Sport

SPORT / “Krijimi” i të madhit Pep Guardiola

Graham Hunter

GuardiolaMarrëveshja për të promovuar Pep Guardiolën trajner të parë u nënshkrua në majin e 2008, tamam ditën e lindjes së fëmijës së tretë të tij, Valentina. Deri atëherë, Guardiola ishte njohur prej pak muajsh se kishte gjasa që ta pasonte Rijkaard. Megjithatë, ai nuk kishte qenë  i sigurtë për postin. Aspak. Presidenti Joan Laporta pyeti ekspertët e tij që të këqyrnin për ide dhe frymëzim kur erdhi puna e zëvendësimit të Rijkaard. Marc Ingla, i emëruar kohët e fundit Zëvendëspresident për futbollin, u ngarkua me rekomandimin e një trajneri të ri. Ai ndërmorri një kërkim të hollësishëm për një kandidat që t’i rezistonte marrjes në pyetje të egër nga ana bordit të Barcelonës. Txiki Begiristain, Drejtor i Futbollit qysh nga 2003, do të rezultonte një guidë e jashtëzakonshme për Ingla – një tifoz futbolli, përvoja e të cilit qëndronte në marketing dhe biznes. Begiristain luajti rreth 500 ndeshje për Barçën gjatë regjimit të lavdishëm të Cruyffit dhe është një tru futbollistik vigjilent, modern dhe komunikues. Begiristain pati kuptuar rreth tetorit 2007 se vënia e besimit tek Rijkaard për një sezon të dytë pas fitores së Champion League në 2006 në Paris, qe një gabim trashanik. Ai pati filluar të punonte në idetë edhe përpara se Laporta ta thërriste për t’i kërkuar një paradë bukurie menaxheriale.

Kjo është ajo pjesa ku puna e rëndë dhe durimi shpërblyen. Begiristain dhe i admirueshmi José Ramón Alexanco, njeriu që ngriti Kupën e Europës për Barcelonën në 1992 dhe më pas kreu i bazës futbollistike të Barças e patën bërë zakon marrjen pjesë në ndeshjet e ekipit B. Ata qenë mahnitur. Edhe pse Barça B në atë kohë ishte në kategorinë e tretë, Guardiola siguroi që çdo kundërshtar i ardhshëm të filmohej në mënyrë që ai të mund t’i studionte ata në televizor me të 20 lojtarët, përjashto 2 portierët, në shikim gjithë kohën. Me fjalët e një të intervistuari për këtë, i cili do të preferonte të mbetej anonim: “Nga minuta e parë, ai punonte sikur të ishte duke stërvitur fituesit e Champions League, në vend të një një ekipi të kategorisë së tretë. Ishte sikur të kishim një trajneri mjaft me përvojë që do të ndeshej me Milanin, Arsenalin apo Bayernin çdo javë”. Alexanco dhe Begiristain panë se Guardiola ishte kuti trukesh. Nëqoftëse ekipi tjetër luante futboll me top të gjatë, nëqoftëse pëlqenin konfrontimin, nëqoftëse ndryshonin në mes të ndeshjes nga 3–5–2 në 4–3–3, Barça B do të ishte gjithmonë e përgatitur me kundërmasa. Guardiola jo vetëm që i vendosi një klas mjeshtëror analizës taktike dhe stërvitjes, por ai gjithashtu i bindi nxënësit e tij që njëherazi t’i asimilonin dhe zbatonin idetë e tij. Ish kolegët e tij të Dream Team po mbusheshin plot ngazëllim.

Ingla e vazhdon historinë. “Menjëherë pasi mora detyrën në tetor të 2007, pikëpamja e Txiki ishte se “cikli” i Frank Rijkaard në klub përfundimisht kishte mbaruar – ai duhet të largohej pavarësisht nëse ekipi e fitonte ose jo një trofe. Ne kishim nevojë për një axhendë të qartë rreth asaj se çfarë njeriu të caktonim në vend të tij dhe për këtë kishim nevojë për privatësi”. Në Lyon ata filluan që të planifikojnë atë që do të bëhej epoka më e suksesshme në historinë e klubit. Ingla thotë: “E pyeta Txiki se kush duhet ta zëvendësonte Rijkaardin dhe ai nuk do të specifikonte emra, kështu që e pyeta më tej dhe ai pranoi: “Po mendoj për Pep Guardiolën”. “Në retrospektivë qe mbresëlënëse që ai nuk tha” “Është Pep, duhet të jetë Pep”. Mendja e tij qe mjaft e hapur, por e kishte një vizion të qartë. Ai besonte se një trajner me profilin e Pep – arsimin, përvojën, kredon, kuptimin e vlerave dhe stilit të trajnimit të klubit – ishte e ardhmja jonë. “Txiki më tha: “Mua më pëlqen mënyra sesi luan ekipi B, mënyra sesi reagon, mënyra sesi ai bën ndryshimet taktike, mënyra sesi stërvit ekipin, gjithçka”. Ky qe një moment ndikues”.

