Sport

SPORT&POLITIKE/Kronikë e një jave pas “cunamit” të urrejtjes

Ermal GJINAJ

Aq shumë kishte oshëtirë për mbi 50 minuta stadiumi Partizan i Beogradit, saqë heshtja që shoqëroi për ato pak sekonda mjetin fluturues mbi kokat e tifozëve serbë ishte pothuajse surreale. Si tërheqja e detit pas një tërmeti që ka rënë në thellësi. Për të shpërthyer më pas në një cunam, jo nga ata me ujë të kripur që bëjnë kërdinë në brigje, por një cunam urrejtjeje, i pashembullt, i paprecedentë ndoshta edhe për vetë vendin ku po ndodhte…

ndeshja
Minuta 41. Deri në atë moment, edhe pse kishim parë gurë dhe monedha të lëshuara kur futbollistët e Shqipërisë hynë në nxemje, edhe pse kishim dëgjuar thirrjet “Vritini shqiptarët” (dicka që fillonte me Ubi dhe që me thënë të drejtën kishte një tingëllimë qesharake, si emër personazhesh filmash vizatimorë), edhe pse në fushë kishin rënë disa herë fishekzjarrët, edhe pse kishim parë – sic do të na e konfirmonte Andi Lila më vonë – gjestet shtazarakë të tifozëve që, për ta përcjellë sa më mirë urrejtjen, kafshonin duar e këmbë, sërish ishim përqëndruar të gjithë brenda fushës së blertë. Ishte sikur mendja jonë kishte vënë automatikisht në funksionim një mekanizëm, që na bënte krejt indiferentë ndaj asaj që ndodhte rretherrotull, dhe na i fokusonte të gjithë “projektorët” brenda fushës. Aty ku, pas 20 minutave të para vërtetë drithëruese, 11-shja e Shqipërisë kishte filluar dalëngadalë të rimerrte në duar frenat e lojës. Duke rrezikuar disa herë.

Këta mund të kenë qenë vërtetë momentet më delikatë. Ndërkohë që ne gëzonim sportivisht për aksionet e njëpasnjëshëm të kombëtares, në shkallët e stadiumit, bashkë me shtimin e thirrjeve për të vrarë e për të prerë, po rritej edhe nervozizmi që në të tilla raste, në mungesë të avantazhit, është i zakonshëm në çdo stadium. Por që këtu, për shkaqe historikë, po e gjente shprehjen e tij në format më të frikshme.

Të gjithë ne që po ndiqnim me emocion kthesën që kishte marrë ndeshja në favorin tonë, me siguri kemi ndjerë një trazim, në kufijtë e ankthit për atë që do të vinte, në momentin kur kemi parë simbolet tanë kombëtarë mbi banderolë, pra pasi u siguruam se fluturaku mbi kokat e 33 mijë tifozëve serbë nuk ishte një vepër e tyre. Bashkë me oshëtimën që pasoi “heshtjen e cunamit”, u vetëdijësuam se këtu nuk do të kishte më futboll. As kthim mbrapa.

Ndoshta mbrojtësi serb, Mitroviç, i mbërthyer nga nervozizmi që po ndërpritej një ndeshje ku 11-shja serbe ishte e dënuar “të fitonte sa më shpejt”, kërceu jo për t’i dhënë “një mësim të mirë” e për ta “përdhosur” atë që me siguri, për njohuritë që ka, i është dukur si flamur i Shqipërisë dhe jo një banderolë. Ndoshta donte thjeshtë të “të hiqte” qafe fluturakun e bezdisshëm që po frenonte lojën. Një veprim i mbushur me nervozizëm, por me siguri jo i qëllimshëm e pa urrejtje.

