Nunc est Bibendum

Sass, një pasion në gotë… po jo për të gjithë

Sassicaia__DSC0987_800x533Nga Andi Qinami

Porositi një shishe Sassicaia për darkë – shkruante një e përditshme italiane para pak ditësh – e kur erdhi koha për të paguar faturën vuri re që shishja nuk kishte mbaruar e tëra. Kështu këngëtarja Rihanna, thërriti sommelier-in, t’i vinte tapën, dhe e mori me vete në shtëpi atë që kishte mbetur nga vera e Bolgheri-t.

Ashtu pa qeskë për transport e me fustanin e saj të kuq krejt sportiv – vetë paraqitja femërore vlen vëmendjen – doli nga restoranti “Giorgio Baldi” në Santa Monica me shishen në dorë dhe u largua.

Sa të ketë paguar, Rihanna, për një shishe Sass? 200 dollarë e lart. Një shifër që nuk përbën problem për një yll pop-i, që fiton, sipas Forbes, 48.000.000 $ në vit. Po mund të kishte zgjedhur fare mirë çfarëdo lloj vere tjetër prestigjioze ndërkombtare. Ashtu si edhe mund të kishte marrë një shishe të pahapur me vete…

Epo ja që s’u dashka çuditur nga Rihanna me “Sassicaia” në dorë. Na tregon se si një verë fisnike lindur për të kënaqur të mësuarit me të tilla, bëka shpejt për vete edhe shqisat shijuese të këngëtares së re në moshë e me ngjyrë, nga Bardados… edhe shqisat rafinohen me të shijuarit.

“Sassicaia” edhe sipas gazetarit, është vera më e famshme italiane në botë. Ajo u krijua nga Mario Incisa della Rocchetta dhe u hodh në treg vetëm pas një periudhe të gjatë konsumi privat.

Më e famshmja apo jo, “Sassicaia” që porsa lindi, ishte një verë krejt ndryshe nga ç’ishte prodhuar më parë në gadishull. Ishte viti 1962. Bolgheri nuk kishte qenë ndonjëherë i famshëm për ndonjë verë cilësore. Gjithçka prodhohej me sangiovese, varietet tipik toskan. Kurse “Sassicaia” bëhej me francezin (sot ndoshta më ndërkombëtari) cabernet sauvignon. “Sassicaia” nuk ishte frut i traditës, por i projektit të njeriut. Ishte vizioni i Markezit della Rocchetta dhe pati rrjedhojat revolucionare që njohim sot.

image18-500x747Në pronën e tij, të njohur si Tenuta San Guido, në Bolgheri, do të gjindej terreni ideal për Cabernet-in e huaj: “Sassicaia” që zbret nga ajo mbjellje e parë e sukseshme, meritoi dhe një emërtimin të origjinës së kontrolluar, si DOC i vetëm për këtë tipologji vere në Itali. Po të mos jetonim ku jetojmë, pra, në një vend ku perceptohet akoma e pavlerë futja e emërtimeve të origjinës, do të kuptohej se ç’do të thotë kjo.

Kjo e kuqe ngjiti menjëherë shkallët e renditjes botërore të verërave të cilësisë. Nuk ishte një rrugë e lehtë. Përkundër premisave të mira, kritikat e para të verës qenë pozitive, gjatë viteve nga 1948 deri në 1960, “Sassicaia” mbeti ngushtësisht private dhe u konsumua vetëm brenda pronës. Por Markezi vuri re që herët, se me moshë, vera përmirësohej. Siç ndodh me verërat e ‘’ngritura’’, tiparet e të cilave, që në fillim konsiderohen defekte, me kalimin e kohës, transformohen në virtyte si ato që globalisht i njihen “Sassicaia”-s. Miqtë dhe familja kurrë nuk reshtën së inkurajuari Markezin që ky të vazhdonte me përpjektet për përsosjen e stilit të tij revolucionar të vinifikimit. Zgjedhja e varietetit francez e përdorimi për të parën herë, i fuçive të lisit francez prej 225 litrash, quajtur barriques, ishte një sukses që u përhap menjëherë më pas, në të gjithë gadishullin.

Që në mesin e viteve shtatëdhjetë kjo verë, pa histori, dhe lindur në një zonë të panjohur, u kthye në një mit të vreshtarisë dhe verëtarisë italiane. Një “guximtar” i botës së verës, na thotë se në një farë mënyre të gjithë verërat moderne italiane janë pasardhëse të “Sassicaia”-s.

Thonë se një pjesë e suksesit të fituar është edhe vetë emri ezoterik që e bën Sass-in special e të ndryshëm nga të tjerët. Prania e dendur e elementit shkëmbor, çdo vit nxjerr në sipërfaqe guralecë të rinj, copëza mali që i bëhen djep nektarit të vyer. Ja kështu e përshkruajnë vetë të zotët e shtëpisë, oazin e tyre. Eshtë e mundur që prej origjinës së terrenit të vijë dhe topònimi Sassicaja, apo Sassicaia, i përdorur tashmë prej 150 vjetësh.

Si për të shtuar çudinë, që prej 2002 ekziston edhe një urdhër kalorësiak që quhet “Cavalieri amanti del Sassicaia” së bashku me ritualet dhe selinë e tij. Por pavarësisht këtyre fantazive apo shfrenimi pasionesh, “Sassicaia” është me të vërtetë më e vetme se e rrallë.

“Sassicaia” nuk do t’i pëlqejë shumë asnjëherë atyre që nisen… vetëm nga verërat e Bordeaux-së. Sepse duan ta shohin thjesht si një Bordeaux jashtë zone. “Sassicaia” as nuk ka të bëjë fare me Bordeaux-në.

Është më pak e “rreptë”, më e dashur, më e butë, pothuajse asnjëherë shumë e përqëndruar, e dmth e trashë po të më lejoni termin, është një verë fine dhe xhentile. Dhe është jetëgjatë shumë jetëgjatë. Megjithëse tingëllon paradoks, versioni më i famshëm dhe më i fuqishëm, është ai i vitit 1985, qëështë në të njëjtën kohë edhe versioni më i pazakontë. Kush do të njohë me të vërtetë, Sass-in, versioni për të provuar – një njohës na këshillon – është 88-ta e si të mëvonshëm 98-ta apo 2001-shi, ndoshta duke i pritur edhe ndonjë vit tjetër më tepër këta dy të fundit.

“I froze my ass for eightyfive Sass” shkruante para disa vitesh një tregtar kanadez, të cilit meqë në Kanada nuk lejohet shitja e lirë e verës dhe pijeve alkoolike – ­kjo është e mundur vetem pranë selive të monopolit të shtetit – iu desh të bënte një rradhë shumë të gjatë deri jashtë pikëshitjes, në një temperaturë minus njëzetë gradë celcius, për të arritur të blinte sasinë e Sass-it që i duhej.

Konceptuar në vitin 1962, kjo verë u shfaq për të gjithë vetëm në 1971-shin, si vjelje e 1968-ës, që ishte në fakt një përzierje e versioneve të 1965-ës, 1967-ës dhe 1967-ës, por që atëherë,është një mit Italian në botë, kurorëzim i pasionit. Sa keq që jo për xhepin e të gjithëve.

Leave a Reply

Back to top button