Ingla vendosi se kishin nevojë të shikonin në kandidatë të tjerë dhe të siguroheshin se nuk gjenin zëvendësuesin ideal, por nëqoftëse Guardiola vazhdonte të impresiononte dhe, në thelb, ndjehej në gjendje ta pranonte sfidën, atëhere kandidatët e jashtëm do të duhej të demonstronin se qenë superiorë ndaj katalanasit 36 vjeçar. Ingla sërish: “Emrat e tjerë qenë Laurent Blanc, Michael Laudrup, Arsène Wenger e Ernesto Valverde dhe sërish ata dolën nga Txiki. Filluam procesin e dëgjimit dhe të vlerësimit të tyre, por më pas erdhën Krishtlindjet”. Nga Java e 8-të deri në 16-ën pati një seri performancash të zbehta. Ekipi i Rijkaardit humbi me Villarreal e Getafe dhe barazoi me Espanyol e Valladolid. Më pas ishte në radhë Camp Nou Clásico. Bernd Schuster po stërviste kampionët në fuqi dhe erdhi si trajneri i parë i Real Madridit që mbante gjithashtu një kartë anëtarësimi të Barças. E kaluara e tij nuk e ndihmoi aspak Barçën. Madridi e dominoi një Barcelonë të dobët dhe fitoi 1 me 0, me anë të një goli të mrekullueshëm të Julio Baptistas. Atë natë, dy ditë përpara Krishtlindjeve, ekipi i Rijkaardit ishte: Valdés; Puyol (Zambrotta 76), Milito, Márquez, Abidal; Touré, Xavi (Bojan 81), Deco (Giovani 57); Iniesta, Eto’o, Ronaldinho. Me relativisht shumë pak ndryshime, ky ekip u bë skeleti i një ekipi trefish fitues nën trajnerin e ri sezonin e ardhshëm. Madridi e filloi Vitin e Ri 7 pikë përpara katalanasve dhe, sigurisht, kjo nënkuptonte konfuzion në korridoret e pushtetit tek Barça. Ingla kujton: “Rezultatet qenë të këqija, Frank nuk po reagonte, ai ishte i rënë. U përgatitëm për skenarin ku Frank nuk donte ta përfundonte sezonin, pikë në të cilën disa njerëz menduan rikthimin e Johan Cruyffit. Tani, unë jam tifoz i madh i tij, por mendova se vendosja e “Zotit” në stolin e një klubi në këtë gjendje nuk ishte një ide e mirë, për shkak se problemi që kishim nuk ishte kryesisht trajneri, qenë dhe disa prej lojtarëve”.

Tradicionalisht, futbolli operon mbi idenë se heqja e trajnerit është një gjakderdhje me domethënie pothuajse rituale.  Bëj sakrificën për zotin e madh të futbollit dhe drithërat do të rriten sërish. Ingla, homologu i tij Zëvendëspresident Ferran Soriano dhe Begiristain mendonin ndryshe. Joan Laporta po luante me idenë e vendosjes së Cruyff në pozicion kujdestari, ndoshta me një ide ndaj kontrollit të plotë në përfundim të sezonit. Gjithashtu, Presidenti u josh nga informacioni i hershëm i arritur në zinxhirin komandues se Guardiola ishte një Trashëgimtar. Bile Laporta filloi t’i mëshojë idesë se, nëqoftëse Rijkaard shkarkohej menjëherë, Guardiola mund të parashikohej në mesin e sezonit e ekipit të parë. Ingla, Soriano dhe Begiristain u tmerruan. “E paralajmërova cdo njeri se trajneri nuk ishte problemi i vetëm”, kujton Ingla. “Mendimi im është se trajnerët mund t’i transformojnë gjërat, por lojtarët kanë një përqindje shumë të lartë përgjegjësie për llojin e futbollit që luhet dhe se çfarë trajektore keni. Mund të kishit vendosur një trajner tjetër aty në atë kohë, qoftë ai Cruyff ose Guardiola, dhe do të kish dështuar. Nuk do ta kishim fituar titullin dhe nuk do ta kishim bërë finalen e Champions League në Moskë. Duke shikuar prapa, do të thoja falë Zotit që nuk vendosëm Cruyff; falë Zotit që nuk e parashutuam Pep. Sepse pati një moment në mars kur filluam t’i thonim lamtumirë Ligës, por Champions League qe akoma një mundësi reale dhe disa të bordit donin ta zëvendësonin menjëherë Rijkaard me Pep. Nuk mund ta imagjinonin luftën që duhet të bëja për të mbrojtur opsionin e moscaktimit të tij. Duke shikuar prapa, jam i sigurtë se ky qe një favor i madh që bëra për klubin dhe për Pep – luftimi i ashpër për të siguruar që kur të caktohej të punonte me një gjendje të pastër dhe pa Ronaldinho e Deco”. Bile Laporta e pyeti Cruyff nëse do të kthehej si trajner për ta udhëzuar Guardiola, i cili do të ishte asistenti i tij. Cruyff i tha “jo” Laportas, se as nuk do të kthehej sërish si trajner me kohë të plotë dhe theksoi gjithashtu se Guardiola ishte gati.

