Sport

SPORT / Wayne Rooney sipas Sir Alex

rooneyIshte gushti i 2004 dhe sapo kishim luajtur me Evertoni. Bill Kenwrighti po qante. I ulur në zyrën time, duke qarë. Të pranishëm ishin David Moyesi, David Gilli, Billi dhe unë. Teksa studionim Presidentin e Evertonit në brengën e tij, ai tha se do të donte të bënte një telefonatë. Megjithëse në lot, Billi tha: “Kam nevojë t’i telefonoj nënës time”.

“Ata po na e vjedhin djalin tonë, po na e vjedhin djalin tonë”, tha ai në telefon. Pastaj ma kaloi telefonin mua. “Mos guxoni të mendoni se po e merrni këtë djalë për asgjë. Ky djalë vlen 50 milion paund”, më tha një zë femëror. Mrekulli. “Ky është një mashtrim”, qesha unë. “Është ndonjë lojë kjo?”. Por ishte reale. Duhej vetëm që t’ia përmendnit Evertonin Billit, për t’ia gjetur pikën e dobët. Ai ishte njeri mjaft simpatik dhe jashtëzakonisht emocional.

David Moyesi po më bënte shenja me sy. Për një moment mendova se kjo ishte një diçka e kurdisur, një shfaqje. Në fund të fundit, bekgraundi i Billit ishte në teatër. Më ra në mendje teksa gjithçka po ndodhte se duhet të kontrolloja dosjen mjekësore të Waynet. A kishte diçka fizikisht gabim që na kish shpëtuar? Apo ishte kjo një stratagjemë për të rritur çmimin? O Zot, ishte gallatë. Djali kishte vetëm një këmbë? Po bija në ndonjë rrjetë gjigante?

Negociatat për të blerë talentin e ri më premtues të Anglisë, për të thënë më të paktën, qenë zgjatur. Billi e dinte vlerën e djaloshit. David Moyesi ishte pala më luftarake, siç do të kisha qenë edhe unë në pozicionin e tij. Davidi ishte realist. Ai e dinte se klubi do të përfitonte një shumë të majme dhe se Evertoni vështirë se ishte i mbytur në para. Çmimi zyrtar ishte pak mbi 25 milion paund me shtesa. Evertoni kishte nevojë për këtë injeksion. Kur lotët i qenë tharë dhe bisedat mbaruan, Wayne nënshkroi në vijën e duhur 7 orë përpara skadimit të afatit, me 31 gusht 2004.

Në kohën që u bashkua me ne, ai nuk kishte luajtur për 40 ditë e më shumë dhe ishte stërvitur për vetëm disa seanca. Menduam se barazimi i Champions League në shtëpi me Fenerbahçen do të ishte prezantimi i përshtatshëm, 28 ditë pasi ishte bërë lojtar i Manchester United. Parashikimi rezultoi një gjetje spektakolare: një trigolësh i Rooneyt në fitoren 6 me 2.

Pas këtij prezantimi dramatik, niveli i formës së tij ra pak dhe na u desh të punonim për ta sjellë atë në nivelin e lojtarëve të tjerë. Në mënyrë të kuptueshme nuk pati asnjë përsëritje të performancës me Fenerbahçen për disa javë.

Asgjë nga këto nuk e zbehu entuziazmin tim për të. Wayne posedonte një talent të mrekullueshëm dhe e meritonte që t’i jepej kohë për të kryer tranzicioni nga djalë në burrë. Ai ishte një futbollist serioz i përkushtuar me një uri për të luajtur. Në këtë pikë të zhvillimit të tij, Wayne kishte nevojë që të stërvitej gjithë kohës dhe e bëri me dëshirë një gjë të tillë. Ai nuk qe kurrë nga ata që mund të merrnin ditë pushim. Kishte nevojë që të stërvitej intensivisht për të qenë në formën e shkëlqyer të lojës së tij. kurdoherë që do të mbetej jashtë prej ndonjë dëmtimi, forma e Wayne do të binte shumë shpejt. Ai kishte një trup të madh solid dhe këmbë të gjerë, gjë që mund të shpjegojë pjesërisht dëmtimet e tij metatarsike në atë periudhë.

