Teknologji

Sekrete të errëta në shitje

Screen Shot 2015-03-02 at 2.37.56 PMNjë faqe e re interneti, që i lejon njerëzit të shesin dokumente sekrete online, do t’ia bëjë më të lehtë jetën informatorëve

Kris Baraniuk

Shshshtttt, doni të dini një sekret? Ju vetëm duhet të më jepni më parë, disa të holla. Kjo është mënyra sesi krijuesit e uebsajtit “Darkleaks”, një “treg i zi, ku ju mund të shisni informacione”, e imagjinon sesi do të veprojë brezi i ardhshëm i informatorëve anonimë.

Ndikimi i këtyre të fundit sot, nuk ka qenë kurrë më i madh: nga zbulimet e Eduard Snoudenit mbi përgjimin masiv nga ana e NSA-së amerikane, deri tek punonjësit e bankës zvicerane “HSBC”, të cilët kanë bërë publike përpjekjet e bankës për të ndihmuar klientët të fitojnë qindra miliona dollarë, përmes shmangies së pagimit të taksave.

Por jo të gjitha rrjedhjet e informacionit janë në interes të publikut. Për shembull, ka pasur edhe një rritje të madhe të rrjedhjes së informacioneve dashakeqe, sikurse ishin 500 fotografi private të personave të famshëm, të cilat u shpërndanë në internet gushtin e vitit të shkuar. Darkleaks-i, mund të lehtësojë të gjitha llojet e zbulimit, pozitive dhe negative, nëpërmjet një tregu anonim.

Shërbimi është në dispozicion, duke u shkarkuar nga interneti si një paketë softueri me një çmim të lirë, dhe kodi i tij burimor është publikuar haptas online, nëpërmjet uebsajtit “Github”. Përdoruesit mund të ngarkojnë një dokument me një përshkrim, që mund të shihet nga çdo blerës i mundshëm, që po navigon në ueb. E gjitha kjo, bëhet brenda për brenda softuerit.

Projektuesit e uebit, thonë se individët mund të dëshirojnë të përdorin shërbimin për ankande anonime jashtë “sekreteve tregtare”, “inteligjencës ushtarake” dhe “provave të evazionit fiskal”, apo gjëra të tjetra më të “pista”. Darkleaks-i premton të kryejë transaksione për këtë lloj materiali anonim.

Një njoftim në një blog post këmbëngul: “Nuk ka identitete, nuk ka operator qendror, as ndërveprim midis informatorit dhe blerësit”. Në vend të kësaj, dokumentet janë ndarë në pjesë të vogla, të dekriptuara nga Darkleaks-i, dhe që i shtohen bllokut të zinxhirit Bitcoin, një regjistër pagesash. Kjo është e mundur, sepse transaksionet e vogla mes Bitcoin-it mund të përdoren nga dikush për të ruajtur të dhënat në bllok.

Në fakt, ka tashmë shërbime si “Storj”, që ofrojnë ruajtjen e të dhënave në këtë mënyrë. Ç’është më e rëndësishmja, pjesë të shkurtra të dokumentave do të dalin në shitje për blerësit potencialë, në mënyrë që ata të mund të verifikojnë përmbajtjen e saj, para se të kryejnë një transaksion për të gjithë dosjen. Kur ata e marrin këtë angazhim, dhe shitësi pretendon Bitcoin-nët e tij, në faqe do të shfaqet një kod, që do t’i lejojë blerësit të dekriptojë dokumentin në fjalë.

Ky është vetëm një aspekt i një serie “platformash” për rrjedhjen e informacioneve të ndjeshme, të cilat janë shfaqur vitet e fundit. Nga WikiLeaks tek softueri “SecureDrop” i gazetës brianike “The Guardian”, tashmë ka shumë portale teknologjike, në të cilat informatorët mund të përpiqen të zbulojnë ndonjë sekret. Edhe projektet si “GlobaLeaks” shpresojnë të krijojnë një forum të decentralizuar për publikimin e informacionit. Megjithatë, deri tani asnjë nga këto shërbime nuk ka kryer një pagesë direkte, për një informacion të cakuar.