Më vonë, në shtatorin e 2008, Presidenti i Barças konfirmoi: “Cruyff e di shumë mirë se e kam dashur që të ishte trajneri që ta merrte stafetën nga Rijkaard, me Pep në krah të tij”. Kështu, në maj, Guardiola firmosi dhe e gjithë marrëveshja u bë publike një muaj më vonë. Historia po bëhej gati të shkruhej, por tema e Guardiolas që po nënvlerësohej shumë shpejt, një gjë e përsëritur në këtë histori, filloi të fitonte vend me shpejtësi. Shumë, përfshi mua, kishin frikë se mos Guardiola ishte shumë i papërvojë. Vizioni futbollistik i tij nuk ishte në pikëpyetje apo fakti që që puna e tij tek Barça B ishte premtuese. Guardiola kish demonstruar gjithmonë lidership, urtësi strategjike dhe një vullnet të pamëshirshëm për të gjetur një anë fituese si lojtar, po ku ishte përvoja e tij e menaxhimit njerëzor?

Shumica e futbollistëve e gjejnë këtë një pengesë të madhe kur marrin përsipër drejtimin e një skuadre. Guardiola ishte 37 vjeç; ai kishte luajtur me Xavi, Puyol, Piqué dhe Valdés me ekipin e parë të Barças apo në “kombëtaren” katalanase dhe tani do të bëhej trajneri i tij. Gjithashtu, dhoma e zhveshjes së Barcelonës ishte e mbushur me lojtarë multimilionerë xhelozë, të ngadaltë dhe superyje që qenë fortifikuar në mënyrat e tyre difektoze. Habitesha sesi një 37 vjeçar mund të menaxhonte një skuadër me personalitete kërkues të tillë si Ronaldinho, Deco dhe Samuel Eto’o, duke pasur një përvojë të tillë të pakët menaxhimi njerëzor të përditshëm. Isha larg nga të qënit i vetmi. Pati një mikpritje aspak ekstatike nga media spanjolle. Spanja po përgatitej të fitonte Kampionatin Europian, por “El País” e degdisi raportin e tij për emërimin e Guardiolas në faqen e 13-të të seksionit sportiv të saj. “El Mundo Deportivo” përdori një lojë grafike të zgjuar në faqen e parë të saj. Fjalët “Po” dhe “Jo” qenë secila e anë e fotos së Guardiolas nga mesi e lart në mënyrë që, grafikisht, përfaqësonte debatin në Katalonjë nëse ai ishte ose jo zgjedhja e duhur.

“Karta jashtë burgut” e tyre ishte ajo nën “Po” që thoshte: “Është po të luash me tri sulmues; të mbash Rafa Márquez dhe po të marrësh një qendërsulmues të ri”. Kurse titulli nën “Jo” ishte: “Jo Ronaldinho, Eto’o dhe Deco; jo një gjendje të hijshme muaji mjalti 100 ditëshe për punën e tij dhe jo lëvizjes në një terren stërvitor gjysmë të gatshëm”. “La Vanguardia” e zgjidhi titullin dyfaqësh të saj si “Nuk mendoj se do të dështoj”. Vështirë se ishte shenjë se gazeta katalanase besonte tërësisht tek projekti. Pritja nga ana e mediave qe e përzier. Një gazetar katalanas i vlerësuar, që më pas u bë një agjent i suksesshëm për lojtarë në Camp Nou, më paralajmëroi: “Pa përvojë ku të mbështetet, ky vend mund ta djegë Pepin përpara mbarimit të sezonit”. Prapseprapë, Joan Laporta posedonte një talent të madh: aftësinë për të marrë një vendim të rëndësishëm menjëherë dhe me vendosmëri, pavarësisht riskut.

