Nunc est Bibendum

Pluhur Andesh

Andi Qinami

pluhurPhhhh… heq ndrojtjen, shton forcën dhe largon ankthin e performancës… e kush do t’i thoshte jo. Që nga gjethet e brezi të mesit të banorëve të Andeve, që me njëri-tjetrin e shkëmbejnë në ritual përshëndetës, e deri në versionin thuajse të kudogjindur në qytetin e madh… pluhuri i Andeve siç e quanin hershëm. Sot i përket kënaqësive më tipike të natës, e pra “udhëton” kryesisht, pas muzgut.

Për tekste akademike… alkaloid që jep eufori, përshtypje të një mprehtësie mendore, rezistencë ndaj lodhjes e fuqie muskulare, rritës interesi dhe fuqie seksuale … dhe, me ezaurimin e efekteve… dobësi e përgjithshme e depresion.

Nga një këndvështrim shumë më interesant, ja si na e rrëfen, pasi ka arritur të tetëdhjetat, Pilaff Bey. Rreth vitit 1930 kur janë shkruar rreshtat e mëposhtëm ‘’privately printed’’, ky qytetar i botës me vesin e “të shijuarit”, këshillonte mbi aleatë të dashurisë e mbi të kotë.

“… Shumë është shkruar mbi koka-n peruviane. Një mjek nga Livonia (rajon afër Letonisë së sotme) – e shumë të tjerë pas tij – pas shumë studimesh pohojnë se “kemi të bëjmë me një afrodiziak”. Por efektet e saj ndryshojnë sipas subjektit. Është çështje temperamenti. P.sh. eteri, në disa raste (vetëm disa) çliron një impuls erotik të dhunshëm. Eksperimente skrupolozë më kanë bërë të bindem se koka të transporton” në një parajsë, ku Afërdita mund të soditet por jo të preket. Padyshim që mpreh shqisat e dhuron vizione dashurie. Po kush kënaqet vetëm me vegime. Si të kënaqet dëshira? Shtimi i dëshirës është një gjë, forca e të vepruarit është gjë tjetër. Por tamam këtë të fundit kërkon dashnori. E kam shumë të vështirë t’ia njoh koka-s këtë lloj efekti, përkundrazi një mendje më thotë se kjo drogë kokëfortë anullon aftësitë seksuale.

Kjo është të paktën eksperienca ime personale. Shpresoj të tjerët t’ia dalin më mirë. Vizionet e dashurisë janë vegime me të cilat asnjë udhëtar nuk mund të shuajë etjen…”.

Leave a Reply

Back to top button