Sport

Rusia ka frikë

Screen Shot 2015-06-05 at 21.04.13

Pas largimit të papritur të shefit të FIFA-s, Joseph Blatter, në perëndim po diskutohet gjithnjë e më fort për rialokimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi (2018) dhe në Katar (2022). Por Moska po reagon me qetësi të theksuar. Dorëheqja e presidentit të Federatës Botërore të Futbollit e ka befasuar Rusinë, tha zëdhënësi i Putinit Dimitri Peskov të mërkurën. “Më e rëndësishmja është se përgatitjet e Rusisë për Kupën e Botës 2018 vazhdojnë”, tha ai. Edhe ministri rus i sportit, Vitaly Mutko, shprehu optimizëm. “Ne nuk shohim rrezik”, tha Mutko në një takim përgatitor të Kampionatit Botëror në qytetin jugor rus Rostov-mbi-Don.

Aleanca e Putinit me Blatter

Largimi i Blatterit pa dyshim është një goditje e rëndë për Rusinë. Një ditë pas rizgjedhjes së shefit të diskutueshëm të FIFA-s, të premten e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi atij një telegram urimi në Zyrih. Në të ai vlerësonte “përvojën, profesionalizmin dhe reputacionin e lartë”, të presidentit të FIFA-s. Për drejtësinë perëndimore, gazetarët, funksionarët e futbollit dhe politikanët, të cilët kishin kërkuar që Blatter të japë dorëheqjen pas skandaleve të fundit të korrupsionit, mesazhi dukej si tallje.

Vetëm disa ditë më parë Putini sulmoi drejtësinë amerikane për shkak të hetimeve kundër zyrtarëve të FIFA-s. Shefi i Kremlinit shihte aty një përpjekje për të parandaluar rizgjedhjen e Blatter-it dhe përmendte motivet politike. “Dihet presioni ndaj Blatter-it, “me qëllim për të ndaluar Kampionatin Botëror në Rusi”.

Igor Lebedev i konsideron pa bazë akuzat ndaj FIFA-s për korrupsion lidhur me alokimin e Kampionatit Botëror, por thotë se duhen pritur rezultatet e hetimit. Për një pikë është i bindur zëvendëskryetari i Dumës ruse dhe kandidati për postin e kryetarit të Federatës ruse të Futbollit: se hetimi kundër FIFA-s ka motive politike. “Jam 99 për qind i sigurt që hapat aktualë kundër FIFA-s kanë të bëjnë me përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit dhe sanksionet perëndimore kundër Rusisë”, i tha DW deputeti i partisë populiste të djathtë dhe të afërt me Kremlinin LDPR.

Mbi të gjitha SHBA është forca lëvizëse prapa largimit të Blater-it, beson Lebedev. Shefi i ri i FIFA-s do të jetë për këtë arsye dikush, që mbështetet nga Uashingtoni. “Në këtë rast ndoshta do të dalë në rend të ditës një ndarje e re e shortit për Kampionatin Botëror të Futbollit 2018, që për Rusinë është skenari më i keq”, druhet Lebedev. Ai shpreson megjithatë që kjo të mos ndodhë.

Koha luan për Rusinë

Çfarë mendojnë në qarqet e ekspertëve rusë pas largimit tö Blatterit? Po të kishte patur me të vërtetë prova të forta për një alokim të korruptuar të Kampionatit Botëror në Rusi, ajo do të ishte publikuar ndërkohë, shkruan Igor Rabiner nga gazeta e përditshme prestigjioze Sport-Express në blogun e tij. Për shkak se nuk ka ndodhur, ndoshta dorëheqja e Blatterit nuk do të ketë “pasoja fatale” për Rusinë. Frika është më e madhe se rreziku i vërtetë. Po aq optimistë tregohen edhe lexuesit e gazetës së tij. Sipas një sondazhi në internet 53 përqind e të anketuarve besojnë se Kampionati Botëror 2018 do të mbetet në Rusi.

Edhe Dmitri Navosha, drejtor i portalit online Sports.ru ka një optimizëm të rezervuar. “Askush nuk mund të thotë në këtë moment, se si mund të ndikojë largimi i Blatterit në Kampionatin Botëror në Rusi”, tha ai në një intervistë me DW. Duhen pritur detajet e hetimeve. Por ddhe në qoftë se dëshmohet për korrupsion, nuk do të ketë tërheqje automatike të Kampionatit Botëror: “Mbetet shumë pak kohë”. Probabilitetin, që kjo tö ndodhë tani, eksperti i futbollit nga Moska e vlerëson me “më pak se 50 për qind”.

Platini kandidati i preferuar i rusëve?

Ashtu si në perëndim edhe në Rusi spekulohet për një president të ri të FIFA-s. Shefi i UEFA-s Michel Platini, një favorit në mediat perëndimore, do të ishte nga pikëpamja ruse një “kandidat i pranueshëm”, thotë politikani Lebedev. “Ndërmjet UEFA-s dhe Federatës ruse të Futbollit janë zhvilluar marrëdhënie të mira pune.”

Edhe Igor Rabiner i gazetës “Sport-Express” e konsideron Platinini një zgjedhje të mirë për Moskën. Francezi ka marrëdhënie të mira me kolegët e tij rusë në FIFA. Dhe ai është shprehur kundër bojkotit të Kampionatit Botëror. Nëse shefi i ri i FIFA-s do të jetë një tjetër , atëherë gjendja do të bëhej “shumë më keq”, thotë Rabiner.

Linku: http://www.dw.de/rusia-e-mban-fort-kampionatin-botëror-2018-dhe-ka-frikë/a-18497024

Leave a Reply

Back to top button