Përpara se t’ia dorëzonte Guardiolas çelësat e ekipit, Laporta tha: “Pep ka arritur të gjejë balancën ideale midis futbollit modern serioz dhe stilit tradicional që pëlqejmë ne tek Barcelona – sulmin. Era Guardiola ka filluar”. Dhe si. Në terma sportivë, Barça ishte ngathtësuar; stërvitjes i mungonte intensiteti, mjaft lojtarë kishin humbur mprehtësinë mendore dhe aftësinë për ta shtyrë përpara topin si në vitet e para nën Rijkaardin, apo t’ia dilnin me sukses në topin final riskues, por shkatërrimtar, që hapte mbrojtjet. Kultura e terrenit stërvitor duhej të ndryshohej, por ky nuk qe burimi i dyshimeve personale të mia. Aty ku situata dukej e zymtë ishin qëndrimet e rrënjosura pragmatike të personaliteteve dominuese të dhomës së zhveshjes – Ronaldinho, Deco and Samuel Eto’o. Guardiola i bëri të qartë bordit të Camp Nou se, në vend që të merrej me problemet e Ronaldinhos, kishte ardhur të pritej litari, të vendosej fitimi futbollistik përpara humbjes financiare (mund të vlerësoni që braziliani Lojtari më i Mirë i Botës për Vitin 2005 të vlente më shumë se 40 milion paund dhe u largua tek Milan për më pak se 15 milion paund) dhe t’i jepej një mesazh pjesës tjetër të skuadrës. Kështu, në qershor të 2008-ës, Guardiola nuk kishte asnjë brengë në përgjigjen e pyetjeve për Ronaldinhon, Decon dhe Eto’o me një ton që i përshtatej kostumit dhe kollares së zezë prej funerali.

Ditën e tij të parë në drejtim, Guardiola tha: “Ata nuk janë në mendjen time për të ardhmen; në fakt, ne do të ecnim përpara pa ta. Mendimi im është se gjithçka ka të bëjë me performancën dhe me atë se çfarë lojtarët mund t’i japin skuadrës time. Vendime të tilla barazohen në ndjesi të paprekshme. Për shembull, nëqoftëse mund të garantohesha se Ronaldinho dhe Eto’o mund të më shënonin 60 gola sëbashku, atëhere do t’i mbaja, padyshim. Por nuk e “di” këtë. Ka ardhur koha për një “rifillim” në këtë dhomë zhveshjeje. Nuk e di nëse ka zakone të vjetra aty, për shkak se nuk kemi filluar të punojmë, por e kaluara ka kaluar. Ajo çka mund të premtoj është se nuk do të toleroj një mungesë përpjekje për të çuar përpara projektin e rindërtimit të suksesit të ekipit. Sigurisht, mund të keni garancinë se lojtarët e mirë do të vrapojnë pa u ndalur, por synimi im kryesor është që t’i bind ata me fjalët e mia. Dua angazhimin e tyre në planin tim, dua që të frymëzoj besimin e tyre në atë që po bëjmë dhe, mbi të gjitha, dua që edhe lojtarët e frymëzuar të kuptojnë se, individualisht, ata kanë shumë më pak vlerë nga sa kur nuk vihen në shërbim të ekipit”.