E dija qysh në fillim se ai ishte lojtari që intuita na thoshte se do të ishte. Kurajoz, përdorues jo i keq i të dyja këmbëve, megjithëse e përdor këmbën e majtë më pak sesa mundet. Ne i merrnim lojtarët 24 vjeçarë duke menduar se do ta arrinin pikun në moshën 26 vjeçare dhe progresi i Waynet me ne nga një moshë shumë më e hershme e mbështeste bindjen time se ai do a arrinte maksimumin rreth kësaj moshe. Me llojin e fizikut që kishte, ishte gjithmonë e vështirë ta imagjinoje atë duke luajtur në mesin e të 30-ave, si puna e Scholesit apo Giggsit, por zhvillova një shpresë kur ai rinënshkroi për ne, në tetor të 2010, se mund të përfundonte si mesfushor. Inteligjenca jonë rreth Wayne Rooneyt si një djalë shkolle Evertonian mund të përmblidhej në një shprehje të vetme. Ky ishte një njeri që po luante në futboll minoren. Raportet në akademinë tonë qenë gjithmonë të shkëlqyera dhe klubi u përpoq që ta blinte atë në moshën 14 vjeçare, kur ekzistonte një mundësi në javën e fundit të majit, që ju lejon të nënshkruani me një djalë nga një akademi tjetër. Por Wayne donte të rrinte tek Evertoni. Ne u përpoqëm sërish në moshën 16 vjeçare, përpara se ai të nënshkruante format e tij të akademisë dhe sërish nuk qe i interesuar. Evertonin e kishte në gjak.

Geoff Watsoni dhe Jim Ryani qenë dy njerëzit e akademisë tonë që patën monitoruar progresin e Rooneyt dhe qenë aq të impresionuar me të në ndeshjet midis klubeve. Ai luajti në finalen e FA Youth Cup në moshën 16 vjeçare kundër Aston Villas. Kur Walter Smithi mu bashkua si asistent, ai më tha: “Bëje atë Rooneyn të nënshkruajë”. Walteri ishte kategorik. Ai e përshkroi atë si më të mirin që kishte parë ndonjëherë. Kjo konfirmoi gjithçka që dinim për të. Pastaj erdhi debutimi i Waynet, në moshën 16 vjeçare, dhe goli i tij mrekulli kundër Arsenalit. Gjithashtu tek Everton ai u bë lojtari më i ri që fitoi një pjesëmarrje të plotë me Anglinë, në një ndeshje kundër Australisë, dhe u zgjodh nga Sven-Göran Erikssoni për ndeshjen jetike kualifikuese për Kupën e Botës kundër Turqisë. Ai shënoi golin e tij të parë ndërkombëtar në moshën 17 vjeç e 317 ditë. Kështu që ai ndodhej tashmë në hartën kombëtare në kohën kur erdhi tek ne.

Takimi im i parë me të e hodhi poshtë shpresën se ai do të kishte një personalitet të vendosur. Ai ishte një djalë i turpshëm, por mendoj se ekzistonte një sugjestionim rreth tij, që pasqyronte shumën e lartë të transferimit dhe gjithë vëmendjen që po sillte. Shpejt pushoi së qëni i turpshëm. Në terrenin tonë stërvitor ai ia nxiu jetën gjithsekujt. Gjithsekujt. Arbitrit, lojtarëve të tjerë. Arbitrat e varfër – Tony Strudwick, Mick apo René – do të më thoshin të gjithë: “Ti je i vemi me autoritet, ju duhet t’i arbitroni këto ndeshje”. Përgjigja ime ishte: “Në asnjë mënyrë nuk kam për t’i arbitruar këto ndeshje”. Kujtoj Jimin që t’i binte bilbilit lehtë për një goditje dënimi në një ditë kur Roy Keane ishte në një prej gjendjeve shpirtërore të zeza të tij, duke i treguar të gjithë gishtin e mesit. Ekipit të tij, ekipit tonë, arbitrit, çdo krijese të gjallë që i dilte përpara. Jimi kthehej nga unë me bilbilin e tij dhe më thoshte: “Shpresoj që ekipi i Royt të fitojë”. “Kjo është qesharake”, i thosha unë, duke u përpjekur që të mos qeshja. “Po, por brenga që do të më kapë në atë dhomë zhveshjeje”, më thoshte Jimi. Në një moment ne diskutuam bile që të punësonim arbitra.

