Shkence

Sikur… koha të kthehej pas

Screen Shot 2015-04-10 at 12.25.52 PM

Ligjet e fizikës nuk e pengojnë. Përkundrazi, në një kuptim të caktuar ka ndodhur tashmë: në një laborator, në Univers dhe ndaj një meduze

Edhe nëse fizika e pranon që ngjarjet mund të ecin “në të dy drejtimet”, kozmosi zhvillohet duke ndjekur një drejtim të mirëpërcaktuar…
Imagjinoni të lexoni këtë artikull duke u nisur nga fundi e duke u kthyer fjalë për fjalë në fillimin e tij, duke e ndërtuar të kuptuarin me një proçes të kundërt. Do të filloje me kërkimet mbi ekuivalenten moderne të eliksirit të jetëgjatësisë, do të lexoje për meduzën Turritopsis dohmii që do të rigjenerohet si feniksi arab, nga eksperimentet e fizikës
nënatomike e do të arrije “në fund”, tek fillimi, në të cilin imagjinohet një botë ku koha vrapon në të kundërt.
Jo bota e rrëfyer në filmin me Brad Pitt-in, “Rasti interesant i Benjamin Button-it”, në të cilin protagonisti rinohet ndërkohë që të gjithë të tjerët plaken. Por një botë në të cilën çdo gjë zhvillohet sikur të ishte shtypur çelësi “rewind” i një videoregjistratori; në të cilën njerëzit “ngjallen” nga varret, thonë “mirupafshim” kur takohen e, kur kthehen të sapolindur, kërkojnë barkun e një gruaje që i mbart në momentin e ngjizjes.

Një botë që, thotë shkenca, mund edhe të kishte ekzistuar. Kur? Para fillimit. Domethënë, para Big Bangut.
Gjëja e parë për t’u bërë, nëse mendojmë të kthejmë në të kundërt drejtimin e ingranazhit të kohës, është të bëjmë pyetjen: por me të vërtetë a e vëmë re? “Ndoshta jo” vëzhgon fizikanti Carlo Rovelli, një nga themeluesit e “Loop quantum gravity”, një teori moderne që revolucionarizon konceptet e hapësirës e të kohës, “sepse ligjet e fizikës nuk influencohen nga drejtimi i rrjedhjes së kohës”.

Me fjalë të tjera, do të ishte si të jetoje në një pasqyrë: nuk do të ndryshonte asgjë duke këmbyer gjithandej të djathtën me të majtën. Në fakt, edhe proceset biologjike do të ktheheshin në të kundërt. Do ta jetojmë jetën tonë ekzaktësisht në të kundërtën, duke rigjurmuar të njëjtat situata e nuk do të kuptojmë asnjëherë asgjë! Sepse truri ynë do të vazhdonte të kishte kujtesë, vetëm atë që e konsideron të shkuar.

Univers i pamundur

Në realitet, simetria midis të shkuarës e të ardhmes në ligjet e fizikës duket se nuk është perfekte, e cila do të thotë që duke u kthyer në të shkuarën, nuk do ta rigjejmë identike siç e kemi jetuar, të paktën për atë që ka të bëjë me sjelljen e disa thërrmijave të quajtura “mesoni”.

Ky të paktën është konkluzioni në të cilin kanë çuar disa ekseperimente si BABAR, duke përfshirë përshpejtuesin linear të thërrmijave të Stanfordit, që ka lejuar të kthejë në të kundërt fluksin e kohës për mesone-t. Eksperimentet bazohen megjithatë mbi supozimin që ekziston një veçori themelore e cila mbetet e pandryshuar, e ashtuquajtura “simetria CPT”: nëse e kthen kohën, ngarkesa e thërrmijave (ato pozitive kthehen në negative dhe anasjelltas) e barazia (që është ndryshimi i njëkohshëm lart e poshtë, djathtas e majtas, para dhe pas), në fund kthehet të ketë një simetri perfekte.

Meson-et janë shumë të rëndësishme për shkencëtarët, por jo pa lidhje në jetën tonë të përditshme. E në fund mbetet dyshimi: pse të gjitha proçeset në natyrë zhvillohen megjithatë gjithmonë në një drejtim të vetëm, që do të thotë në mënyrë të tillë që energjia e harxhuar në fërkim, nuk rigjenerohet më, e gjërat e vjetra nuk kthehen në të reja? Përgjigja kërkohet në rrënjë: “Universi ka lindur në një gjendje shumë të veçantë”, shpjegon Rovelli, “në të cilën energjia ishte e shpërndarë në mënyrë uniforme”. Ishte një gjendje shumë e rregullt, kështu që shumë e pamundur, paksa si një gjilpërë që gjendet spontanisht në ekuilibër në majë. Por më pas gjilpëra bie: çrregullimi i kozmosit është shtuar, duke ndjekur një evolucion që ka sjellë lindjen e Diellit, të planetëve, të jetës. Ligjet e fizikës, në përmbledhje, mbeten si të pandryshuara, nëse këmbehet e shkuara me të ardhmen, por evolucioni i kozmosit ndodh në një drejtim të saktë, që përkon me shtimin e rrëmujës. Motivi? “Nuk e dimë”, e pranon Rovelli. “Përgjigja mund të fshihet në formulat e relativitetit. Në këtë teori, hapësirë e kohë ngatërrohen dhe problemi i shigjetës së kohës ndryshon gjithcka, në krahasim me vizionin tradicional, në të cilin koha ecën në një drejtim të vetëm”.