Ronaldinho (Milan), Deco (Chelsea), Edmilson (Villarreal), Gio dos Santos (Spurs), Santiago Ezquerro (Osasuna), Marc Crosas (Celtic), Oleguer (Ajax) dhe Gianluca Zambrotta (Milan) u larguan të gjithë dhe Lilian Thuram u tërhoq. Me kërkesën e Guardiolas, Laporta bleu Dani Alves, Aleksandr Hleb, Henrique, Seydou Keita, Gerard Piqué dhe José Martín Cáceres. Nën menaxherin e ri, luftimi i peshës u bë diçka reale. Aty ku më parë 1 kilogram apo më shumë aty- këtu ishte anashkaluar, tani nuk falej më. Ashtu si Sër Alex Ferguson, rezultoi se Guardiola normalisht ndodhej i pari në fushën e stërvitjes çdo mëngjes, zakonisht jo më vonë se ora 8. Punktualiteti, si një përfaqësim i të qënit mendërisht i përgatitur, u bë njëlloj rreptësisht i detyrueshëm. Një njeri që duhet ta dinte më mirë, duke qenë edukuar nën Arsène Wenger – rregullat e ngurta e e seancave stërvitore të kalibruara nga pikëpamja kohore u bënë të famshme – ishte Hleb, i cili erdhi nga Arsenali atë verë. Rregullat e Guardiolas qenë të thjeshta, por jo për Hleb. E para, ekipi vinte në kohë për të ngrënë mëngjes sëbashku. Jo çdo njeri qe i detyruar që të hante sëbashku në mëngjes, megjithëse dreka konsiderohej pothuajse gjithmonë si pjesë e ditës stërvitore dhe, për pasojë, e detyrueshme. Megjithatë, lojtarët duhej të regjistrohej në një orë të caktuar, zakonisht 60 minuta përpara fillimit të stërvitjes. Nëqoftëse stërvitja fillonte në 11, atëhere kjo ishte koha kur pritej të ishit në fushë, të veshur; të gatshëm, fizikisht dhe mendërisht, të jepnit gjithçka në stërvitje ose gjobiteshit. Gjoba për vonesat fillonin nga 500 euro për 5 minuta deri në 6000 euro dhe kushdo që ishte vonë duhej të fillonte stërvitjen vetë. Lidhja e këpucëve në fushën e stërvitjes, ardhja me 10 sekonda vonesë, çdo shkelje, nuk ka rëndësi sa e vogël, ishte e ndaluar. Të vonuarit përshëndeteshin me duartrokitje ironike nga kushdo tjetër i përfshirë në stërvitje. Nga e hëna deri të premten, lojtarët pritej që ishin në shtëpi maksimumi në mesnatë dhe mund të prisnin një telefonatë të vonshme nga Guardiola apo njëri prej asistentëve të tij. Nëqoftëse kjo telefonatë mbetej papërgjigje dhe nuk shpjegohej siç duhej, një tjetër gjobë 4 shifrore ishte rrugës. Kur dhe ku lojtarët lejohej që të bënin reklama apo punë për sponsorët e tyre kontrolloheshin rreptë dhe vetëm një njeri, Pep, kishte të drejtën e vendimit final. Përdorimi i celularëve dhe i kufjeve ishte i kontrolluar (si në shumë klube) dhe lojtarëve u thuhej se paraqitja në rotacion për konferenca shtypi dhe dhënia e autografeve për tifozët në udhëtimet jashtë qenë të detyrueshme.

Gjithashtu ekzistonte një skemë stimulimi e bazuar në një sistem që Guardiola e pati zhvilluar kur qe në drejtimin e të rinjve tek Barcelona B. Nëqoftëse ekipi fitonte 4 ndeshje Lige radhazi ose dy barazime të Champions League radhazi, Guardiola do të paguante një drekë ose një darkë për të gjithë skuadrën, plus stafin. Pse nuk paguanin gjobat për darkat? Po, kjo është norma. Një ekip futbolli ka një sistem gjobash të vendosura nga bosi dhe në fund të sezonit paraja përdoret për një darkë të madhe ose, ka më shumë të ngjarë, për një mbrëmje të mirë. Guardiola e mendonte këtë të ishte vetëshkatërruese. Nëqoftëse gjoba eventualisht shkon për të paguar një mbrëmje të mbushur me alkool të ekipit, atëhere si jeni penalizuar? Në vend të kësaj, në fund të sezonit, të gjitha gjobat e mbledhura dërgoheshin për bamirësi, shpesh e asociuar me spitalet. Hleb, i cili ankohej për Guardiolan se nuk kishte besim tek ai si futbollist, ishte në mënyrë të përsëritur vonë për nënshkrimin e librit dhe shpesh pretendonte se kishte ardhur në kohë, por se kish harruar ta nënshkruante; rregullisht vërdallosej në fushë i papërgatitur, në mos fizikisht, sigurisht psikologjikisht. Guardiola tregoi mirëkuptim; këtu kishim një lojtar të talentuar, por të paprekur, një bjellorus që kishte nevojë për ndihmë që të përshtatej me jetën në Spanjë. “Të lutem, mëso spanjisht”, ju tha. “Si mund të ndihmojmë që të mësosh spanjisht”, u pyet ai më pas kur nuk qe bërë asnjë përparim. Në fushë Hleb tentoi shumë shpejt aftësinë e tij dribluese dhe nuk pasonte e lëvizste siç kishin nevojë shokët e ekipit që të bënte. Ai u kritikua, u josh dhe u paralajmërua, pastaj u largua në përfundim të sezonit. Pa ceremoni. Pa mëshirë. Jo humbje e madhe. Guardiola do të zbatonte të njëjtin standard mizor ndaj Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimovic në sezonet pasuese. Prapa në atë verë të parë vendimtare dhe përgatitjen për sezonin e parë të menaxherit të ri në drejtim.

