vokacion verëtar të Toscana-s, ku u krijua “i Sodi di San Nicoló”, disa herë mes pesë vendeve të para të klasifikimit të revistës “Wine Spectator”.

Në gjetjen e terroir-it, kishin kontribuar më parë emra si Ezio Rivella e Gianni Zonin, të njohur për punën e tyre të mirë në kantina e ndërmarrje prestigjioze në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara. Këta kishin zbuluar një zonë mes të mirënjohurave Bolgheri (Nunc est Bibendum! i ka dedikuar tashmë një shkrim kampionit të kësaj zone, “Sass-it”) dhe Scansano (e famshme për klonin karakteristik të Sangioves-s, që jep të kuqen Morellino di Scansano). E ngjashme me terrenet e Chiantit dhe Montalcinos, zona ofron një temperaturë mesatare 4 deri ne 6 gradë celcius më të lartë se dy të përmendurat, si dhe mundësinë për të arritur pjekjen e plotë të kokrrave, deri në tre javë më përpara. Por Paolo, ndryshe nga ata, gjeti 40 hektarët e tij në një kodër që ndahet më dysh nga rruga e vjetër romake Aureliana, e që falë erërave që fryjnë përmes thuajse-kanionit të krijuar, formon një mikro-klimë shumë interesante. Nën insistimin e bashkëpronarit të  ardhshëm, Eric de Rothschild për të zgjeruar terrenin për kultivim, u ngrit Rocca di Frasinello. Që në fillim ishte rënë dakord të gërshetohej, eksperienca italiane në kultivimin dhe vinifikimin e toskanit Sangiovese, me atë franceze, sjellë nga Lafite, në varietet klasike franceze si Cabernet (Franc e Sauvignon), Merlot, Petit Verdot etj.

Sot kantina zotëron 80 ha, të cilat planifikohet të arrijnë deri në 125, në vitet e ardhshme. Vjelja e parë e vërtetë ishte ajo e vitit 2003. Nga 180 hektolitrat e prodhuar, dy enologët e kantinave, zgjodhën vetëm për njërën pjesë, etiketën përuruese “Primus di Frasinello”, duke sanksionuar menjëherë plotësinë dhe elegancën e kësaj të kuqeje të sapolindur.

Sa për projektin, fjalët e mjeshtrit Piano, thonë shumë… “Ideja e të realizuarit të një kantine nën tokë për të mbajtur 2500 barriques, më bëri të humb kontrollin e kështu iu dorëzova projektit të Rocca di Frassinello, që më tundonte prej një viti”. Miqësia e arkitektit me Paolo Panerai-n daton hershëm e ky i fundit e shpjegon kështu: “Punoja si gazetar asokohe dhe shkruajta mbi një arkitekt të çmendur, që kishte bërë një pallat pa dritare në Pegli. Shkova t’i merrja një intervistë dhe aty lindi një miqësi. Si rezultat, kantina, një investim deri tani 20 milionë Euro, është një konstruksion që përfshin ambientet e nevojshme për të gjithë proçeset tipike të verëtarisë”. Kësaj here nuk themi më tepër. Fotoja sugjestionuese mëposhtë, – aty ku prehen barriques-ët – e vetme, evokon rituale solemne nga e kaluara e hershme e njerëzimit…. e kush është i ndjeshëm ndaj argumentit, përfshirë patjetër miqtë arkitektë, duhet t’i dedikojë patjetër një kërkim më të detajuar.

Rocca 1

“… një ndjesi prej ultramoderneje, që është e lidhur me pranë e zotave”

Në tetorin e vitit të kaluar kantina “Rocca di Frasinello” festoi dhjetëvjetorin e vjeljes me premierën e prezantimit të një vepre që mban firmën e artisit dhe fotografit La Chapelle, zbuluar nga Andy Warhol gjatë vitete 80. I ftuar për të kaluar dy-tri ditë në Rocca di Frasinello, artisti u “rrëmbye” për një javë nga vreshtat dhe barriques-ëve, për të përjetuar një eksperiencë të karakterizuar siç e përshkruan ai vetë, nga mbresat që lënë tek cilido, aq më tepër tek artisti… respekti për verën dhe historinë e saj, estetika, përulja dhe kërkimi i perfeksionit, që gjeti mes njerëzve që punonin në kantinë. Mundi pra të dallojë, shumë ngjashmëri mes të bërit verë dhe të bërit art. Verëtaria dhe arti, sipas tij, kanë të përbashkët intuitën dhe teknikat krijuese.

Vepra e tij, “Rapture of the Grape”, apo “Rrëmbimi i rrushit”, do të ishte gjithashtu imazhi i etiketës më të rëndësishme të kantinës, të kuqesRocca di Frassinellotë vitit 2010, vit me klimë perfekte, i aftë të jepte një Grand Vin sipas kriterit bordolez. “….ky blend po rrëfehet një orkestër e madhe, në të cilën cdo varietet rrushi, luan pjesën e tij në harmoni me të tjerët, duke i dhënë jetë një melodie të mrekullueshme…”. Kështu të paktën thotë enologu dhe drejtori i Castellare di Castellina, për këtë të kuqe intense e intrigante, por edhe të freskët e elegante, që magjeps si kur është krejt e re, ashtu edhe pas një vjetërimi të gjatë të cilin mundet, për dekada, t’ia lejojë vetes. Tingëllon si ftesë për kuriozët e ata që do të kishin mundësitë e duhura për ta ruajtur siç duhet.

Kantina prodhon rreth 6-7 etiketa të ndryshme (Vermentino, Poggio alla Guardia, Ornello,.. etj). Këtu më poshtë gjeni një recension i disa javëve më parë mbi edicionin “Rocca di Frassinello”, vjelje e vitit 2012 nga DoctorWine.

“Përftuar nga rrushi sangiovese 60%, cabernet sauvignon 20%, merlot 20%, mbajtur në barrique për 14 muaj. Në hundë ndijehen erëza dhe disa fruta, bimësi tipike e brigjeve të Mesdheut, vishnje, vanilje dhe kardamon. Shije që ngroh e përfshin, tanine të lehta. Një shije e tendosur dhe persistente. Me ç’duket, duhet të jenë 32 euro të shpenzuara mirë”. /Bota.al/

Leave a Reply

Back to top button