Nga Arthur C. Brooks
Sizifi, mbreti i Efirës, ishte i famshëm në mitologjinë greke për zgjuarsinë e tij. Ai ishte aq i zgjuar sa që mashtroi 2 herë vdekjen, duke i zemëruar Perënditë. Ata u kundërpërgjigjën duke e dënuar Sizifin me një torturë të përjetshme: Atij iu desh të ngjiste një gur të madh në majën e një kodre.
Sapo arrinte në majë, guri rrokullisej sërish poshtë, dhe Sizifi detyrohej t’ia fillonte nga e para, pafundësisht. Sot çdo detyrë që ndërthur lodhjen, luftën, stresin dhe kotësinë mund të quhet një “torturë e Sizifit”. Mendoni pak për ata që punojnë në kompanitë e shërbimit ndaj klientit, dhe që detyrohen të merren gjatë gjithë ditës me njerëz të zemëruar, ndërkohë që kushtet që krijojnë këtë sjellje agresive të klienti nuk ndryshojnë kurrë.
Por dikush mund të thotë gjithashtu se e gjithë jeta jonë është një torturë sizifiane:ne hamë për të qenë sërish të uritur, bëjmë dush për t’u bërë sërish pis, ditë pas dite, deri në fund të jetës. Absurde, apo jo? Albert Kamy, filozof dhe babai i një shkolle të tërë mendimi të quajtur absurdizëm, mendonte kështu.
Në librin e tij të vitit 1942, Miti i Sizifit, Kamy e identifikon Sizifin si ikonën e absurdit, duke vënë në dukje se “përçmimi i tij për Zotat, urrejtja për vdekjen dhe pasioni i tij për jetën, i dhanë atij dënimin e papërshkrueshëm, tek i cili mbështetet e gjithë qenia, për të mos arritur në fund asgjë.
Ndryshim i këndvështrimit
Do të ishte e lehtë të arrihej në përfundimin se një pikëpamje absurde mbi jetën e përjashton lumturinë. Por në librin e tij, Kamy thotë që ne “duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur”. Mund të duket e pamundur, por në fakt kjo kthesë e papritur në filozofinë e jetës dhe lumturisë së Kamy mund t’ju ndihmojë të ndryshoni këndvështrimin tuaj dhe t’i shihni në një mënyrë të re dhe më të qetë përpjekjet tuaja të përditshme.
Vuajtja dhe pakënaqësia e pafundme kuptohen si temat mbizotëruese të jetës në filozofitë lindore dhe perëndimore. E vërteta e parë fisnike e Budizmit është se jeta është vuajtje. Po ashtu filozofi i krishterë i shekullit XVII Blez Paskal shkroi mbi palumturinë e vazhdueshme dhe përpjekjet tona të kota për ta luftuar atë: “Qeniet njerëzore kërkojnë qetësi kur janë duke u përballur me vështirësitë; dhe kur i kanë mposhtur këto të fundit, qetësia bëhet e padurueshme”. Në të dyja traditat, lumturia nuk është veçse një ndërprerje e shkurtër në ritmin e trishtuar të jetës.
Në vend se të dëshpërohemi për kotësinë e jetës, Kamy na thotë të pranojmë dimensionin e saj qesharak
Në librin e tij Kamy e pranon kotësinë e detyrës së Sizifit si dhe paralelet e dukshme të saj me jetën tonë të përditshme. Por ai argumenton se pavarësisht nga vështirësitë e kësaj bote, qeniet njerëzore përjetojnë rregullisht lumturinë e vërtetë. Në situata të vështira, njerëzit kanë dashuri për njëri-tjetrin.
Ata kënaqen me rikrijime të thjeshta. Sipas Kamy edhe Sizifi ishte i lumtur “sepse përpjekja e tij për të arritur një kulm mjafton për të mbushur zemrën e një njeriu”. E thënë thjesht, ai kishte diçka që e mbante të zënë. Ky përfundim e çoi Kamy drejt një strategjie jetese që është krejtësisht në kundërshtim me shumicën e filozofëve ekzistencialistë të dy shekujve të fundit. Në vend që të dëshpërohemi mbi kotësinë e jetës, Camus na thotë të pranojmë dimensionin e saj qesharak. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, kjo është e vetmja rrugë drejt lumturisë, emocioni më absurd nga të gjithë.