St Andrews, në bregun lindor të Skocisë, ishte zgjedhur si vend stërvitjeje, pjesërisht për shkak se impiantet dhe klima qenë të përshtatshme me skemën stërvitore, pjesërisht pse qeveria skoceze ofronte stimulues financiar dhe pjesërisht pse dy figurat e rëndësishme të klubit, Begiristain dhe Cruyff, janë të pasionuar pas golfit. Në fushat stërvitore të Fife-s u luajt një ndër dramat më të rëndësishme, më mbresëlënëse, e të gjithë mbretërimit të Guardiolas.

Ishte vera e Lojërave Olimpike të Pekinit dhe Argjentina e kish shpallur prej kohësh se do ta caktonte Leo Messin për turneun përkatës, i cili fillonte me 8 gusht me kampet stërvitore e detyrueshme përpara saj. Me Rijkaard, Barça kishte përfunduar e 3-ta në La Liga, me vetëm 3 pikë larg nga e 5-ta, dhe kishte një kualifikim Champions League në gusht kundër Wisła Kraków të Polonisë. Aq nervoz qe Presidenti Laporta rreth mundësisë së një moskualifikimi, sa që hyri në një luftë të egër me lëvizjen olimpike, Argentinian Football Association (AFA) dhe FIFA rreth përfshirjes së Messit me ekipin olimpik. Ai pretendoi se Messi nuk mund të kooptohej nga AFA për sa turneu olimpik nuk ishte pjesë kalendarit të FIFA-s. Sepp Blatter, Presidenti i FIFA-s, u shpreh në favor të turneut olimpik e të AFA-s dhe qe vetëm kur Laporta urdhëroi që çështja të apelohej në Court of Arbitration for Sport që u gjet një zgjidhje finale. CAS-i mbështeti Barcelonan dhe qe gjë e mbaruar për Messin, Argjentinën dhe Lojërat Olimpike. Ose të paktën kështu do të kishte qenë. Verdikti i CAS-it erdhi në përvjetorin e 16-të të fitores së Spanjës në gjysmëfinalet e turneut futbollistik të Olimpiadës së 1992, kur një Pep Guardiola i ri e çoi ekipin në finale, të luajtur në Barcelonë. Fitorja e medaljes së artë në Camp Nou qe një gur themeli i rëndësishëm në karrierën e tij futbollistike dhe, ndërsa Barcelona priste gjykimin e CAS-it, tani kishte indikacione të buta se mendimi i trajnerit të ri lidhur me situatën e Messi ndryshonte nga ai i dy bosëve të tij, Presidentit të klubit Laporta dhe Drejtorit Sportiv Begiristain. Begiristain paralajmëroi: “Nëqoftëse CAS-i na mbështet, atëhere Messi thjesht do të duhej të fluturonte drejt shtëpisë. Ne i respektojmë rregullat dhe do t’u përmbahemi atyre”. Megjithatë, versioni i Guardiolas ishte: “Kur ta dëgjojmë verdiktin, klubi do të vendosë. Ama duhet të dëgjojmë lojtarin. Ai është më i rëndësishmi në gjithë këtë histori”.

Vendimi i dytë i madh i Guardiolas, praktikisht duke e përzënë nga dera Ronaldinhon dhe Decon pa pritur për klubin që të gjente blerës, u ngjiz në Skoci. Seancat stërvitore në St Andrews qenë të forta dhe kërkuese. Kishte vetëm sekonda midis pasazheve, pushime të shkurtra për ndonjë pije, të cilat qenë të kronometruara, dhe i gjithë procesi filmohej në mënyrë që Guardiola, asistenti i tij, Tito Vilanova dhe përgatitësi fizik Lorenzo Buenaventura të mund ta shikonin. Gerard Piqué kujton: “Fillimisht, ai i ndalte seancat stërvitore për të na thënë saktësisht se çfarë donte që të bënim, por ne filluam shpejt të vepronim sëbashku dhe t’i vinim në zbatim idetë e tij”. Por trajneri i ri shpejt zbuloi se Messi e kishte një “peng”. Guardiola ju desh pak kohë që ta pyeste, vendosmërisht, se çfarë dreqin kishte. Messi nuk është qaraman, por sjellja e tij tashmë e tërhequr ishte shtuar, nga shpresa se do t’i mohohej shansi i një medaljeje të artë olimpike. Kur më së fundi iu rrëfye trajnerit të ri të tij, Guardiola i tha atij që të mblidhte veten, të stërvitej fort, të shkonte me ekipin olimpik dhe më pas të priste zhvillimet, si kushdo tjetër. Por ai i zbuloi Messit se e kishte një aleat potencial. I shpjegoi sesa e rëndësishme kishte qenë Olimpiada e 1992 për të personalisht dhe i tregoi se nëqoftëse fitonte formë me stërvitje, atëhere do ta kishte një mbështetës të fortë, nëqoftëse vinte puna deri aty. Kur u shpall vendimi i CAS-it me 6 gusht, Guardiola kishte bërë dhe fituar tashmë një betejë të madhe. Ai i tha Laportas dhe Begiristainit: “Më keni emëruar mua, unë jam shefi, unë e di sesi ndjehen djemtë për Olimpiadën dhe unë them që ai të qëndrojë në Kinë, ta humbasë eliminatoren e Champions League, pikë mbaroi”. Si rezultoi? Një skuadër argjentinase jashtëzakonisht e talentuar që përfshinte Messi, Javier Mascherano, Sergio Agüero, Pablo Zabaleta, Ángel di María, Ezequiel Garay, Ezequiel Lavezzi, Fernando Gago dhe Éver Banega, imitoi natyrshëm Guardiolan, Kikon dhe Txapi Ferrerin me fitimin e medaljes së artë olimpike. Barça eliminoi Wisła Kraków 4 me 1 dhe Guardiola fitoi një mal me mirënjohje nga futbollisti më i mirë i botës.

