Sport

Pse janë Shtetet e Bashkuara ato që veprojnë kundër FIFA-s?

Krimet u dakordësuan dhe u përgatitën në Amerikë, dhe nëpërmjet bankave amerikane. Dëshmitari kyç i xhiros së ryshfeteve është Chuck Blazer, ish numri një i FIFA-s amerikane

Michael Garcia për 19 muaj me radhë ka investiguar lidhur me Rusinë dhe Katarin, rezultatet e tij jepen në një raport prej 350 faqesh. FIFA e ka katandisur në një përmbledhje prej 42 faqesh dhe është deklaruar e pastër ndaj çdo paligjshmërie. Kjo gjë e ka irrituar tejmase atë, mikun e tij James Comey, kreu aktual i FBI-së, dhe Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch…

Screen Shot 2015-05-28 at 2.05.58 PM

Saeed Ahmed për “CNN”

Gjatë viteve të fundit FIFA bën të flitet për veten e saj jo pse përmirëson rregullat e futbollit, por sepse i shkel ato. Sistemi që qeveris sportin më të ndjekur në botë është një kolos multimiliardësh: shumë pushtet dhe jo shumë përgjegjësi.

BKT Reklama

FIFA akuzohet rregullisht për korrupsion dhe rushfet, me pikun e arritur me caktimin e Botërorit Rusisë në vitin 2018 dhe Katarit në vitin 2022. Pse janë tani Shtetet e Bashkuara ato që ndërhyjnë, një vend ku futbolli ka peshë shumë më të vogël sesa futbolli amerikan dhe bejsbolli?

Le të ecim më shkallë. Botërori është një biznes i madh. Çdo katër vjet është evenimenti sportive më i madh i planetit, por është edhe një fitim shumë i madh për vendin që fiton të drejtën e mikpritjes së tij. Për ta siguruar atë, vendet luftojnë egërsisht. Me caktimin e tij Rusisë dhe Katarit, qeveritë kanë ndjerë aromën e qelbësirës dhe kanë kërkuar transparencë. Kontrolli i situatës i është besuar prokurorit amerikan Michael Garcia, i cili për 19 muaj ka investiguar lidhur me sjelljen e të dyja vendeve, rezultatet e të cilit jepen në një raport prej 350 faqesh. Në këtë pikë, çfarë ka bërë FIFA? Ka okultuar pjesën më të madhe të raportit, duke e katandisur në një përmbledhje prej 42 faqesh dhe duke u deklaruar e pastër ndaj çdo paligjshmërie në muajin nëntor.

Garcia ka qenë Prokuror i Southern District of New York. Përpara tij ishte James Comey, kreu aktual i FBI-së, që sot vepron pas 3 vjetësh investigime. Lidhja tjetër me New York është Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch, e cila e ka mbikëqyrur rastin përpara se të drejtojë Departamentin e Drejtësisë. Pse autoritetet amerikane i kushtojnë kaq vëmendje FIFA-s?

Nuk kanë besuar se organizata ishte vërtet e pafajshme për shkeljet dhe donin të verifikonin nëse xhiroja e ryshfeteve ka ndodhur edhe në territorin amerikan. Chuck Blazer, ish numri një i FIFA-s amerikane, ka kaluar kohë në burg për evazion fiskal dhe është bërë informator i FBI-së, ka dhënë dokumenta e regjistrime të takimeve me ish kolegët, duke zbuluar marrëveshje jo tamam korrekte.

Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara janë pjesë e CONCACAF-it, sistemit degë të FIFA-s që merret me Amerikën Veriore dhe Karaibet. Këtu Blazer ishte numri 2 dhe falë dëshmive të tij është zbuluar se korrupsioni ka prekur edhe Amerikën. Një prej personave të akuzuar është edhe Jeffrey Webb, Zëvendëspresident i FIFA-s dhe kreu aktual i CONCACAF-it.

Nuk i njohim ende me saktësi aktakuzat, por autoritetet zvicerane flasin për ryshfete në masën 100 milion dollarë, nga vitet Nëntëdhjetë e deri më sot, në shkëmbim të të drejtave televizive, marketingut dhe sponsorëve për ndeshjet e futbollit në truallin amerikan. Sipas autoriteteve amerikane, këto krime u dakordësuan dhe u përgatitën në Amerikë dhe nëpërmjet bankave amerikane. Duan të procedojnë edhe pse tregu televiziv amerikan dhe miliardat e paguara nga rrjetet e tij janë feta më e madhe e Botërorit.

Përgatiti: ARMIN TIRANA/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button