Sport

“Tages Anzeiger”: Vendim skandaloz, duhej përjashtuar Serbia

kolazhi

Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” e ka quajtur skandaloz vendimin e UEFA-s për t’i dhënë Serbisë fitoren 3-0 në tavolinë në kurriz të Shqipërisë. Redaktori sportiv zviceran, David Wiederkehr me anë të një komenti te “Tages Anzeiger”, thotë se UEFA kishte prova të mjaftueshme për ta përjashtuar kombëtaren serbe nga Kampionati Evropian. “Ky vendim është shumë i vështirë të kuptohet dhe kapërdihet… Si është e mundur që instanca më e lartë e futbollit në Evropë t’i japë Federatës Serbe të Futbollit fitoren 3-0 në tavolinë, për atë ndeshje skandaloze kundër Shqipërisë që ishte një turp i Beogradit. Tre pikët e dhëna duhet të tërhiqen menjëherë për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes nga Serbia. Ky gjykim ishte një harresë ligjore. UEFA kënaqi veten me një fletë me 13 rreshta dhe asgjë më shumë”, shkruan David Wiederkehr.
Më tej në të thuhet se UEFA dispononte prova të mjaftueshme për përjashtimin e përfaqësueses serbe, ndërsa shton se mjafton të kujtosh incidentet në Itali katër vite më parë për të kuptuar se çfarë meriton Serbia.
“Komisioni disiplinor i UEFA-s duhet ta përjashtonte përfaqësuesen serbe për pjesën e mbetur të kualifikuesve të Evropianit. Për këtë kishte baza të mjaftueshme ligjore, por edhe rastin e katër viteve më parë në Itali. Por, UEFA vendosi të tregohej e mëshirshme duke humbur kështu shansin që të dërgonte disa sinjale drejtësie”, thuhet në këtë koment të gazetarit zviceran.
Më tej ai kritikon edhe delegatët e UEFA-s, duke thënë se ata nuk i dhanë zgjidhje situatës më datë 14 tetor, dhe kjo sipas saj solli dhunën ndaj shqiptarëve.
Wiederkehr shkruan se prania e kriminelit Ivan Bogdanov në stadium ishte një skandal, duke e ditur se ai më parë ka qenë i dënuar për trazira gjatë ndeshjes Itali – Serbi në Xhenova.
“Ai ka qenë i dënuar së bashku me huliganë të tjerë për shkak të trazirave gjatë ndeshjes kualifikuese Itali – Serbi në Kampionatin Evropian të vitit 2010. Nga atëherë Federata Serbe ka qenë nën mbikëqyrjen e UEFA-s. Kundër Shqipërisë ai u pa në stadium dhe më pas në fushë i pashqetësuar gjatë dhe pas trazirave. Ky është një tregues se Federata Serbe është e kapur nga kthetrat e kriminelëve”, shkruan Wiederkehr./shekulli/

Leave a Reply

Back to top button