Pra, a është aspekti financiar, vërtetë i nevojshëm? Eni Mashon, një ish-oficere e inteligjencës britanike MI5 dhe një informatore, thotë se është për të ardhur keq, që Darkleaks-i e ka barazuar rrjedhjen e sekreteve, me shitjen e informacionit. Ky është edhe mendimi i Beatriçe Eduards, drejtoreshë ekzekutive e Projektit Qeveritar të Llogaridhënies në SHBA. “Kur ju shisni informacione, nuk jeni realisht një informator, sipas përkufizimit ligjor që ka thuajse çdo vend” – thekson ajo.

Ajo ndodh vetëm në rrethana të veçanta, sikurse janë shërbimet financiare të SHBA, kur informatorët mund të marrin një pjesë të gjobës që vendoset ndaj korporatës ku ata punojnë, dhe ku kjo është e sanksionuar në ligj. Megjithatë, Eduards shton se klima aktuale mund të nxisë informatorët të ndërmarrin hapa të pazakontë për të mbrojtur veten e tyre, dhe të publikojnë informacion në interes të publikut.

Të punosh nën rrogoz

“Ne kemi vërejtur në SHBA, një qëndrim gjithnjë e më ndëshkues nga ana e qeverisë, ndaj informatorëve. Kjo mund t’i detyrojë këta të fundit të shkëmbejnë informacionin në rrugë tokësore. Dhe kjo pasi administrata Obama i ndjek penalisht, ata që publikojnë infomacione të rezervuara mbi sigurisë kombëtare, në vend të mbrojtjes së tyre” – thotë Machon. Ajo thekson se ky lloj komunikimi bëhet i domosdoshëm.

“Në këtë periudhë, ne po kërkojmë për ‘luftëtarë’ të shkathët të lirisë informacionit, që rradhiten sërish kundër fuqive të homogjenizuara të korporatave dhe organizmave shtetërore, për të mbrojtur të drejtat tona themelore të njeriut” – vlerëson ajo. Xhejms Jang është avokat në studion ligjore ndërkombëtare “Morgan & Morgan”, i cili përfaqëson informatorët në industrinë financiare.

Ai thotë se ata, që dëshirojnë të vënë në dukje veprimet antiligjore, kanë shprehur nevojën për kanale më të sigurta komunikimi. “Informatorët, kanë nevojë për fshehtësi dhe siguri, për ndarjen e informacionit me mediat e lajmeve, avokatët, qeverinë apo cilindo tjetër, që mund të jetë personi i duhur për të marrë atë. Me atë që ne dimë për celularët dhe internetin, nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për të bërë këtë” – shprehet Jang. Disa mund të vënë në dyshim, anën e errët të Darkleaks-it.

Një nga kritikat, është se përdoruesit nëpërmjet shërbimit, mund të publikojnë “fotot seksi të vipave”. Tashmë, një individ pretendon se zotëron mijëra fjalëkalime dhe mesazhe private nëpërmjet faqes, edhe pse kjo ende nuk është vërtetuar. Për Eduards, ky është vendi, ku përkufizimi i informatorit zbehet. “Në dallim nga një informator, një vjedhës ndjek interesin e tij. Dikush që shet informacione, dhe ka nevojë për një shkëmbim anonim të tyre, ndoshta është dikush që i përshtatet kësaj lloj faqjeje” – thotë ajo. Kodi Uilson, është një anarkist dhe bashkë-themelues i “Dark Wallet”, një portofol dixhital Bitcoin, që premton të kryejë transaksione, që janë praktikisht të pamundura për t’u gjurmuar. Uilson nuk është përfshirë në krijimin e Darkleaks-it, por thotë se e sheh me interes këtë shërbim.

“Është një hap i nevojshëm, për zhvillimin e teknologjive të decentralizuara” – thotë ai, duke argumentuar se korporatat dhe dominimi i shtetit duhet të sfidohen në mënyrë më agresive nga ana e publikut. Uilson, mori një famë të keqe në vitin 2012, kur filloi Projektin “Wiki Weapon”, që i mundësoi cilitdo të shkarkonte armë 3D të printuara, nëpërmjet internetit. A do të vuajnë njerëzit si pasojë e rrjedhjeve nëpërmjet Darkleaks-it? “Pa dyshim, do të ketë viktima” – thotë ai. /New Scientist/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button