Sport

SPORT&POLITIKE: Juve-Roma, ndeshja që s’ka fund

Gabriele Romagnoli

juve roma

Nuk e mbajmë mend më se që kur ka filluar dhe nuk e dimë se kur do të përfundojë: Juventus-Roma është ndeshja që nuk mbaron, dueli i dy Italive që shndërrohen në një front unik manikeizmi, ekzagjerimi, humbjeje të çdo lloj logjike dhe kuptimi.
Futbolli italian e pa natën e tij të tmerrit gjatë finales së Kupës së Italisë, ndërkohë që një napoletan vdiste, romanistët mjekoheshin dhe ultrasi Genny Kërma diktonte kohën dhe kushtet ndaj një tribune ku ishin ulur kryeministri dhe autoriteti i dytë i shtetit. Të djelën në mbrëmje në Juventus Stadium, duke respektuar profecinë e Karl Marksit, tragjedia u rikthye e veshur si farsë. Ishin përballë njëra-tjetres dy skuadrat e vetme në garë për të fituar kampionatin. Në mungesë të çdo lloj sfide tjetër, ky është derbi italian. Dhe ashtu si çdo dualizëm, ai demonstron pamundësinë e vendit për të jetuar çfarëdolloj dualizmi civil. Historia bëhet opinion, legaliteti bëhet opsional: goli i Turones ishte i vlefshëm, titujt janë 32.
Nga njëra anë dhe nga tjetra mbërrihet tek fërshëllima e fillimit me një ngarkesë akuzash reciproke, dyshimesh dhe ngacmimesh që e helmojnë atmosferën që përpara se të fillohet të merret frymë. Arbitri Rocchi është simboli i një drejtësie në të cilën publiku nuk beson më, dhe si shumëkush që thirret të gjykojë, përfundon duke mos respektuar as vendimet e tij, bie në kontradiktë me vetveten, shkëmben goditje dënimi me penallti, fiasko me fërshëllima. Përreth tij, asgjë nuk është siç duhej të ishte. Tifozët juventinë, në vend që ta shijojnë, kapen me rezervat e Romës. Traineri Garcia, i dëbuar për përdorim ironik të violinës braktis butësinë dhe bëhet i egër verbalisht. Dy rioshë në kampionatin italian, Morata dhe Manolas përshtaten me shpejtësi dhe kapen me kokë e me këmbë. Eshtë vetëm përshtypje, fakti që ndeshja përfundoi (me një rezultat të pranueshëm në thelb por absurd në formën që e prodhon). Dhomat e zhveshjes janë një rit kalimi. Nëse në regbi, pjesa e tretë është një shkëmbim pijesh alkoolike mes kundërshtarësh që janë zhytur gjithë ndeshjen në llucë, në kampionatin italian është një zvarritje histerike e duelit, një makinë balte drejt të cilës të gjithë hidhen me vrap.
Talk show është modeli, Twitteri është mjeti. Vëmendja fitohet me batutat më të egra, një specialitet ku prej dy sezonesh shkëlqejnë “gratë e”: futbollistëve, trainerëve, tani edhe presidentëve. Kur duket se gjërat qetësohen, marrosen të tjerë. Duke filluar nga një deputet, një investigim parlamentar për ministrin e ekonomisë, a thua nuk ka probleme të tjerë për momentin, si për shembull papunësia mes të rinjve në nivelin 44%. Nga fronti i Lega Nord kërkohet ndërhyrja e komisionit BE. Nga fronti i Legas, ai front, sekretari i të cilit sapo u zgjodh tha: “Të rimarrim nga Brukseli sovranitetin. BE është një gulag si Bashkimi Sovjetik”.
Ka manovra përreth titujve të bursës: por ata që kishin blerë aksione të Juves duke shpresuar tek arbitrimi i kanë gjetur të pandryshuar.
Nëse një marsian, apo një islandez i edukuar, do të vërente momentet më të mirë të kampionatit italian të dielën do të shihte disa gola të bukur dhe: një president me një facoletë në gojë, dy ish trainerë të Milanit që i hidhen njëri tjetrit si nxënës të papjekur, lojtarë që ndjekin njëri-tjetrin pa top.
Juve-Roma sapo ka përfunduar dhe ka rifilluar. Në këtë bipolarizëm “më se të papërsosur”, të futesh me logjikë është e pamundur, ashtu si në politikë. Nuk mbetet vetëm të tundësh kokën, sic do të bënte në po të njëjtën ditë një trainer që i fsheh kartat e tij, e të thuash: “Kampionati është ende i gjatë”. Për fat të keq, edhe pse ka vetëm një ndeshje. /La Repubblica/

Pergatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button