Nunc est Bibendum

Rëndësia e një etikete

Screen Shot 2016-06-03 at 11.35.17

Nga Andi Qinami

Jo pak herë jemi shtyrë të blejmë shishe vere që nuk njihnim apo për të cilat nuk na kishin këshilluar më parë. Me shumë gjasa kjo ka ndodhur pse etiketa ka rezultuar në një mënyrë a një tjetër, tërheqëse. Nuk e di sa herë mund ta keni konsideruar me të vërtetë rëndësinë e etiketës së një vere.

Por nëse e keni bërë, pse mos të ndalemi sadopak mbi këtë aspekt estetik dhe emocional, më tepër se atë funksional të etiketës.

Etiketa ka të bëjë me aspektin estetik por nuk është e thënë që një etiketë e bukur t’i korrespondojë një vere të mirë, ashtu siç një njeri plot hijeshi të jetë edhe i mirë, simpatik e kështu me radhë. Por gjykimi i parë, duam apo s’duam, të paktën për rastet kur nuk e njohim verën brenda shishes, është ai estetik, prandaj një etiketë është më e rëndësishme nga se mund të mendohet. Me të drejtë atë e quajnë edhe letërnjoftimi i një shisheje. Siç kujtonte disa ditë më parë një blogger, wine writer, se kështu e kanë pagëzuar tashmë kategorinë, pavarësisht identitetit pamor, duhet të mos harrojmë se e sotmja është një shoqëri e bazuar në një komunikim të shpejtë, e asnjë prodhues nuk duhet të nënvlerësojë rëndësinë e etiketës.

Që prej momentit historik kur filloi të tregtohej në shishe, vera është kthyer në një produkt emocional. Shpeshherë fama i paraprin etiketës dhe atëherë nuk ka vend për reflektime. Një gjë është kur njohim mirë që më parë verën brënda një shisheje, e sidomos kur kemi vizituar vendin e prodhimit. Do të na duket disi më e mirë, pse kemi krijuar tashmë një lidhje pamore dhe emocionale me të e na kujton territorin, vreshtin që pamë nga afër dhe njohjen me njerëzit e asaj vere të caktuar, me të cilët, ndoshta pse përvoja ishte e këndshme, lidhëm edhe miqësi.

Ndryshe është puna kur nuk njohim më parë vendin e origjinës së një vere, por duam thjesht të provojmë diçka të re, apo gjendemi përpara etiketave e na duhet të blejmë një shishe. Mënyra e vetme për të hyrë në kontakt emocionalisht me shishen është impakti që ka efekti pamor i etiketës, e më pas, i gjithë stili i paketimit, përfshirë formën e vetë shishes (që shpesh diktohet nga aktet normative që parashikojnë emërtimin e origjinës, apo thjesht nga tradita e zonës) deri tek ngjyra e kapsulës.

Me sytë nga gadishulli përballë, mund të thuhet se “Il Bel Paese” është një hap përpara vendeve të tjera të botës, që nuk shquhen për shumëllojshmëri për sa i përket etiketave. Teksa Franca përgjithësisht vazhdon të propozojë një stil etiketash që nuk ndryshojnë fort nga njëra-tjetra, (karakterizuar nga tradita, emblema, klasicizmi), në Itali përkrah këtyre modeleve tradicionale gjejmë, sipas dikujt, kryevepra të vogla modernizmi, duke shtuar se në Itali dizenjatorë e grafistë përveshin mëngët për t’i dhënë një fytyrë krejt ndryshe copës së letrës që duhet të joshë blerësin. Edhe kryetari i jurisë së Konkursit të XX Ndërkombëtar të Amballazhimit zhvilluar rreth dy muaj më parë në Verona, dizenjator edhe vetë, konstaton një ngritje të nivelit mesatar të etiketave që qarkullojnë dhe tendenca që ai vë re është binomi inovacion-traditë, shtrirë kundrejt imazhit sa më ndërkombëtar.

Edhe tek ne vihet re një tendencë për të “guxuar”, term i përdorur këtu i prirë nga pozitiviteti, përmes shumëllojshmërisë së paraqitjes së etiketave aktualisht në qarkullim, megjithëse të paktë vazhdojnë të jenë prodhuesit e produkteve serioze që futen në shishe.

Fatkeqësisht nuk mund të themi të njëtën gjë për sa i përket  elementëve esencialë, që duhet të përmbajë një etiketë e që shpesh mungojnë mbi të. Etiketa është thelbësore si për orientimin e konsumatorit, por edhe për një mori informacionesh shumë të rëndësishme mbi verën dhe karakteristikat e saj, por ky është një reflektim tjetër.

Pikërisht pse treguesit mbi etiketë duhet të jenë të qartë, të mjaftueshëm dhe të verifikueshëm, edhe Bashkimi Evropian ka imponuar përmes normash të saktësuara uniformimin e disa standarteve në nivel evropian. Nuk duhet të mungojnë pra elemente si: emri i verës, kategoria së cilës kjo i përket, emri dhe forma juridike e prodhuesit, grada alkoolike dhe eventualisht çka mund të shtohet nga sheqernat e pafermentuara. Disa informacione për vreshtin a teknikat e vëna në jetë do të ishin një vlerë e shtuar.

Por t’i kthehemi edhe njëherë blerjeve spontane, jo gjithmonë etiketa e amballazhimi kanë qenë rrezatues apo të drejtpërdrejtë përmes imazheve. Nganjëherë kanë zgjuar dëshirën prej të apasionuari edhe etiketa të realizuara me letër të ricikluar, e pa siguruar shërbimin e ndonjë grafisti e designer-i gjenial, të paktën kështu ka ndodhur me të nënshkruarin më tepër se një njëherë.

Nganjëherë edhe një numër mbi etiketë fare të thjeshtë që tregon se prodhimi është i një edicioni të kufizuar, shkruar mbi etiketën e thjeshtë, të mbush me siguri e padurim për të shijuar. Tepër e vështirë bëhet në fakt, të flasësh me objektivitet për sqimën e etiketave në mbarë botën, pasi shijet janë shumë subjektive edhe pse sipas të ndjerit Eko, studiues i semiotikës, “e bukura ka kritere të sakta… Dhe çdo epokë ka rregullat e saj”.

Etiketa pra është e rëndësishme dhe mund të kthehet në vendimtare në disa raste, prandaj kur nuk bëhet fjalë për verëra legjendare e shekullore, prodhuesi mund dhe duhet të “guxojë” përmes etiketave.

Një këshillë verëtarëve vendas apo ideuesve të etiketave: më pak të shndritshme, dhe më shumë fokus mbi elementë që sjellin ndërmend territorin ku lind vera.

Leave a Reply

Back to top button