Sport

Refuzimi i tifozëve shqiptarë, shkelje e ligjit nga Danimarka

Screen Shot 2015-08-31 at 6.20.21 PM

Rreth 4 mijë tifozë shqiptarë rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në stadiumin “Telia Parken”, për sfidën kualifikuese ndërmjet Danimarkës dhe Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga media daneze, të cilat theksojnë se sipas shifrave zyrtare, të paktën 6 mijë mbështetës të Kombëtares Kuqezi kanë siguruar bileta për ndeshjes e mbrëmjes së të premtes.

Federata e Futbollit në Danimarkë njoftoi rreth një javë më parë se mbështetësit shqiptarë, të cilët nuk kanë bileta në sektorin e caktuar sipas rregullave të UEFA-s për 2150 tifozë, do të refuzohen në hyrjet e stadiumit. Shqiptarët rezidentë në Danimarkë, por edhe ata që nuk jetojnë në këtë vend, nuk do të lejohet të hyjnë në tribunat e tjera të impiantit. Seleksionimi do të bëhet në bazë të emrave me të cilët janë blerë biletat. “Nëpërmjet emrave jemi munduar të evidentojmë tifozët shqiptarë. Nëse ke një emër që tingëllon si shqiptar do të refuzohet hyrja në ato pjesë të stadiumit ku janë tifozët e Danimarkës”.

Ky ishte shpjegimi i Jakob Hoyer nga zyra e shtypit në Federatën daneze. Por, mediat e vendit nordik, saktësonin se ky vendim i DFB-së rrezikon të jetë i kundraligjshëm. Sipas Institutit për të Drejtat e Njeriut në Danimarkë, politika e mos-lejimit të tifozëve kuqezi mund të jetë në kufijtë e shkeljes së ligjit për diskriminimin. Alarmi është dhënë nga këshilltari ligjor, Nanna Krusaa, sipas të cilit “gjithçka varet nga specifika e situatës”. Por, “në momentin kur përzgjedhja e tifozëve që do të hyjnë në stadium realizohet nëpërmjet emrave, atëherë problemi është serioz”.

Këshilltari ligjor rikthen në vemendje një rast të ngjashëm të vitit 2013, kur në ndeshjen ndërmmjet Fc Copenhagen dhe Galatasaray-t, anulimi i biletave për tifozët turq u cilësua i jashtëligjshëm. Sipas Krussa-s, konkluzioni i asaj çështje ishte se “të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa dallim etnie”, siç është rasti i seleksionimit të tifozëve bazuar te emrat.

Nga ana e saj, Federata daneze e argumenton refuzimin e shqiptarëve me faktin se mund të shkaktohet konfuzion në stadium dhe ekziston rreziku i incidenteve. Kjo mbështetet edhe nga policia e Kopenhagenit, që është përgatitur për më të keqen. Forcat e rendit në kryeqytetin e Danimarkës, e kanë cilësuar ndeshjen me rrezikshmëri të lart dhe do të marrin masa të forta, ashtu siç ndodh në derbin ndërmjet FC Copenhagen dhe Brondby./SuperSport

Leave a Reply

Back to top button