E pranoj që i kam shkaktuar Waynet disa andralla dhe ai do të zemërohej në dhomën e zhveshjes kur e zgjidhja për ta kritikuar. Sytë e tij sikur do të merrnin flakë, tamam sikur dëshironte të ma merrte shpirtin. Të nesërmen do të vinte të kërkonte falje. Kur zemërimi i kalonte, ai e dinte se kisha të drejtë, sepse gjithmonë kisha të drejtë, siç më pëlqente ta ngacmoja. Ai do të më thoshte: “A do të luaj javën tjetër, bos?”. “Nuk e di”, do t’ia ktheja unë. Sipas mendimit tim, ai nuk ishte nxënësi që mësonte më shpejt, por ajo çka ai kishte, ishte një instinkt natyral për lojën, një vetëdije intuitive të mënyrës sesi funksiononte futbolli. Një talent krudo i mrekullueshëm. Plus, kurajo natyrale dhe energji që është një bekim për çdo futbollist. Aftësia për të vrapuar gjithë ditën nuk është për t’u nënvlerësuar. Në një ushtrim stërvitor ai nuk do t’i absorbonte me shpejtësi ide dhe metoda të reja. Instinkti i tij ishte të rikthehej, t’i besonte asaj çka tashmë e njihte. Ishte i kënaqur me veten.

Në ato vite të para, rrallë më duhej të bëhesha diktatorial me të. Ai bënte disa ndërhyrje të çmendura gjatë ndeshjeve dhe ato qenë pika shpërthimi në fushë. Megjithatë, jashtë fushe ai nuk më shkaktonte asnjë ankth. Problemi im ishte se, duke qenë vetë një qendërsulmues, gjithmonë isha më i ashpër më sulmuesit se më këdo tjetër në ekip. Sigurisht, ata nuk qenë kurrë aq të mirë sa unë. Më vjen keq, por askush nuk ishte i mirë sa unë në kohën time. Menaxherëve u lejohen kapriço të tilla dhe shpesh i injektojnë ato tek lojtarët. Në mënyrë të ngjashme, lojtarët mendojnë se janë menaxherë më të mirë se ata që ndodhen në atë post, domethënë deri kur e provojnë. Nëqoftëse i shikoja sulmuesit të mos bënin gjërat që unë besoja se ata bënin, një gjë e tillë më tërbonte. Ata qenë shpresa ime. I shikoja ata dhe mendoja: ju jeni unë. Ju shikoni veten tek njerëzit. Unë mund ta shikoja veten tek Roy Keane, ta shikoja veten tek Bryan Robsoni, të shikoja copëza të miat tek Paul Scholesi, Nicky Butti dhe vëllezërit Neville, Gary e Phili. Ekipet pasqyrojnë karakterin e menaxherit të tyre. Kurrë mos u dorëzo: ky është një besim fetar i madh, një filozofi e madhe për t’u pasur. Unë kurrë nuk u dorëzova. Gjithmonë mendoja se mund të shpëtoja diçka nga çdo situatë. Diçka ishte duke ndodhur gjithmonë tek Man United. Ekzistonte gjithmonë një dramë. Kjo gjë ishte rutinë për mua.

Kur jeta personale e Wayne Rooneyt u ekspozua në “News of the World” dhe një ndjesi krize po përgatitej në botën e tij në fundin e verës 2010, nuk kishte asnjë këshill lufte në zyrën time, asnjë ecje me duar prapa në të. Unë nuk i telefonova atij mëngjesin pasi historia doli në shtyp. E dija se do të donte që t’ia bëja. Por është këtu që kontrolli im ishte i fortë. Ai do të ishte duke e pritur një telefonatë nga ana ime, një dorë mbi shpatullat e tij. Për mua kjo nuk ishte mënyra e ndeshjes me problemin. Kur të gjitha këto lloj gjërash dolën herën e parë, ai ishte 17 vjeç dhe u bënë lëshime prej moshës, por kësaj radhe ishim 7 vjet më vonë. Coleen, gruaja e tij, e kishte kokën në vend. Gjithmonë më godiste si një forcë stabilizuese.

