Sport

Sep Blatter: Sarkozy ua vodhi amerikanëve Botërorin 2022. “Koka” ime u pre nga komploti anglo-amerikan

Dorëheqje e detyruar nga posti i tij, gjashtë vite pezullim për mosrespektim të kodit etik, shumë ryshfete e kontrata në të zezë dhe 2 milionë franka të paguara Mishel Platinisë në vitin 2011. Edhe pse me gjithë këto akuza të konfirmuara tashmë në dëm të tij, ish-bosi i FIFA-s për 18 vite, Josef Blater, rikthehet të flasë dhe të akuzojë se ai ka vuajtur mbi shpatulla një komplot të madh dhe tregon edhe disa prapaskena.

KOMPLOT DHE “KATAR 2022”

“Komiteti Ekzekutiv kishte një akord: Kupa e Botës 2018 duhej të shkonte me çdo kusht në Rusi, ajo e radhës në SHBA. Ishte një urë lidhëse ideale. Shtetet që kishin bërë Luftën e Ftohtë mes tyre prej vitesh bashkoheshin vetëm nga futbolli. Por ndërkohë planet u hodhën në erë. Në Francë komandonte Sarkozi dhe në atë kohë bënte pazare me atë princin trashëgimtar të Katarit, sot Emiri i vendit, Tamim bin Hamad al Thani.

Të dy u takuan në Elize dhe në darkën e tyre thirrën edhe Platininë, në atë kohë president i UEFA-s dhe i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që mbështeste kandidaturat Rusi-SHBA. Me të mbaruar takimi, Platini më telefonoi: ‘Sep, kam një problem dhe nëse e kam unë, e ke edhe ti. Sarkozi më kërkoi të votojmë Katarin dhe më kërkoi që edhe miqtë e mi të shkonin në atë drejtim’.

Unë nuk isha dakord, por në fund fitoi Katari. Presidenti Obama nuk u nervozua, por anglezët po, ata po që u nervozuan dhe më pas më vunë në shënjestër. Thyerja e Kodit Etik? Çfarë thoni, ishte thjesht një komplot i madh ndaj meje. Amerikanët kërkonin një kokë, timen, dhe në fund e morën atë me shantazhimin e Komisionit Etik. Dhe të mendosh që ishte faji im, sepse isha unë që futa një amerikan aty. Nuk duhej ta bëja… Gjithsesi, misioni im nuk ka përfunduar…

Fundja, më ka pezulluar vetëm një gjykatë sportive, por i gjithë hetimi i komisionit la përshtypjen e qartë se kishte të bënte vetëm me një komplot gjigant. Edhe drejtësia nuk më hoqi asnjë nga akuzat, prandaj jam i bindur që në fund e bënë gjithçka amerikanët dhe anglezët, sidomos anglezët.

Ndërkohë, unë dhe Platinija nuk u dënuam as për korrupsion, as për rryshfet, por për menaxhim të dobët. Gjithsesi, e them me bindje se ato 2 milionë franka, FIFA ia detyronte Platinisë për punën e bërë. Mungesa e pjesëmarrjes në podium për Italinë? E vërteta është se Italia e meritoi Botërorin 2006 që ta fitonte, por nuk dua të flas për këtë episod, edhe pse nuk është se kam qenë ndonjëherë një figurë e dashur për italianët”, përfundoi ish-presidenti i FIFA-s.

Leave a Reply

Back to top button