UNIVERSI NË PASQYRË
Sfida për shkencëtarët, në fund, mbi të gjitha është kjo: të kuptosh përse universi ka lindur në një stad kaq të veçantë. Fizikanti Indian Abhay Ashtekar ka një ide: ishte e nevojshme që kjo të ndodhte. Sepse sipas përllogaritjeve të tij, të bazuara gjithmonë mbi “Loop quantum gravity”, Big Bangu nuk ishte me të vërtetë moment fillestar: Para universit tonë ishte një tjetër. “Ishte ekzaktësisht i njëjtë, që do të thotë që kishte të njëjtën masë e të njëjtën energji”, thotë Rovelli, “vetëm se në vend se të zgjerohej kontraktohej, deri sa u bë kaq i vogël sa filloi të përhapej me shpejtësi në vetvete, e të kthehej e të zgjerohej”.

Rovelli nuk përjashton që në këtë univers “spekullimi”, edhe shigjeta e entropisë të drejtohej në sens të kundërt, duke i dhënë origjinën në realitet një bote në të cilën fërkimet do të gjenerojnë energji, gazet e shkarkuara dalëse do të hyjnë në marmitë, tregtarët do të dhurojnë para pa rivendosur taksat, dhe pensionistët do të paguajnë pensionin, kështu që të rinjtë të marrin kontributet kur kthejnë rrogën.
Ky tip paradoksesh tërheq edhe shkrimtarët. Për shembull Giulio Gianelli, që një shekull më parë ka shkruar historinë e Pipinos, i lindur plak e i vdekur fëmijë. Ose Martin Amis, me “Shigjeta e Kohës”, apo edhe Luciano Ligabue, me romanin e vet “ Bora s’do t’ia dijë”. E në fund, “Rasti i çuditshëm i Benjamin Button”, tregimi i Francis Scott Fizgerald i vitit 1922, që midis të tjerave është paksa ndryshe nga filmi me të njëjtin emër: është krijuar duke nisur nga 1860-a (në vend që të niste nga 1918-a), Benjamin nuk refuzohet nga i ati, martohet me një grua me emër Hildegarde, shkon në luftë kur është i ri e në fund, është nën kujdesin e të birit Roscoe, që gjithsesi e përçmon.

Polipi-meduza-Polip Interesante në natyrë është me të vërtetë një specie që të kujton Benjamin Button e, akoma më shumë, feniksin arab, zogun mitik që rilind nga hiri. Quhet Turritopsis dohrnii, dhe është një polip (si ata që jetojnë në korale) që, në fazën madhore të jetës së vet, transformohet në meduzë. Por pastaj, në raste të caktuara, kthehet në polip.

Maria Pia Miglietta, biologe në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë (SHBA), e cila ka publikuar një studim gjenetik mbi përhapjen e kësaj specieje, shpjegon: “Polipet riprodhohen në mënyrë aseksuale, duke formuar koloni individësh të gjithë të ngjashëm midis tyre, kur arrin sezoni i duhur, zhvillojnë një ‘perlë medusoide’ që rritet dhe kur është pjekur, shkëputet. Fillon kështu faza pasuese, ajo prej meduze. Meduzat hanë plankton e riprodhohen seksualisht: lënë në ujë spermë e vezë, nga të cilat formohet një zigot, pastaj një larvë, që depozitohet e transformohet në polip”.
Kështu rifillon cikli. Meduza në fund, vdes. Po të mos përjetojë një ngjarje traumatike: mungesë ushqimi, një ndryshim të papritur kripësie ose temperature, një plagë. “Në rast të tillë kafsha thahet, depozitohet në fund e formon një top që quhet cist”, shpjegon Miglietta. “Brenda 24 orëve, qelizat e saj riorganizohen plotësisht, e lind një polip i ri”.

Dikush ka imagjinuar që këto studime mund të sjellin në një të ardhme të largët kurën për kancerin (“duke riprogramuar” qelizat tumorale), ose për metoda për zgjatjen e jetës. Por studiuesja vë theksin që është shumë shpejt për të bërë parashikime: nuk dihet asgjë për mekanizmat molekulare të përfshira, e për më shumë, njeriu është vendosmërisht më shumë kompleks nga meduzat.
Si eliksiri i jetëgjatësisë. Ndërkohë, një mekanizëm molekular potencialisht i përshtatshëm për të zgjatur jetën është zbuluar me të vërtetë nga një grup kërkuesish që përfshin Ariela Benini-n e Giuseppe Remuzzi-n nga Instituti “Mario Negri” i Bergamos: mjafton të çaktivizosh gjenin për receptorin e angiotensinës (një hormon), sepse në këtë mënyrë aktivizohen dy gjene të jetëgjatësisë të quajtur “Nampt” dhe “Sirtuina 3.”

Tek minjtë gjenetikisht të modifikuar metoda funksionon: ata me gjen të çaktivizuar jetojnë në 30% më shumë të rasteve. “Këto studime, për sa të zhvilluara tek minjtë, kanë pasoja shumë praktike”, shpjegon Remuzi. “Kemi tashmë ilaçe që lidhen me receptorët e angiotensinës e frenojnë funksionin”.

Prandaj në të ardhmen, do të kemi ndoshta ilaçe për të zgjatur ekzistencën tonë deri në një shekull moshë. Pas universit, Benjamin Button-it e meduzës – feniks, me pak fjalë, shkenca premton të dhurojë edhe tableta – eliksir – të jetëgjatësisë. /LeScienze/

e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button