Sigurisht që ndjehesha nën presion në raport me të gjatë Kupës së Botës në Afrikën e Jugut. E dija se diçka po e gërryente atë në Kupën e Botës 2010. Mund ta shikoja. Megjithëse qe zgjedhur PFA Player of the Year dhe Football Writers’ Association Footballer of the Year atë sezon, ai ishte në një gjendje të çuditshme në Afrikën e Jugut. “Mirë të shikosh tifozat e tu që t’ju bëjnë buu”, tha ai për një kamera televizive pas një barazimi pa gola të Anglisë me Algjerinë në Cape Town. Anglia u eliminua në turin e dytë dhe nuk pati asnjë gol në 4 ndeshje për Wayne.

Duhej të tërhiqja vëmendjen e tij. Megjithatë mënyra më e mirë për ta arritur ishte duke mos i thënë asgjë – duke mos i ofruar ngushëllim – për ta detyruar që të mendonte. Kur e lashë jashtë formacionit në një ndeshje jashtë me Evertonin në shtator, për ta mbrojtur nga abuzimi i turmës, ai u qetësua, pasi e dinte se po bëja gjënë e duhur për të. Puna jote është që të bësh një impakt në personalitetin e secilit, me rezultatin më të mirë të mundshëm në termat e performancës. Ne mund të moralizojmë të gjithë, por secili do të bëjë gjëra të pamatura. Unë nuk do të moralizoj kurrë me Rooneyn. Me 14 gusht 2010 Wayne na informoi se nuk do ta nënshkruante një kontratë të re me United. Ky qe një shok i vërtetë, pasi plani kishte qenë gjithmonë që të uleshim pas Kupës së Botës për të diskutuar një kontratë të re.

Ndërsa drama fillonte e fryhej, David Gilli më telefonoi për të më thënë se agjenti i Wayne, Paul Stretfordi, kishte qenë për ta takuar që t’i thoshte se Wayne donte të largohej. Shprehja që ai kishte përdorur ishte se nuk mendonte që klubi ishte ambicioz sa duhej. Ne patëm fituar League Cup dhe League një vit më parë dhe arritur në finalen e Champions League. David me tha se Wayne do të vinte të më takonte. Në takim, i cili u mbajt në tetor, ai u tregua goxha i ndrojtur. E ndjeva se ishte programuar në atë çka po përpiqej të thoshte. Baza e ankesës së tij ishte se ne nuk qemë ambiciozë aq sa duhej. Përgjigja ime ishte të pyesja Wayne: “Kur nuk kemi qenë të stimuluar për League në 20 vitet e fundit? Në sa finale evropiane kemi qenë në 3 apo 4 vitet e fundit?”. I thashë atij se thënia e një diçkaje të tillë ishte nonsens. Wayne tha se ne duhet të kishim ndjekur Mesut Özilin, i cili i qe bashkuar Real Madridit nga Werder Bremen. Përgjigja ime ishte se nuk ishte aspak punë e tij se pas cilit lojtar duhej të kishim shkuar. I thashë se puna e tij ishte që të luante dhe të luante mirë. Puna ime ishte që të bëja skuadrat e duhura dhe se deri më tani e kishim bërë mirë një gjë të tillë.

Patëm një barazim në kupat europiane të nesërmen. Dy ditë përpara se të luanim me Bursaspor, me 20 tetor, Wayne nxori deklaratën e mëposhtme: “Unë u takova javën e kaluar me David Gillin dhe ai nuk më dha asnjë siguri që po kërkoja rreth skuadrës së ardhshme. U thashë se nuk do ta nënshkruaja një kontratë të re. Isha i interesuar që të dëgjoja se çfarë do të thoshte dje Sër Alex dhe u befasova nga një pjesë e saj. Është absolutisht e vërtetë, siç e tha ai, se agjenti im dhe unë patëm një numër takimesh me klubin lidhur me kontratën e re. Gjatë këtyre takimeve në gusht kërkova siguri rreth aftësisë së vazhdueshme të klubit për të tërhequr lojtarët më të mirë në botë. Nuk kam pasur kurrë asgjë tjetër veçse respekt të plotë për MUFC. Si mund të mos e kisha, duke pasur parasysh historinë fantastike të tij dhe sidomos në 6 vitet e fundit në të cilat kam qenë i lumtur ta luaj një rol? Për mua është gjithçka rreth fitimit të trofeve, siç ka bërë gjithmonë klubi nën Sër Alex. Për shkak të kësaj mendoj se pyetjet që po bëja qenë të justifikuara. Pavarësisht vështirësive të fundit, unë e di se i kam një detyrim të madh Sër Alex Fergusonit. Ai është një menaxher i madh dhe mentori që më ka ndihmuar dhe më ka mbështetur qysh ditën që me mori nga Evertoni kur isha vetëm 18 vjeç. Për hatër të Manchester United, uroj që ai të vazhdojë përgjithmonë për shkak se është një njeri ekzemplar dhe një gjeni”.