Ne nuk duhet të përpiqemi që t’i japim një kuptim universal rutinave tona të pandërprera: blerjes, shpenzimeve, ngrënies, punës, shtytjes së gurëve tanë të vegjël lart kodrave tona të vogla, thotë ai. Në vend të kësaj, duhet të qeshim me zë të lartë se çdo gjë që bëjmë nuk ka kuptim, e megjithatë prapë të jemi të lumtur.
Për Kamy lumturia është një deklaratë e pavarësisë ekzistenciale. Në vend se të na këshillojë “Mos u shqetëso, ji i lumtur”, ai na thotë “Thuaji Universit të kthehet diku tjetër, ji i lumtur”. Nëse pranimi i dimensionit qesharak të kësaj bote ju duket i pamundur, Kamy thotë se kjo është vetëm për shkak të krenarisë suaj.
“Ata që vendosin parimet përpara lumturisë së tyre, refuzojnë të jenë të lumtur, pavarësisht nga kushtet që u duken thelbësore për të qenë të tillë”- shkroi ai disa vjet pas esesë së tij mbi Sizifin. Për më tepër, “nëse e gjejnë veten të lumtur, e cilësojnë veten të pafuqishëm, të palumtur, sepse janë privuar nga pakënaqësia e tyre”.
Këshilla praktike që vijon është e qartë: nëse keni një moment të pashpjegueshëm lumturie në një botë të vështirë, gëzojeni pa menduar shumë për të. Ne duhet të jemi në gjendje të bëjmë më mirë sesa vetëm të mbështetemi tek qetësia për të përfituar lumturinë e rastësishme. Realiteti është se secili prej nesh mund ta zbatojë me vetëdije absurditetin e Kamy për të krijuar një jetë më të lumtur. Ja cilat janë 3 mënyra praktike për të gjetur lumturinë në qesharake.
Rezistojini lodhjes
Kur përjetoni një palumturi ekzistenciale – një ndjenjë se gjithçka është e pakuptimtë – heqja dorë nga jeta mund të duket si strategjia më e thjeshtë. Por këtu duhet të hyjë në lojë apeli i Kamy për rebelim. Njeriu nuk mund të ndryshojë domosdoshmërisht perceptimin e tij mbi botën, por siç e përmenda më lart, mund të ndryshojë mënyrën e reagimit ndaj këtij perceptimi. Trajtojeni ndjenjën e mungesës së shpresës me një moto personale, p.sh. “Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, por e di që jam gjallë në këtë moment, dhe nuk do ta humbas këtë moment”. Përsëriteni me zë të lartë, në mënyrë që ta kuptoni plotësisht dhe me vetëdije.
Kërkoni mundësinë për të bërë diçka të mirë
Ndjenja e pavlefshmërisë rritet kur përqendroheni tek gjërat e mëdha që nuk mund t’i kontrolloni – luftërat, fatkeqësitë natyrore, urrejtja – në vend të gjërave të vogla që mund të bëni. Midis këtyre gjërave të vogla është ndihma për të tjerët. Për shembull, nëse udhëtimi juaj është një makth ekzistencial që të mbyt shpirtin, mos villni vrer për makinat e parkuara para jush. Në vend të kësaj, përqendrohuni në krijimin e hapësirës për atë idiot të gjorë të mbërthyer në korsinë e gabuar që po përpiqet dëshpërimisht ta korrigjojë gabimin e tij.
Jini plotësisht të pranishëm tek ajo që bëni çdo ditë
Absurditeti tenton vetëm që të lëndojë nëse e vëzhgojmë “nga jashtë”. Për shembull, kur mendoni se sa marrëzi është lani enët çdo ditë vetëm për t’i gjetur ato të pista pak më vonë, imagjinoni larjet e panumërta të enëve që do të ndodhin në pjesën tjetër të jetës tuaj. Njeriu ndihet më rehat kur përballet me absurdin në një mënyrë të vetëdijshme. / “The Atlantic” – Bota.al