Taulant Xhaka dhe Andi Lila, kishin vetëm pak sekonda në dispozicion për të kuptuar nëse banderola që Mitrovici po e paloste me nxitim ishte e tillë, pra banderolë, apo flamuri i Shqipërisë. Prania e shqiponjës së zezë dhe e dy baballarëve të kombit nuk është se ua bënte të lehtë dallimin. Prandaj janë të dy të justifikuar, që rendën drejt futbollistit serb jo për të nisur një sherr masiv, pasi nuk ishin aspak agresivë, por për t’i treguar se duhet të ishin ata, pjesëtarët e ekipit shqiptar që duhej ta nxirrnin jashtë fushe sendin. Sepse ishin simbolet e tyre. Kemi dëgjuar shumë komente, që prej asaj dite, se duhej të kishin shkuar aty që “të bënin Ronaldon, dhe jo Adem Jasharin”. Por si mund të thuhet kjo, kur të gjithë e pamë që për aq minuta sa u luajt, futbollistët tanë po u jepnin një leksion futbolli kundërshtarëve, duke treguar qartë se kishin shkuar për të fituar me gola, jo me gurë dhe karrige kokës.

Ajo që na panë sytë më pas është e denjë ndoshta vetëm për vendet e botës së tretë, ku nga njëra ngjarje e rëndë në fushat e sportit në tjetrën, bëhet vetëm krahasimi në numra i të vdekurve. E gjithë bankina serbe që i vërsulent Taulant Xhakës, duke e goditur me gushta dhe me kokë. Duke parë policinë duarlidhur (është për t’u sqaruar qëllimisht apo jo), tifozët vërshojnë në fushë dhe njëri prej tyre gjen kohën të rrëmbejë edhe një stol të personelit të sigurisë së stadiumit, stol që do të përfundonte në kokën e Bekim Balajt. Lorik Cana që e vë përfund tifozin dhe një përleshje masive ku ndodhin nga të gjitha. Dhe në fund, pamjet e trishta të 20 e ca shqiptarëve që përfundojnë përtokë në tunelin drejt dhomave të zhveshjes, nën rrebeshin e gurëve, monedhave, stolave, shkelmave të ultrasve që, autoritetet serbe, ishin “kujdesur” t’i vendosnin pikërisht aty ku hyjnë e dalin futbollistët…

“Unë kam frikë për tim bir, 15 vjeç, që ndodhet lart në tribunë. Ti a ke frikë për vete?”, mësuam t’i ketë thënë Presidenti Duka arbitrit anglez të ndeshjes. “Jo, nuk kam”, i ishte përgjigjur ky i fundit. Eshtë e vërtetë që kampionati i vendit të tij është ndër më burrërorët dhe që ai ka qenë polic vetë, por skenat e Stadiumit të Beogradit ishin të denja për një arenë lufte dhe jo një ndeshje futbolli.

Lart, në shkallët e stadiumit, autoritetet serbe kishin filluar në mënyrë të menjëhershme veprimet e “menaxhimit të krizës”. Sigurisht, siç dinë ata. Me siguri, të mbërthyer edhe prej frikës në ato 10-15 minutat e para, një apo dy prej tifozëve të kombëtares shqiptare, ka rendur tek njerëzit me uniformë që kishin pranë, për t’u dhënë informacionin – sipas tyre të dobishëm – se mes tyre ishte edhe vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë. Një përpjekje për t’u treguar se duhet t’i mbrojnë, pasi problemet do të ishin edhe diplomatikë nëse nuk do ta bënin. Një përpjekje që pi ujë në shumicën e vendeve demokratikë të botës. Por jo në Beograd. Atje ku, me t’u ardhur “zogu” (informacioni) në dorë, Serbët u vunë në lëvizje për ta shfrytëzuar. Ishte padyshim kjo pikënisja e betejës së fortë të marrëdhënieve publike që vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe ku, të paktën gjatë orëve të para, autoritetet serbë u treguan shumë më të zotë. Duke e shtrirë ndikimin e tyre të fortë jo thjeshtë në mediat e Beogradit, por deri në instancat më të larta të UEFA-s dhe në Bruksel.