Si mund të kish rezultuar? Guardiola të fitonte armiq të hidhur si Laporta dhe Begiristain, Messi të thyente një këmbë në Pekin dhe Kraków të barazonte në Camp Nou pastaj (siç dhe realisht bënë) të fitonte 1 me 0 në Poloni. Katastrofë pas katastrofe dhe më shumë se një fund sesa fillim për mbretërimin e Guardiolas. Vendimi i tretë i madh i mbretërimit të hershëm të Guardiolas ishte prapaktheu ndaj njoftimit se ai “nuk mbështetej tek Eto’o për të ardhmen”. Me Ronaldinhon, të cilin e kishte zili, të larguar, me Thierry Henryn, një mik, tani sulmuesi “tjetër” dhe me Guardiolan që po vendoste standarde të reja, Eto’o refuzoi që të pranonte përjashtimin duke u nënshtruar dhe punoi jashtëzakonisht fort për ta bindur trajnerin e ri që ta ndryshonte mendjen. Atë verë, Eto’o e mbajti gojën mbyllur, u stërvit si dreqi, shënoi 11 gola në 11 ndeshje për klubin dhe vendin e tij dhe, thelbësisht, jo vetëm që shënoi një gol kundër Wisła Kraków, por e udhëhoqi ekipin në lojën pa top. Në ditën e tij të paraqitjes, trajneri kishte shtuar nën zë: “Nëoqftëse njëri nga të tre [Ronaldinho, Deco dhe Eto’o] qëndron sezonin tjetër, unë nuk do të kisha paragjykime ndaj tyre dhe do t’i shtyja që gjenin nivelet e tyre të mëparshme”. Vetëm afrikani futej në këtë kategori. Kohë përpara se merkatoja të mbyllej, Guardiola u ul me Eto’o dhe i tha: “Më pëlqen loja jote pa top, e vlerësoj presingun tënd. Nëqoftëse luani dhe stërviteni siç jeni duke bërë, do të qëndroni. Por kemi folur me kapitenët e ekipit [është një kapiten, Carles Puyol, plus dy zëvendëskapitenë] dhe ata thonë se nuk duhet të ketë më sjellje që shkakton probleme. Nuk ka më paralajmërim, një të tillë dhe je jashtë”.

Eto’o ra dakord me qejf dhe vendimi rezultoi frymëzues. Ai shënoi 30 herë në La Liga, shënoi nga një gol në çdo ndeshje të Champions League, përfshi golin e parë në finalen kundër Manchester United, për një total prej 36 golash. Megjithatë, kur normalisht i duruari Guardiola thoshte “një humbje dhe je jashtë”, ai e nënkuptonte atë. Por parasezoni kishte shkuar shumë mirë. Nuk kishte kurrfarë diskutimi se kush ishte në drejtim. Xavi, duke u kthyer me lojtarët e tij të kombëtares nga fitimi i Europianit, e shpjegon impaktin që Guardiola pati nga momenti i parë: “Parasezoni kishte filluar tashmë kur ju bashkova stërvitjes dhe skuadra po punonte fort. Trajnerët, përgatitësit atletikë, Pep, qenë të gjithë si fajkoj ndaj nesh, duke mëshuar për përsëritje, për intensitet stërvitjeje. Puyi [Carles Puyol], Andrés [Iniesta] dhe unë shikuam njëri tjetrin me mendimin “Uau! Çfarë po ndodhka këtu, këta njerëz qenkan… Më e rëndësishmja, mendova për veten: “Ky është një prej momenteve kur ose hipni në tren, ose ai niset pa ju””. Ndeshja e parë e ligës e Guardiolas, në fushën e Numancias, është njëherazi ekzaltuese dhe kaotike. Në të ekipi luan me Valdés; Alves, Puyol, Márquez, Abidal; Xavi, Touré (Hleb 56), Iniesta (Keita 65); Messi, Eto’o, Henry (Bojan 61). Ekipi është i uritur, krijues dhe duket në formë, por është gjithashtu i çorganizuar dhe naiv. Barça është mundur në mënyrë poshtëruese nga djemtë e rinj të La Ligas.

