Your Life

Sekretet e mirësisë, sipas “njeriut më të lumtur në botë”

miresia

I pagëzuar si “njeriu më i lumtur në botë” nga studimet shkencore mbi trurin e tij, Matthieu Ricard ndan me publikun sekretet e tij për të nxitur mirësinë dhe mirësjelljen te çdo njeri.

Nëse të qenët një person më i mirë dhe më i sjellshëm është një qëllim që ia keni vendosur vetes, Matthieu Ricard ka disa lajme të mira për ju. Mirësia çon direkt e në lumturi, thotë murgu budist 69-vjeçar.

Ricard, i pagëzuar si njeriu “më i lumtur në botë”, ka qenë pjesë e disa ekzaminimeve shkencore me skanerë, ku studiuesit kanë zbuluar nivele të pazakonta lumturie në aktivitetin e trurit të tij, nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në fakt.

Sekreti i Ricard për lumturinë?

“Nuk e di nëse është befasuese apo paradoksale, por gjëja e mirë që njerëzit mund të bëjnë për të qenë të lumtur, është të bëjnë diçka për të tjerët”, thotë ai në një intervistë për programin amerikan “Today Show”.

I lindur në Francë, Ricard fitoi një doktoraturë në biologjinë molekulare në vitet 1960, ndërsa studionte gjithashtu për budizëm. Me kalimin e kohës, ai e la karrierën e tij dhe u zhvendos në Himalaja për të jetuar si një murg. Megjithatë, kërkimi i tij nuk ndaloi kurrë.

Interesi i Ricard në lidhje midis mirësisë dhe lumturisë çoi në publikimin e disa librave, përfshirë edhe bestsellerin ndërkombëtar të vitit 2015, Altruizmi: Pushteti i dashamirësisë në ndryshimin e vetes.

Një revolucion altruist

Veprimet e kryera, duke pasur në mendje mirëqenien e të tjerëve, mund të na transformojnë një e nga një, ndërsa më në fund të krijohet një “revolucion altruist”, thotë Ricard.

Ai e përkufizon altruizmin si thjesht “dëshirën që të tjerët të jenë të lumtur”. Ka pasur shumë studime që kanë treguar se njerëzit që japin, janë ndjeshëm më të lumtur, thotë Ricard, duke cituar psikologen kanadeze, Elizabeth Dunn, në studimin e saj për të rriturit që japin shuma të mëdha parash. Një grup i pjesëmarrësve në studim, u instruktua të shpenzojë para për veten. Të tjerëve iu kërkua t’i ndajnë paratë.

“Disa blenë dhurata për fëmijët që njihnin, të tjerë blenë bileta lotarie dhe ua dorëzuan të huajve ose i dhanë kafe dhe sanduiçë personave pa shtëpi”, thotë Ricard.

Në fund të ditës, njerëzit që shpenzuan para për veten, nuk ishin as më të lumtur as më pak të lumtur se në fillim të ditës. Ndërkohë, njerëzit që shpenzuan para për të tjerë, ishin konsiderueshëm më të lumtur sesa në fillim të studimit.

Sigurisht, njerëzit e përqendruar te vetja, domethënë që e vënë atë mbi çdo gjë, mund të marrin atë që duan në një kuptim imediat, por kjo lloj lumturie nuk zgjat shumë. Sipas Ricard, këta njerëz së shpejti e humbasin lumturinë me arsye të reja, për ta vënë veten përpara të tjerëve, dhe kështu cikli vazhdon.

“Për ta, emocionalisht është ‘unë, unë, unë gjatë gjithë ditës’. Kjo nuk të bën më të lumtur, por në fakt më të dëshpëruar ndonjëherë.”

Më e keqja është se ju do të silleni në mënyra që shumica e njerëzve nuk do t’i shohin si shumë të mira, ndaj marrëdhëniet tuaja do të degradojnë. “Cilësia e marrëdhënieve njerëzore është një nga faktorët kryesorë të mirëqenies dhe lumturisë”, thotë murgu.

Dëshironi të jetoni një jetë të mbushur me mirësi dhe lumturi? Ja këshillat e njeriut më të lumtur në botë.

Kultivoni marrëdhënie dashamirëse

Çelësi për të qenë i lumtur është të kujdeseni për të tjerët aq shumë, saqë të vini lumturinë e tyre në radhë të parë. Kjo e bën edhe njeriun tjetër po aq të lumtur.

Zhvilloni veti të brendshme pozitive

Nuk ka qendër lumturie në tru. Lumturia vjen nga një grup cilësish bazike njerëzore, sipas Ricard. Ai i quan këto cilësi “të mira lulëzuese”, si për shembull, dashamirësia dhe solidariteti me ndjenjat e të tjerëve. “Është një liri e brendshme”, thotë ai. “Liria nga antipatia, liria nga smira, liria nga grishja për më shumë – të gjitha këto helmuese për lumturinë tuaj dhe të të tjerëve”.

Përqendrim në vlerat e brendshme

Shijojeni një pamje të bukur për atë që është, thotë ai. Shijojeni një moment në shtëpi kur jeni ulur në qetësi ose kur jeni në një qytet të madh me shumë drita – gjithçka është e bukur.

Shëtisni në natyrë

Ne jemi të lidhur me natyrën, thotë Ricard. Të qenët larg natyrës, mund t’i bëjë njerëzit të stresuar, shkruan Shqip. Sipas një studimi, pacientët e marrin veten më shpejt nga depresioni, nëse shohin natyrën nga dritarja e spitalit.

Mësoni meditimin

Kërkimet tregojnë se meditimi për 20-25 minuta në ditë për vetëm tetë javë, nxit empatinë dhe pakëson stresin. Por më parë kuptoni procesin e meditimit, nuk është thjesht zbrazja e mendjes apo bllokimi i mendimeve dhe relaksi. “Meditimi ka të bëjë më shumë me mendimet e mira dhe të dashura”, thotë murgu më i lumtur në botë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button