Pështjellimi i atyre minutave bëri që të përhapet shumë shpejt lajmi i autorësisë së Olsi Ramës për fluturakun që dha një dorë të shpërthente urrejtja që kish 50 minuta që shprehjej në stadium. Lidhja ishte e kollajtë. Reuters dhe Associated Press janë furnizuesit kryesorë me lajme për mediat e mëdha ndërkombëtare të cilat nuk kanë korrespondentë për momentin në vendin ku ndodh një ngjarje. Dhe gazetarët e këtyre dy agjencive në Beograd ishin të dy serbë. Nuk bënë ndonjë marrëzi, nuk shtrembëruan dhe aq shumë realitetin. Thanë vetëm që gjithçka u shkaktua prej fluturakut me simbolet e Shqipërisë. Aq sa mjaftonte.

Sep Blateri i pari dhe Mishel Platinia i dyti nxituan të dënojnë shfaqjen e mesazheve politikë në stadiume, duke iu referuar qartësisht simboleve të Shqipërisë. Ndoshta sepse serbët e kanë bërë aq shpesh, saqë nuk përbën më lajm. “Kosova është Serbi” që u shfaq që në minutat e para është një mesazh goxha politik.

Zëdhënësja e Ashtonit i vuri vulën kësaj përzierjeje shpërthyese të sportit dhe politikës atë mbrëmje. Ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo mendonte se autoritetet e Beogradit ishin për t’u marrë shembull sa i përket organizimit dhe se policia e kishte bërë mirë punën e saj. Shihet qartë që në orët e para, kishte një orkestrim pothuajse të përsosur të autoriteteve dhe lobuesve serbë për të ndikuar në mënyrën e përcjelljes së ngjarjeve.

Ndoshta nuk duhet t’i fajësojmë aspak autoritetet tona për këtë. Në një aksion që sot na bën të kuptojmë se mbase atë natë në Beograd gjithçka kishte qenë e parashikuar, faqja zyrtare e FSHF-së ishte sulmuar prej hacker-ëve serbë që përpara fillimit të ndeshjes. Dihet që notat zyrtare të protestës dërgohen nga emailet zyrtarë. Këta nuk funksiononin. Por, një shpjegim të përsosur të arsyeve të apatisë së autoriteteve tanë atë natë e ka dhënë sërish Presidenti Duka. “Ato momente nuk kam menduar as trepikëshin e asgjë tjetër. Doja vetëm të dilnim gjallë prej aty dhe të ktheheshim gjallë në Tiranë”. Me kaq jemi në gjendje të kuptojmë dimensionet e dramës së madhe të Beogradit. Po a mjaftojnë për UEFA-n?

Delegati i UEFA-s, një bashkëkombas i trainerit të Serbisë si dhe ky i fundit, ishin pak a shumë në një linjë, kur i pari do të deklaronte se nuk kish evidentuar shprehje të racizmit në stadium, ndërsa i dyti deklaronte se ishin shqiptarët që e shkatërruan ndeshjen. Edhe këto veprime me siguri të bashkërenduar të makinerisë së marrëdhënieve publike të autoriteteve serbë. Por sërish, ashtu si kish ndodhur më parë, nuk i kishin bërë dot llogarinë me teknologjinë. Me të njëjtën teknologji që, duke fluturuar simbolet e Shqipërisë, ua nxorri anën e tyre më të keqe në mbrëmjen e Beogradit. E të njëjtës teknologji që, kishte sjellë dënimin e tyre katër vjet më parë, kur kamerat kishin regjistruar Ivanin Bogdanovin si shkaktarin e trazirave në Xhenova të Italisë (ky ishte protagonist edhe të martën në fushën e stadiumit, në një kohë kur duhej të ishte në arrest shtëpie në shtëpi. Kamerat e kapin tek u bën me gisht policëve që të mos guxojnë t’i afrohen).

