Sport

SPORT & POLITIKE / Revolucioni xhentil i Dani Alveshit

Veprimi i tij është imituar në të gjithë botën

Dani 1Kur në minutën 30:32 të pjesës së dytë, me rezultatin 2:1 për Vilarealin kundër Barcelonës, u përkul për të vendosur me kujdes topin në vijën e bardhë të kornerit, Daniel Alves da Silva nuk e dinte ende se ndeshja e 35 e Ligës Spanjolle do të hyjë në histori – në 7 sekonda të paharrueshme – falë një xhesti të tij shumë të thjeshtë dhe revolucionar.

Rishikojmë replay-n. 30’34’’: nga shkallët e stadiumit, mbi fushën e lojës, hidhet një banane. Dani sapo ka marrë vrull për të goditur topin, ndalet, sheh frutin e verdhë mbi fushën e gjelbërt, me sy të palëvizshëm dhe pamje krejt të pashqetësuar. 30’36’’: përkulet sërish mbi vetëm njërën këmbë, sikur të dojë të rregullojë lidhësen e këpucës, me dorën e majtë Dani merr bananen, nën vështrimin e vijërojtësit. 30’39’’: e zhvesh nga lëkura, këput një copë dhe e fut në gojë, duke pastruar dorën tek corapet. Pak më vonë, Dani Alves do të krosojë topin që Musacchio do ta cojë si autogol në portën e tij (2:2), dhe në fund Leo Messi do të vulosë rezultatin 3-2 për Barcelonën.

Gjithcka dihet: tiki-taka, skema që u zbatua edhe në kujtim të Tito Vilanovës, fitorja që e mban në tension Ligën, banania. Mbi të gjitha, banania. “Kur isha fëmijë, im atë më thoshte që të haja sa më shumë banane sepse ndihmojnë për të shmangur dhimbjet e barkut – ka thënë me shaka braziliani. Kush e hodhi atë banane nuk meriton vëmendje. Vetëm duhet të qeshim: në jetë pak ironi të bën mirë…” Por në fushën e lojës, u pa një provokim racist i zhvlerësuar me inteligjencë, ironi dhe me lehtësinë e Danit, numri 22 i blaugranave. Një prej më zemërbutëve: në vitin 2007, pas vdekjes dramatike të shokut të tij, Puerta, kishte refuzuar ofertën e Chelseat për të qëndruar tek Sevilja. Në fillim të këtij sezoni, i gjashti tek Barcelona, ndërroi numrin e fanelës, duke marrë 22-shin në nder të Abidalit, të cilit në kohën e transplantit i kishte ofruar mëlcinë.

Me shpejtësinë me të cilën vetëm në një rrjet social fragmentet e jetës bëhen popullorë, veprimi i Dani Alveshit ka bërë xhiron e botës duke mobilizuar selfie (Neymar ka nisur në Twitter fushatën somostodosmacacos – jemi të gjithë majmunë), krerë shtetesh (Dilma Rousseff, presidente e Brazilit ka thënë se ishte një veprim kurajoz. Matteo Renzi, kryeministër i Italisë ka ndarë një banane në Kryeministri me trainerin e kombëtares Prandeli), e madje edhe Mario Balotelli ka nxjerrë një foto ku ha një banane, ai që zakonisht përballë buuuu-së së tifozëve ka reaguar gjithmonë keq.

E ndërkohë që Veziri i Madh i FIFA-s, Sepp Blatter vinte diskun e përhershëm (“Kundër racizmit, tolerancë zero”), ka menduar Pep Guardiola, prestigjatori që me Dani Alvesin ka fituar gjithcka që është për t’u fituar, për të shpjeguar përse mes gjithë futbollistëve, vetëm Dani mund të shpikte një magji me forcë të tillë: “Eshtë brazilian, besimtar: e do shumë jetën për t’u mërzitur”. E vërtetë. “Hahahahahahaha” ka shkruajtur në Twitter natën vonë, njeriu që me një të kafshuar të bananes ka ngrënë edhe njëzetë vite llafe dhe retorikë mbi racizmin në futboll. Mos u ndal Dani: një e qeshur do i varrosë. (Gaia Piccardi – Corriere della sera)

Leave a Reply

Back to top button