AnalizaMAIN

Si “vdesin” institucionet ndërkombëtare

Nga Ana Palacio

Pas Luftës së Dytë Botërore, fituesit e saj krijuan një sërë institucionesh që e kanë mbajtur që atëherë në këmbë rendin botëror. Ndërsa këto institucione janë kontestuar shpesh, ato kanë dëshmuar se janë shumë të qëndrueshme. Gjithsesi kjo s’do të thotë se ato janë të paprekshme.

Përkundrazi, efektiviteti i tyre mund të gërryhet gradualisht, sidomos kur ato përdoren si pengje gjeopolitike. Studimet akademike ofrojnë analiza të bollshme të faktorëve që rrisin qëndrueshmërinë institucionale, dhe atyre që priren ta përshpejtojnë dështimin institucional. Një mesazh kyç, që konfirmohet nga përvoja ime në Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian, është se institucionet lulëzojnë kur ka besim. Prandaj nuk është çudi që sot këto institucione janë në rrezik. Administrata e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e dobësoi besimin ndaj këtyre institucioneve.

Në vetëm 4 vite, Trump ose i zhvlerësoi ose u shkëput nga disa agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshje shumëpalëshe, e paralizoi Organizatën Botërore të Tregtisë, dhe tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sistemi shumëpalësh mezi i përballoi sulmet e Trump. Për më tepër, largimi i Trump nga Shtëpia e Bardhë nuk solli ringjalljen e tyre, sikurse shpresuan disa. Përkundrazi, sipas Barometrit të Mirëbesimit Edelman 2021, besimi global tek këto institucione ka vazhduar qëtë bjerë.

Fajtore është kryesisht pandemia e Covid-19. Pavarësisht disa sukseseve, institucionet shumëpalëshe dështuan të bashkëpunonin si duhej për të trajtuar me efektivitet krizën.

Një rast i tillë,është shpërndarja e pabarabartë e dozave të vaksinave.

Disa po i shpërfillin institucionet e pas Luftës së Dytë Botërore, duke argumentuar se ato nuk janë më të dobishme. Për këta kritikë, diskutimet mbi organe reformuese si Këshilli i Sigurimit i OKB-së apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, e largojnë vëmendjen nga detyra më e rëndësishme e “të kuptuarit se si duhet të duket një rend i ri”.

Për shembull, a duhet të mbështetemi më shumë tek organet ad hoc, si ato që janë përhapur vitet e fundit?Përgjigja për këtë pyetje është qartësisht jo. Tek e fundit, ato nuk kanë arritur deri më tani të prodhojnë asgjë, përafërsisht llojeve të bashkëpunimit shumëpalësh që i nevojitet botës.

Sigurisht, kornizat tradicionale të qeverisjes kanë dështuar. Për shembull, siç vërejti kohët e fundit Mark Leonard i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Konferencat e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike “kanë dështuar të prodhojnë një model të qeverisjes globale që mund të zbusë politikat e pushtetit, e lëre më pastaj të krijojë një ndjenjë të fatit të përbashkët midis vendeve të botës”.

Dhe samiti i sapo-përfunduar në Gllasgou,e përforcoi edhe më  shumë  këtë përfundim. Por ndërkohë që institucionet ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore, janë larg të qenit të përsosura, të dhënat e tyre kolektive, sugjerojnë se ato mbeten shpresa më e mirë e botës për përballimin e sfidave komplekse që e presin.

Natyrisht, vetëm ekzistenca e institucioneve nuk mjafton për t’i dhënë zgjidhje problemeve që ka sot bota. Ato duhet të përdoren në mënyrë  që të lidhin të tjerët,dhe të mbështesin të mirat publike globale që çojnë përpara interesat e përbashkëta afatgjata.

Kjo nuk është ajo që BE bë ri javën e kaluar, kur debati mbi investimet në fushën e ekonomisë së gjelbër, degradoi në një shkëmbim të ashpër akuzash midis vendeve të mëdha të bllokut, që janë në pararojë të energjisë së rinovueshme,dhe atyre që e shohin gazin si pjesë përbërëse të çdo tranzicioni të gjelbër.

Me siguri që  ky debat do ta dëmtojë reputacionin e BE-së,të  ndërtuar me shumë kujdes, si një bartëse globale e standardeve për qëndrueshmëri. Nëse ekziston një ndarje e tillë brenda BE-së, është e vështirë të imagjinohet se si mund të arrihet konsensusi brenda organizatave globale, sidomos në kohën e intensifikimit të konkurrencës midis fuqive të mëdha.

Në fakt, në ditët e sotme institucionet ndërkombëtare po kthehen në një teatër – dhe shpesh në një dëm anësor – të përplasjeve gjeopolitike. Kina ka ndërmarrë vitet e fundit hapa për ta zgjeruar ndikimin e saj brenda institucioneve shumëpalëshe. Tani ajo drejton 4 nga 15 agjencitë e OKB-së, një arritje që e ka ndihmuar të mbrohet nga sanksionet ndërkombëtare.

Po ashtu,Kina është në qendër të skandalit të fundit të manipulimit të të dhënave në Bankën Botërore. Një hetim i pavarur, i kryer nga studioja ligjore amerikane “WilmerHale”, gjeti parregullsi në të dhënat e përdorura për të përcaktuar renditjen e Kinës në botimet e vitit 2018 dhe 2020 të indeksit “Doing Business”.

Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila shërbente si kryeshefe ekzekutive e Bankës Botërore në vitin 2018, u akuzua se kishte luajtur një rol qendror në përpjekjet për të rritur artificialisht renditjen e Kinës. Brenda disa javësh, skandali me raportin “Doing Business” u harrua,dhe puna e Georgieva në FMN vazhdoi si zakonisht.

Tek e fundit, bordi i FMN-së e mbështeti Georgievën. Për më tepër, hetimi i “WilmerHale” është përballur me kritika të fora për mungesën e provave të forta, si dhe për njëanshmëri. Zhozef E.Stiglic e ka krahasuar me vend të gjithë këtë episod me një “përpjekje për grusht shteti”, që synon neutralizimin e përpjekjeve të Georgieva për të çuar përpara reformat e guximshme.

Po ashtu,Georgieva gjithashtu është vlerësuar me të drejtë për udhëheqjen e saj gjatë pandemisë. Gjithsesi skandali mund t’i shkaktojë dëme të përhershëm një sistemi ndërkombëtar tashmë në krizë. Përtej gërryerjes së besimit tek Banka Botërore dhe FMN-ja, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah se si tensionet dypalëshe mund të formësojnë apo edhe të shtrembërojnë aktivitetet e institucioneve shumëpalëshe.

Ndërsa pandemia e Covid-19 ka nxjerrë në pah mangësitë e institucioneve ndërkombëtare, ajo ka bërë gjithashtu të qartë se sfidat më të mëdha sot janë të natyrës globale. Në këtë kontekst, mbrojtja e institucioneve shumëpalëshe, vështirë se mund të cilësohet si një shfaqje “nostalgjie”. Përkundrazi, është një sjellje realiste. Shumë pak do të përfitonin nga shkatërrimi i rendit global ekzistues. Çështja është nëse mund të rikthehet besimi i publikut tek ato, përpara se të jetë shumë vonë.

Shënim: Ana Palacio, ish-Ministre e Jashtme e Spanjës dhe ish-zëvendëspresidente e Bankës Botërore / “Project Syndicate” – Bota.al

Back to top button
Close
Close