Historia e incidenteve të fundit nuk ua ka mësuar ende se provat janë kokëforta. Siç ishte kur vranë një tifoz, bashkatdhetar të Platinisë. Apo kur iu turrën me grushta futbollistëve të kombëtares së Anglisë, bashkatdhetarë të arbitrit të ndeshjes së të martës. Në të tre ata raste janë dënuar. Pa provokime. Ashtu sikurse nuk ishin provokuar as këtë të martë kur thërrisnin “Vritini shqiptarët”.

Pjesa tjetër e lë mënjanë sportin dhe hyn në kufijtë e një politike të përzier me folklor dhe nacionalizëm. Ishte e pashmangshme pritja madhështore që iu bë futbollistëve dhe stafit të kombëtares të Rinas, nisur dhe nga ideja që, vetëm pak orë më parë, kishin përballuar të vetëm furinë e 33 mijë vetëve në një stadium të mbushur me urrejtje. Kishin mbrojtur simbolet, kishin mbrojtur vetveten, kishin qenë viktima, dhe tani po priteshin si heronj nga njerëz që, sigurisht, vazhdojnë të jenë të etur për ngjarje që konfirmojnë dhe lartësojnë vetëdijen kombëtare. Një shpërthim i sinqertë, i matur dhe pa teprime (vini re që askush nuk rendi drejt ambasadës serbe).

Por mund të shmangeshin patjetër dekoratat e dhëna lartë e poshtë nga autoritetet zyrtarë të Shqipërisë. Përgjigjen më të mirë për ata e dha ndoshta vetë njeriu që rendi të mbronte banderolën, Taulant Xhaka: “Nuk jam unë heroi, heronj janë Ismail Qemali dhe Isa Boletini”…

Dhe pasi i shteroi edhe folklori kësaj përzierje, në fund mbeti vetëm politika. A duhet të shkojë apo nuk duhet të shkojë Edi Rama në Beograd. A është tradhëtar nëse shkon? A është hero nëse nuk shkon? A do ta presë kryeministri i Serbisë? Cfarë do të mendojë Europa nëse zgjedh të shkojë? Nëse jo?

Shikoni se çfarë ka sjellë “cunami” i urrejtjes që nisi të martën, por që tërmeti që e shkaktoi kishte ditë që kishte ndodhur, me deklarata bombastike në gazeta, andej e këndej kufirit. Në fillim të javës shpresonim t’i gëzoheshim daljes me pikë nga një ndeshje FUTBOLLI, ndërkohë që pala serbe po e mbyll javën me deklarata dhe skenarë që të kujtojnë kulmin e Luftës së Ftohtë.

Në fundin e një jave të mbushur me tension, deklarata e kundërdeklarata, e kemi të qartë tashmë se kjo ngjarje u shkaktua prej kokëfortësisë së pakuptimtë të UEFA-s, fillimisht për të lejuar që të luajnë në një grup ekipe si Serbia dhe Shqipëria, duke shfaqur një tjetër standart nga ai që ka përdorur për cifte si Gjibraltar-Spanjë, Armeni-Azerbajxhan etj e më pas duke pranuar kushte diskriminuese, si ai i moslejimit të asnjë tifozi nga Shqipëria. Për të larguar projektorët dhe kritikat nga vetvetja, organizmi më i lartë i futbollit europian, qysh prej asaj dite po përpiqet të vendosë shenjën e barazimit mes thirrjeve raciste, agresionit në fushën e Beogradit, keqtrajtimit fizik dhe mendor të futbollistëve dhe delegacionit shqiptar, dhe fluturimit të një banderole të ardhur nga jashtë stadiumit dhe telekomanduesin e të cilës, edhe sot e kësaj dite, nuk e njohim. Një barazim mes agresorit dhe viktimës. Të shpresojmë që në vendimin që do marrë pas pak ditësh, të mos ndikohet prej turmës së “ekuilibruesve” që thërret: “Baraba, Baraba!” E pastaj t’i lajë duart si Ponci…

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button