Nunc est Bibendum

Si dikur… “Orange wines”

Nga Andi Qinami

1394420_10201472017414905_1883800439_nI quajnë Orange wines sot, verëra si Ribolla Anfora 2006 e prodhuesit Gravner apo Vitovska MM9 (2009) e Vodopivec, për të përmendur ndonjë pak më të famshme. Së fundmi janë vlerësuar me disa çmime dhe jane verëra që më shumë se të tjerat ngjajnë me ato “që shkuan”. Verërat që pinin grekët dhe romakët, apo edhe asirët e babilonasit para tyre (kush t’ua ketë mësuar prodhimin e verës? Jam shumë kurioz…) për ne do të ishin në kufinjtë e pranueshmërisë. Kjo mu kujtua teksa lexoja mbi vlerësimet e Orange wines.

Ky është përkufizimi i atyre verërave që përftohen nga lënia e gjatë e lëkurave të rrushit të bardhë në mushtet e fermentuara. Alkooli i krijuar nxjerr prej tyre substancat aromatike dhe polifenolet, duke i dhuruar verës më shumë ngjyrë se zakonisht, në varësi të kohëzgjatjes së kontaktit me këto lëkura, e duke e bërë atë më të ngjashme me verërat e kuqe.

Ky fenomen tashmë është ndërkombëtar. Orange wines më të famshme e më antike vijnë praktikisht nga Gjeorgjia dhe nga Krimea, por të tilla gjinden edhe në Itali, sipas një njohësi, drejtues i një guide prestigjioze verërash, i cili shton edhe ndonjë emër tjetër prodhuesi nga Sardegna në listën e të sipërpërmendurave, që vijnë nga verilindja e Bel Paese-s.

Kjo lloj vere, e cila është duke gëzuar jo pak sukses, sidomos mes konsumatorëve të rinj dhe atyre më të ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit, ka, si të gjitha verërat, të mirat dhe të këqijat nga pikëpamja teknike. Ky produkt është mjaft tërheqës, përftohet me infuzione të gjata me lëkurat e rrushit, si të bëhej fjalë për një çaj alkoolik. Kështu mundësohet një nxjerrje thuajse e plotë e të gjitha substancave që gjenden aty dhe rekuperohet një kompleksitet organoleptik me të vërtetë interesant.

19dining3E keqja është se me një sistem vinifikimi si ky, pjesa më e madhe e ekzaltimeve primare dhe e karakterit të një lloji të caktuar të rrushit/tipicitetit të varietetit, humbin për shkak të kontaktit të zgjatur me oksigjenin, i cili i “rrëzon” këto substanca. Janë pra verëra për të cilat, proçesi i prodhimit dhe teknika e vinifikimit, është më e rëndësishme se sa identiteti/varieteti i rrushit dhe pjesërisht edhe origjina e tij.

Nuk bëhet fjalë për risi të mirëfilltë. Verërat e antikitetit bazoheshin tamam në këto elemente, dhe sipas mendimit të rrëfyesit tonë, Orange wines janë trashëgimtarët me direktë të verërave që piheshin gjatë epokave greke e romake… në fakt deri para disa shekujsh. Por sqima qëndron dhe këtu. Ka nga ata që i keqkuptojnë e i shohin si verëra tepër natyrale. Kurse ato janë më shumë, shumë kulturore, janë frut i teknikës së rekuperuar nga një kulturë materiale e moçme. Gjatë prodhimit të tyre nevojitet një vëmendje shumë e lartë në të gjitha fazat, sepse në të kundërt, rreziku do ishte të formoheshin acetate e oksidime që i homologojnë verërat, duke i bërë të padallueshme njëra-nga tjetra dhe duke i çuar në një dekadencë organolektike.

Fenomene si këto mund të hasen rëndom nëpër realitete urbane apo ekstraurbane edhe tek ne, ku pamvarësisht sektorit, traditat e cliché-të, përzihen me bindjet personale apo fantazitë e pseudo-verëprodhuesve. E këtu verëdashësi “prish shijen”, teksa shijon lëngun akoma musht, apo që ka humbur karakteristikat prej ekspozimit të tejzgjatur ndaj bërsive, ose është kthyer në uthull… e kështu me rradhë.

Kujt nuk i ka ndodhur të dëgjojë të paktën njëherë, prej një të njohuri: “… ah e bën vetë verën, shumë të mirë e bën”.

Por definitivsht … ka një listë të madhe arsyesh pse clarets, verërat moderne të shekullit të XVII-të, erdhën deri tek ne si të vetmet protagoniste.

Leave a Reply

Back to top button