“Ekzistojnë rregulla pozicionimi në lojë. Të gjithë i dimë dhe gjithë verës, deri më tani, i kemi zbatuar, kështu që jam i befasuar që luajtëm kështu”, thotë Guardiola. “Duhet të kishim fituar, luajtëm keq. Qe i gjithi gabimi ynë, por mund t’i korrigjojmë gabimet”. Mëngjesin tjetër, gazetat janë të mbushura me emaile dhe tekste nga lexues të fyer e të zemëruar. Një sondazh atë javë e donte Messin që t’i bashkëngjitej krahut të djathtë, Iniesta të konvertohej në një sulmues krahu të majtë dhe, me çdo kusht, të merrej Andrey Arshavin, një prej yjeve të Europianit të atij viti. Pikëpamja e  Guardiolas rreth terapisë korrigjuese qe 100 përqind korrekte. Dita e pushimit e lojtarëve u hoq dhe një seancë praktike u fut mëngjesin tjetër. Fatkeqësisht për të, pati një ndërprerje ndërkombëtare menjëherë dhe i tha lamtumirë shumicës së lojtarëve të tij për 10 ditët e ardhshme. Për shkak të besimit të Guardiolas se kishte një “skuadër të shkurtër” dhe për shkak se fusha artificiale që përdornin mund të ishte dëmtuar, ata lojtarë të ekipit të parë që mbetën (Alves, Eto’o dhe Sylvinho) nuk u thirrën për ndeshjen e Copa Catalunya në Sant Andreu, në veri të qytetit, kur një përzierje e ekipit B dhe e lojtarëve të rinj humbi 3 me 1. Një grumbull i mirë tifozësh që kishin ardhur atë ndeshje i ulërinë dhe i bënë gjeste kërcënuese Joan Laportas, por edhe Guardiolas, për atë që po fillonte të dukej një futboll i lehtë, identik me atë që i kish kushtuar Rijkaard shkarkimin.

Kur ato humbje jashtë u pasuan nga një barazim 1 me 1 në shtëpi me Racing Santander, pati ulërima zhgënjimi nga e gjithë Katalonja, nga tifozët dhe mediat. Kthimi i Messit nga Peruja, ku luajti për Argjentinën, nënkuptonte se ai ishte lënë për stol, por arriti të shënojë një penallti vetëm 19 minuta para mbarimit. Përballë vetëm 54678 tifozëve (domethënë me mbi 40000 vende të tjera bosh), Racing barazoi 3 minuta më vonë. Me një pikë nga vendi i gjashtë, Barça ishte e 15-ta dhe kudo po binin sirenat e alarmit, përveç Casa Cruyff, ku burri i shtëpisë ishte i shurdhër ndaj zhurmës, por i mbante sytë hapur. “Nuk e di se cilën ndeshje patë”, iu përgjigj ai lexuesve në El Periódico, “por unë pashë një prej performancave më të mira të Barças prej vitesh. Ok, kjo do të thotë 2 ndeshje, 1 gol, nga penalltia, dhe të gjithë rastet nga kundërshtarët kanë përfunduar në rrjetë. Ama këto janë vetëm numra. Nga urtësia futbollistike, Barça qe më e mira. Pozicionalisht e shkëlqyer, duke e lëvizur topin me shpejtësi e saktësi dhe duke bërë presing mirë. Ju nxorrët konkluzionet tuaja, por, për mua, ky sezon duket shumë dhe e përsëris shumë i mirë”. Atë javë Barça fitoi dy herë – 3 me 1 në shtëpi me Sporting Lisbonën në Champions League dhe 6 me 1 jashtë me Sporting Gijón në La Liga. Lojtarët e Guardiolas qenë çliruar nga zinxhirët. (Nga libri “Barça, The Making of The Greatest Team in the World” i Graham Hunter)

Përgatiti per bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button