Nuk isha i sigurt se çfarë donte të thoshte me këtë deklaratë, por supozova se po përpiqej që të krijonte disa ura lidhjeje me mua dhe me tifozët. Shpresoja se e kishte ndryshuar mendjen dhe ishte i lumtur që të qëndronte me ne.

Konferenca e shtypit pas ndeshjes, kur ishin të pranishme të gjitha mediat, më dha mundësinë që të thoja atë që doja të thoja, që ishte se Wayne po fliste jangllësh. Unë i thashë shtypit: “Siç e thashë, 3 tituj Premier League radhazi është një gjë fantastike dhe brenda 1 pike larg vendosjes së një të katërti rekord. Nuk na ndodhi, nuk na pëlqeu një gjë e tillë dhe duam të bëjmë diçka lidhur me të. Ne do të jemi në rregull, kam shumë besim në këtë gjë. Ne kemi një strukturë në klub që është e mirë, kemi stafin e duhur, menaxherin e duhur, kryeshefin e duhur, ai është një njeri brilant. Nuk ka asgjë gabim me Manchester United, asnjë gjë të vetme gabim me të. Kështu do të ecim përpara”.

Dhe unë thashë në televizion: “Unë pata një takim me djalin dhe ai përsëriti atë çka agjenti i tij kishte thënë. Ai donte të largohej. I thashë: “Vetëm kujto një gjë: Respektoje këtë klub. Unë nuk dua ndonjë absurditet nga ana jote, respektoje klubin tënd”. Ajo çka po shikojmë tani në media është zhgënjyese për shkak se kemi bërë gjithçka kemi mundur për Wayne Rooneyn, qysh nga momenti që ai ka ardhur në klub. Kemi qenë gjithmonë si një vendstrehim për të. Çdo herë që ka pasur ndonjë problem, ne e kemi këshilluar. Por e bën këtë gjë për të gjithë lojtarët, jo vetëm për Wayne Rooneyn. Ky është Manchester United. Ky është një klub që e bazon të gjithë historinë dhe traditën e tij mbi besnikërinë dhe besimin midis menaxherëve, lojtarëve dhe klubit. Kjo vjen nga ditët e Sër Matt Busbyt. Mbi këtë është ngritur gjithçka. Wayne ka qenë përfitues i kësaj ndihme, ashtu siç kanë qenë Ryan Giggsi, Paul Scholesi dhe të gjithë lojtarët. Për këtë jemi këtu”. Në një telekonferencë me vëllezërit Glazer u diskutuan ambiciet e ardhshme të klubit dhe Wayne u bë një prej lojtarëve më të paguar në vend, do të imagjinoja. Të nesërmen ai erdhi për të më kërkuar falje. I thashë: “Janë tifozët, ata të cilëve duhet t’u kërkosh falje”. Pati një reagim të përzier nga ana e lojtarëve. Disa qenë të mërzitur; të tjerë nuk qenë. Qe një episod fatkeq për Wayne sepse e portretizonte atë si një njeri të dhënë pas parave, që e hiqte mërzinë në momentin që i ngrihej rroga. Kjo qe mënyra që paraqitej, por nuk mendoj se ishte qëllimi i Wayne që ta shndërronte atë në një çështje financiare. Shpejt u fry, megjithatë, me tifozët, mbeti një thërrime mosbesimi.

Ai ndjehej aq mirë për aq kohë sa shënonte, por në momente ngecjeje ndoshta kishte një shfaqje të mërisë së vjetër. Lojtarët nuk mund ta nënvlerësojnë thellësinë e ndjenjës për një klub midis tifozëve. Në rastet më ekstreme ajo i bën mbështetësit që të mendojnë klubin e tyre. Disa prej tyre kanë qëndruar prapa klubit për 50 vjet. Ata ndodhen aty përjetë. Kështu që kur lojtari besohet se nuk është treguar besnik me një klub, nuk ka asnjë përzierje me ta. Shumë pak lojtarë duan të largohen nga Manchester United. Ne patëm një gjeneratë lojtarësh që e kaluan të gjithë karrierën e tyre me klubin tonë – Giggs, Scholes e kështu me radhë – dhe është e huaj për mbështetësit tanë që ta shikojnë një lojtar të shqetësohet për një lëvizje, apo ta dëgjojmë atë të kritikojë politikën e transferimeve.

Në dimrin e 2011, mua mu desh që të merrja një masë disiplinore pasi Wayne, Jonny Evans dhe Darron Gibson kaluan një natë jashtë. Ata shkuan në një hotel të Southport për të festuar fitoren tonë 5 me 0 menjëherë pas Krishtlindjeve kundër Wigan. Ata dolën të nesërmen në stërvitje mjaft të lodhur. Shkova në palestrën ku po bënin ushtrimet e tyre dhe u thashë se do të gjobiteshin me të ardhurat e një jave dhe nuk do të përzgjidheshin për skuadrën kundër Blackburn ditën e shtunë. Wayne duhej të tregohej i kujdesshëm. Ai kishte cilësi të mëdha, por ato mund të zhdukeshin nga mungesa e stërvitjes. Shiko, ashtu si Ronaldo apo Giggs shikonin veten e tyre. Wayne duhej të përballej me vështirësitë. Nuk qe gjë e zgjuar për Anglinë që t’i jepte atij një javë pushim përpara Euro 2012 për shkak se ai mund të humbiste formën. Nëqoftëse humbte disa javë për United, atij mund t’i duheshin 4 apo 5 ndeshje përpara se të arrinte formën e duhur. Ndeshja me Ukrainën kishte mbaruar prej një muaji përpara ndeshjes së tij të fundit për ne.

Ai nuk do të përfitonte asnjë indulgjencë nga ana ime. Do ta godisja për çdo rënie të formës. Ishte shumë e thjeshtë: ai nuk do të luante. Kjo është mënyra me të cilën gjithmonë jam përballur me çështjet e formës, pavarësisht lojtarit të përfshirë, dhe nuk shikoja asnjë arsye që të ndryshoja në vitet e fundit të karrierës sime. Wayne kishte një dhunti për prodhim momentesh të mëdha në ndeshje. Në vitin tim të fundit, kur u la jashtë formacionit pak herë dhe u zëvendësua në ndeshje, e ndjeja se ai po luftonte që të fitonte besimin e njerëzve dhe se kishte humbur forcën e tij të vjetër agresive. Por qe i aftë në dhënien e kontributeve të jashtëzakonshme. Ai pasim për Van Persien në fitoren ndaj Aston Villas, që na siguroi titullin qe i mrekullueshëm, ashtu siç qe gërshëra e tij kundër Man City. Këto shkëndija e garantonin profilin e tij. Por teksa koha kalonte, ndjeja se luftone gjithnjë e më shumë për ta bërë një gjë të tillë për 90 minuta dhe dukej i lodhur në ndeshje. E ndërrova në ndeshjen me Aston Villan për shkak se ky i fundit ishte një ekip i ri mjaft i shpejtë, që vraponte tërësisht dhe markuesi i tyre po e linte në bisht Waynen. Ai më erdhi në zyrë ditën që fituam League dhe kërkoi të largohej. Ai nuk ishte i lumtur me faktin që po lihej jashtë në disa ndeshje dhe po zëvendësohej në disa të tjera. Agjenti i tij Paul Stretford i telefonoi David Gillit me të njëjtin mesazh.

Të gjithë lojtarët janë të ndryshëm. Disa janë të lumtur të qëndrojnë në të njëjtin klub gjatë gjithë karrierës; të tjerë kanë nevojë për sfida të reja, si kishte Van Persie kur u bashkua me ne nga Arsenali. Shtytja për të luftuar dhe lulëzuar nuk duhet të zhduket tek Wayne. E lashë që ta diskutojë të ardhmen e tij me David Moyesin, me shpresën që të shikojmë akoma më shumë performanca të mëdha prej tij në Old Trafford.

(Nga libri Sir Alex Ferguson, “Alex Ferguson: My Autobiography”)

Përgatiti per bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button